FOKUS – Përplasje BE-SHBA për tarifat doganore, Brukseli kërkon respektimin e kufirit prej 15%
BRUKSEL, 25 nëntor /ATSH-ANSA/ – Bashkimi Evropian ka kundërshtuar pretendimet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, se ekonomia evropiane kontribuon në krijimin e kapaciteteve të tepërta prodhuese në tregjet ndërkombëtare, duke kërkuar njëkohësisht që Uashingtoni të respektojë kufirin prej 15% për tarifat doganore ndaj produkteve evropiane.
Reagimi i Komisionit Evropian vjen pas publikimit nga autoritetet amerikane të rezultateve paraprake, të një hetimi tregtar të zhvilluar në bazë të Seksionit 301 të Ligjit të Tregtisë të vitit 1974.
Hetimi shqyrton politikat industriale dhe praktikat tregtare të disa ekonomive, përfshirë Bashkimin Evropian, të cilat Uashingtoni i konsideron si faktorë që krijojnë kapacitete të tepërta prodhuese dhe dëmtojnë konkurrencën e prodhuesve amerikanë.
Zëdhënësi i Komisionit Evropian deklaroi se Brukseli do t’i shqyrtojë gjetjet amerikane, por hodhi poshtë pretendimin se Evropa është burim i këtij fenomeni.
Sipas tij, përkundrazi, ekonomia evropiane është ndër rajonet më të ekspozuara ndaj pasojave të mbiprodhimit në tregjet globale.
Komisioni theksoi se çdo masë e re tarifore amerikane, duhet të respektojë marrëveshjen tregtare BE-SHBA, e cila parashikon një kufi maksimal prej 15% për tarifat ndaj mallrave evropiane, duke përfshirë edhe detyrimet ekzistuese.
Marrëveshja tregtare mes palëve u arrit në korrik 2025 dhe u konkretizua në një deklaratë të përbashkët në gusht të po atij viti.
Sipas saj, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, angazhohen të zbatojnë një tarifë të përgjithshme maksimale prej 15% për shumicën e produkteve të importuara nga Bashkimi Evropian, ndërsa BE-ja mori përsipër të heqë tarifat për produktet industriale amerikane dhe të lehtësojë hyrjen në tregun evropian, të disa produkteve bujqësore dhe detare nga SHBA-ja.
Megjithatë, Uashingtoni po shqyrton masa të reja në kuadër të hetimeve për praktikat tregtare dhe kapacitetet e tepërta prodhuese.
Sipas propozimeve amerikane, për Bashkimin Evropian parashikohet një normë tarifore prej 15%, në përputhje me kufirin e përcaktuar në marrëveshjen dypalëshe.
Seksioni 301 i legjislacionit amerikan i jep Uashingtonit mundësinë të hetojë praktikat tregtare të vendeve të tjera, që konsiderohen të padrejta ose diskriminuese ndaj bizneseve amerikane dhe, nëse plotësohen kushtet ligjore, të vendosë masa kundër tyre.
Përplasja e fundit vjen në një kohë kur marrëdhëniet tregtare mes dy ekonomive më të mëdha të Perëndimit, mbeten një faktor vendimtar për tregtinë ndërkombëtare.
Çdo ndryshim në tarifat doganore, mund të ndikojë te eksportet, çmimet e produkteve dhe konkurrueshmëria e kompanive në të dyja anët e Atlantikut. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.