FOKUS – Çekia shemb kullat 355 metra të larta, simbol i transmetimeve radiofonike në Evropë
Dy kullat metalike, secila 355 metra e lartë, u shembën përmes shpërthimit të një pjese të kabllove mbajtëse.
Pamjet filmike treguan se të dyja strukturat u shembën brenda pak sekondash.
Për operacionin u përdorën rreth 4,5 kilogramë lëndë plasëse speciale.
Policia kishte evakuuar dhe siguruar zonën e kufizuar përpara shpërthimit, ndërsa data e saktë e shembjes nuk ishte bërë publike, për të shmangur grumbullimin e spektatorëve.
Transmetuesi, i vendosur rreth 30 kilometra në lindje të Pragës, ishte një pikë e rëndësishme e infrastrukturës radiofonike çeke.
Sinjali i tij, në frekuencën 639 kilohertz, dëgjohej edhe përtej kufijve të vendit, përfshirë në Gjermani.
Për të mbërritur në majën e kullave, teknikëve u duheshin rreth 45 minuta me ashensorin e shërbimit.
Dy kullat prej çeliku u përfunduan përkatësisht në vitet 1975 dhe 1976, në kohën kur vendi ishte pjesë e Çekosllovakisë.
Historia e transmetuesit në këtë zonë daton që nga vitet 1930.
Transmetimet me valë të mesme të radios publike çeke u ndërprenë në fund të vitit 2021 për arsye ekonomike.
Deri në fund të vitit 2025, programi “Country Radio” kishte vijuar të përdorte transmetuesin e Liblicës, por me fuqi të reduktuar ndjeshëm.
Planet për ruajtjen e kullave dështuan për shkak të kostove të larta të mirëmbajtjes dhe modernizimit, të vlerësuara në pak më pak se 7,0 milionë euro.
Mbështetësit e ruajtjes së tyre kërkonin që strukturat të shpalleshin monument historik, duke i konsideruar një shembull të veçantë të inxhinierisë.
Të tjerë argumentonin se transmetuesi duhej të mbahej funksional për raste emergjencash dhe fatkeqësish natyrore. /Ad.Ab./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.