FBI arreston punonjësin e Departamentit të Energjisë që akuzohet se ndihmoi Huthi-t e Jemenit
Departamenti i Drejtësisë akuzon 51-vjeçarin Ashton Hamed Ellaboudy se tentoi t'u jepte Huthi-ve materiale shpërthyese dhe ekspertizë për dronë; ai do të paraqitet përpara gjykatës federale më 2 tetor.
Autoritetet amerikane arrestuan të enjten një punonjës të Departamentit të Energjisë, të akuzuar se kishte tentuar t’u jepte mbështetje materiale Huthi-ve të Jemenit, organizatë e shpallur terroriste nga SHBA-ja dhe e mbështetur nga Irani. Njoftimin e bëri Departamenti i Drejtësisë, siç njofton Al Jazeera në blogun e saj live për luftën me Iranin.
Ashton Hamed Ellaboudy, 51 vjeç, banues i Richland-it në shtetin e Uashingtonit, u arrestua të enjten në mëngjes dhe akuzohet për tentativë për të siguruar mbështetje materiale ose burime për Huthi-t. Ai do të paraqitet përpara një gjykatësi federal më 2 tetor në orën 11:00 në Richland.
“Siç pretendohet, një punonjës i qeverisë amerikane udhëtoi jashtë vendit dhe përdori ekspertizën e tij të specializuar në përpjekje për të ndihmuar Huthi-t, një Organizatë e Huaj Terroriste e mbështetur nga Irani”, tha zv/prokurori i përgjithshëm për Sigurinë Kombëtare, John A. Eisenberg. Sipas Departamentit të Drejtësisë, Ellaboudy bleu materiale për ndërtimin e lëndëve shpërthyese dhe dronëve të aftë për të transportuar ngarkesa, dhe ra në kontakt me një burim konfidencial të FBI-së që paraqitej si bashkëpunëtor i një “koloneli” Huthi për të siguruar pajisje komunikimi dhe komponentë dronësh.
Hetimi zbuloi se Ellaboudy bleu gjithashtu pjesë të përdorura për ndërtimin e dronëve dhe materiale shpërthyese, duke ofruar këshilla ekspertësh për ndërtimin dhe përdorimin e dronëve. Ai rrezikon deri në 20 vjet burgim nëse shpallet fajtor.
Deklaratat vijnë në një moment të tensionuar, ndërsa SHBA-ja po rrit presionin ndaj Iranit dhe aleatëve të tij rajonalë, përfshirë Huthi-t, që kanë sulmuar vazhdimisht anijet tregtare në Detin e Kuq dhe Bab al-Mandeb gjatë luftës.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.