FOKUS – SHBA-ja forcon praninë ushtarake në LM, dërgon aeroplanmbajtësen e tretë dhe rreth 9 mijë trupa
– Shtetet e Bashkuara të Amerikës po forcojnë ndjeshëm praninë e tyre ushtarake në Lindjen e Mesme, me dërgimin e një grupi të tretë të aeroplanmbajtësve dhe rreth 9 mijë trupa amerikane në rajon, raportoi “The Wall Street Journal”.
Në kuadër të lëvizjes është përfshirë aeroplanmbajtësja “USS Theodore Roosevelt”, e cila u largua nga San Diego më 27 shtator dhe po shkon drejt rajonit.
Bashkë me të po lëvizin edhe anije të tjera, përfshirë grupin amfib “USS Makin Island”, që transporton trupa të marinsave amerikanë.
Sipas një zyrtari amerikan, anijet që po shkojnë drejt Lindjes së Mesme, transportojnë më shumë se 7 mijë marinarë dhe rreth 2 mijë marinsa, duke e çuar numrin e trupave të përfshira në këtë dislokim në rreth 9 mijë.
“Wall Street Journal” e vlerëson shtesën e forcave në 9 mijë deri në 10 mijë trupa.
Në rajon ndodhen aktualisht edhe aeroplanmbajtëset “USS George H.W. Bush” dhe “USS George Washington”.
Nëse këto forca mbeten në rajon në momentin kur mbërrin “Theodore Roosevelt”, SHBA-ja do të ketë tre grupe aeroplanmbajtësesh në Lindjen e Mesme.
Sipas burimeve, kjo mund të ndodhë deri në fund të tetorit.
Vendimi vjen në një periudhë të tensionuar mes Uashingtonit dhe Teheranit.
Presidenti amerikan Donald Trump ka lënë të hapur mundësinë e rifillimit të sulmeve ndaj Iranit, pas zgjedhjeve të mesmandatit në SHBA, ndërsa përpjekjet për një marrëveshje me Teheranin vazhdojnë. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.