GJKKO shtyn vendimin për grupin e dytë të dosjes “Veliaj”, kërkohet kohë për shqyrtimin
Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vendosur të shtyjë për ditën e nesërme shpalljen e vendimit për biznesmenin Elman Abule dhe personat e tjerë të përfshirë në fraksionin e dosjes që lidhet me kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj.
Shtyrja është argumentuar me nevojën e trupit gjykues për të pasur më shumë kohë në dispozicion për shqyrtimin e kundërshtimeve dhe prapësimeve me shkrim të depozituara nga të pandehurit dhe mbrojtësit ligjorë të tyre.
Shpallja e vendimit, e cila ishte planifikuar për këtë të mërkurë, është caktuar për nesër, më 26 nëntor, në orën 15:30. Ndërkohë, biznesmeni Elman Abule, i cili ndodhet në masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, ishte paraqitur gjatë ditës së sotme në ambientet e GJKKO-së, në pritje të vendimit të gjykatës.
Në këtë pjesë të dosjes janë marrë të pandehur tetë persona dhe tri shoqëri tregtare. Procesi po zhvillohet përmes procedurës së gjykimit të shkurtuar.
Më 10 nëntor, gjykata përmbylli shqyrtimin e kundërshtimeve të paraqitura nga të pandehurit dhe avokatët e tyre. Megjithatë, përpara shpalljes së vendimit përfundimtar, trupi gjykues ka vlerësuar të nevojshme një periudhë shtesë për analizimin e argumenteve të depozituara në formë të shkruar.
Në pretencën e paraqitur më 3 qershor, Prokuroria e Posaçme kërkoi gjithsej 28 vite burg për gjashtë nga të pandehurit, si dhe vendosjen e gjobave ndaj tri shoqërive tregtare të përfshira në proces.
Elman Abule është i vetmi person për të cilin SPAK ka kërkuar dënim me burgim efektiv. Konkretisht, për biznesmenin është kërkuar një dënim prej 7 vitesh burg, i cili, për shkak të aplikimit të gjykimit të shkurtuar, reduktohet në 4 vite e 8 muaj.
Abule akuzohet për pastrim parash. Sipas organit të akuzës, përmes kompanisë së tij “Rametal”, ai dyshohet se ka kontribuar në transferimin dhe qarkullimin e fondeve drejt subjekteve të lidhura me Ajola Xoxën, bashkëshorten e kryebashkiakut Erion Veliaj. Dyshimet e SPAK lidhen me përdorimin e faturave që pretendohet se kanë qenë fiktive.
Një tjetër emër i përfshirë në këtë proces është Ina Goxhaj, ish-drejtoreshë ekzekutive e organizatës jofitimprurëse “BYL-A”.
Për të, SPAK ka kërkuar gjithashtu 7 vite burgim, që në zbatim të procedurës së gjykimit të shkurtuar reduktohen në 4 vite e 8 muaj. Megjithatë, ndryshe nga kërkesa për Abulen, prokuroria ka kërkuar që ekzekutimi i dënimit për Goxhajn të pezullohet dhe ajo të vendoset në shërbim prove.
Goxhaj akuzohet për korrupsion aktiv dhe pastrim parash. Sipas hetimeve të SPAK, organizata “BYL-A” drejtohej në mënyrë faktike nga Ajola Xoxa, ndërsa Ina Goxhaj ishte personi që figurohej zyrtarisht në drejtimin e saj.
Hetimet janë përqendruar te fondet e përfituara nga institucionet publike për zhvillimin dhe organizimin e aktiviteteve kulturore. Vendimi i GJKKO-së për këtë fraksion të dosjes pritet të shpallet nesër, më 26 nëntor, në orën 15:30.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.