Ekonomia

Ekonomia ka ngecur, por leku “rrëzon” valutat; Tregu “mbytet” me euro, një tjetër minimum historik

Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro u këmbye sot me 104.85 lekë, duke u nënçmuar me 0.86 lekë në raport me ditën e mëparshme. Kjo është dhe rënia më e madhe ditore e këtij viti dhe më e forta që nga 28 dhjetori 2022.

Në këto nivele, Euro ka shënuar një tjetër minimum historik në raportet e këmbimit me Lekun, që kur ajo filloi të zbatohej si monedhë zyrtare në janar të vitit 2002.

Në krahasim me fillimin e vitit, Euro ka rënë me 9.69 lekë, ose 8.4%, ndërsa në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kur monedha e përbashkët tregtohej me 119.12 lekë këmbehet me 14.35 lekë më pak (zhvlerësim 12%).

Në treg në mesditë, Euro zbriti deri në 104 lekë, sipas burimeve nga tregu.

Të kontaktuar nga “Monitor”, aktorët e mëdhenj të tregut thanë se kjo tendencë është e lidhur me ofertën e lartë në treg. Sipas tyre, tregu është “mbytur” në euro dhe tregtuesit nuk kanë ku shesin, ndërkohë që nuk blejnë.

Shtimi i numrit të turistëve ka ndikuar në rritjen e ofertës për valutë. Në maj, sipas INSTAT në vend hynë rreth 17%  shtetas të huaj më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë, ndërsa për 5 mujorin janë 42.5% hyrje më shumë.  Gjithsesi, në maj, kur filloi dhe rënia e fortë e euros, ritmet e rritjes së të huajve ishin më të ulëtat në raport me muajt e mëparshëm.

Një tjetër burim i qëndrueshëm i valutës janë hyrjet informale, që kanalizohen kryesisht në tregun e pasurive të paluajtshme. INSTAT bëri të ditur se në tremujorin e parë ekonomia u rrit me 2.76%, ndërsa  “Aktivitete të pasurive të paluajtshme” ndikuan me +0,62 pikë përqindje, dhe “Ndërtimi” me 0.42 pikë përqindje, duke ndikuar të dyja në 38% të rritjes totale të ekonomisë.

Rënia e fortë nxit dhe spekulimet në treg. Agjencitë e këmbimit valutor e kanë rritur marzhin e shit-blerjes në rreth 1.5 lekë, një tregues i luhatjeve të mëdha, ndërsa përgjithësisht ky marzh luhatet në 0.5-1 lekë.

Aktorët e tregut presin që euro të vijojë të jetë e dobët, pasi pas datës 20 shtohen hyrjet e emigrantëve. Tradicionalisht gushti dhe dhjetori shënojnë gjithnjë vlerat më të ulëta të këmbimit të valutave për shkak të shtimit të prurjeve nga emigrantët.

Bien gjithë valutat e tjera

Krahas euros, të gjitha valutat e tjera kanë shënuar rënie të fortë, duke treguar se luhatjet lidhen me faktorët e brendshëm të ofertës së lartë për valutë, çka bën që monedhat e huaja të tërheqin njëra-tjetrën për poshtë. Dollari ra me 0.95 lekë, në 96.18 lekë. Paundi u nënçmua me 0.90 lekë, në 122 lekë, franga zvicerane me 0.42 lekë, në 107.49 lekë.

Ekonomia u ngadalësua në tremujorin e parë

Një nga argumentet e zyrtarëve ka qenë që forcimi i lekut reflekton ecurinë e mirë të ekonomisë. Ndërkohë të dhënat më të fundit nga INSTAT bënë të ditur se të paktën në tremujorin e parë të vitit, ritmet e rritjes së ekonomisë janë ngadalësuar, duke reflektuar pasojat që po sjell emigracioni i lartë që ka prekur konsumin dhe rritja e çmimeve.

Në kontrast me këtë tendencë, ekonominë e kanë mbajtur në këmbë pasuritë e paluajtshme. Rritja e tregtisë, hoteleve dhe transporti, një tregues i konsumit ka qenë minimale, ndërsa industria ka rënë, duke reflektuar konjukturën e pafavorshme ndërkombëtare për çmimet e shitjes dhe shtrenjtimin e kostove të bizneseve. Sidomos  industria, kryesisht eksportuesit janë ndikuar dukshëm nga nënçmimi i euros që ka reduktuar të ardhurat e tyre në lekë.

INSTAT bëri të ditur se Produkti i Brendshëm Bruto (P.B.B) në tremujorin e parë të vitit 2023 vlerësohet me rritje prej 2,72%, kundrejt tremujorit të parë të vitit 2022. Ky është ritmi më i ulët i rritjes që nga tremujori i tretë i vitit 2020, kur vendi po vuante pasojat e pandemisë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button