Fillon nesër në Korçë edicioni i katërt i Festivalit të Video Artit Gjon Mili
Korça do të mirëpresë nga data 13 deri më 15 qershor edicionin e katërt të Festivalit Ndërkombëtar të Video Artit Gjon Mili, një aktivitet që sjell në qytet artistë, kineastë dhe krijues të artit bashkëkohor nga vende të ndryshme të botës.
Festivali organizohet nga AGORA Art Center dhe kurohet nga Yllka Gjollesha, me asistente kuratore Sisi Ndini. Edicioni i këtij viti zhvillohet nën temën “Are You Dreaming?” (“A po ëndërron?”) dhe përfshin një program me video art, filma eksperimentalë, dokumentarë, performanca audiovizuale dhe projekte të realitetit virtual.
Aktivitetet nisin më 13 qershor në GAD Gallery, ku do të prezantohen vepra të artistëve dhe autorëve nga Koreja e Jugut, Holanda, Kanadaja, Kina, Australia, Italia, Shtetet e Bashkuara, Gjermania, Belgjika, Franca, Tajvani dhe Mbretëria e Bashkuar. Programi përfshin filma të shkurtër, instalacione video dhe projekte eksperimentale që trajtojnë tema të ndryshme sociale, kulturore dhe teknologjike.
Një nga segmentet e veçanta të ditës së parë është programi VR-STATION, i realizuar në bashkëpunim me Minus Art Space, ku publiku do të ketë mundësi të ndjekë projekte të realizuara në teknologjinë e realitetit virtual.
Gjatë ditës do të zhvillohen gjithashtu projeksione në Muzeun Gjon Mili. Në mbrëmje, aktivitetet zhvendosen në Teatrin “Andon Zako Çajupi”, ku do të shfaqet dokumentari “DEZO HOFFMANN – PHOTOGRAPHER OF THE BEATLES”, kushtuar fotografit të njohur britanik të grupit legjendar “The Beatles”.
Po në të njëjtën mbrëmje do të prezantohen edhe disa krijime shqiptare, mes tyre “The Champ” i Ermir Ketës, “Antimuzeu” i Renis Hykës dhe “PA ZË (Soundless)” i Gentian Gjikopullit.
Dita e dytë e festivalit do të fokusohet në takime me artistë, prezantime projektesh dhe diskutime mbi format bashkëkohore të tregimit vizual. Artistja Ledia Kostandini do të prezantojë projektin e saj “Nën qyteti”, ndërsa gjatë ditës do të shfaqen vepra nga Brazili, Shtetet e Bashkuara, Sllovenia, Gjermania, Monako dhe Mali i Zi.
Programi i mbrëmjes në Teatrin “Andon Zako Çajupi” përfshin shfaqjen e filmave shqiptarë “SOS” nga Anita Morina dhe “Kecka” nga Fatjet Bajrami. Gjithashtu do të zhvillohet një koncert me kitarë klasike nga Nicola Montella.
Dita e tretë dhe e fundit në Korçë do të përfshijë rishfaqjen e një pjese të programit në formatin LOOP në GAD Gallery, duke u dhënë mundësi vizitorëve të ndjekin përsëri veprat e përzgjedhura. Pjesëmarrësit dhe organizatorët do të vizitojnë gjithashtu Vithkuqin, ku do të zhvillohet një program njohës me trashëgiminë historike dhe kulturore të zonës.
Sipas organizatorëve, festivali synon të krijojë një hapësirë ndërkombëtare për prezantimin e artit bashkëkohor vizual dhe shkëmbimin e përvojave mes artistëve nga vende të ndryshme.
Pas përfundimit të aktiviteteve në Korçë, festivali do të vazhdojë në Dhërmi nga 18 deri më 20 qershor me projeksione dhe aktivitete në ambiente të hapura, ndërsa edicioni i këtij viti do të mbyllet në Manhattan të Nju Jorkut nga 27 deri më 29 qershor me një program të veçantë shfaqjesh dhe eventesh artistike.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.