FOKUS – Vapa ju bën të flini deri në 17 minuta më pak çdo natë
Rrotullohesh në shtrat duke kërkuar pak freski, por është e kotë. Netët përvëluese të kësaj vere nuk të lënë të pushosh dhe viktima e parë është pikërisht gjumi, shkruan salute eu.
Mjafton që temperatura në dhomën e gjumit të rritet me vetëm një gradë që të flesh disa minuta më pak, me një efekt që grumbullohet natë pas nate.
Këtë e shpjegon Claudio Liguori, profesor i Neurologjisë në Poliklinikën Tor Vergata në Romë dhe ekspert i mjekësisë së gjumit: çdo gradë shtesë në dhomë e bën gjumin më të shkurtër dhe me cilësi më të dobët.
Mungesa e gjumit
Këtë fenomen e konfirmon një studim australian i udhëhequr nga Bastien Lechat, i publikuar së fundmi në revistën shkencore Sleep.
Studiuesit analizuan të dhënat e më shumë se 317 mijë përdoruesve të pajisjeve që monitorojnë gjumin (sensorë nën dyshek dhe orë inteligjente), duke mbledhur informacion nga rreth 165 milionë net të regjistruara midis janarit 2020 dhe shtatorit 2023.
Këto të dhëna u krahasuan me temperaturat e natës.
Rezultatet treguan se, kur temperaturat ishin shumë të larta (27,3°C), krahasuar me temperatura më të moderuara (12,2°C), njerëzit flinin mesatarisht 15-17 minuta më pak çdo natë.
Për më tepër, netët e nxehta rrisin me rreth 40% mundësinë për të fjetur më pak se 6 orë, ndërsa në disa vende kjo rritje varion nga 10% deri në 75%. Më të prekurit janë vendet evropiane dhe ato me të ardhura të ulëta.
Studime të tjera tregojnë se kur temperatura e natës kalon 25°C, kohëzgjatja e gjumit zvogëlohet me rreth 7 minuta, ndërsa mbi 30°C humbja arrin në rreth 14 minuta.
Çfarë ndodh në tru?
Pse nuk arrijmë të flemë kur bën shumë vapë?
“Në kushte normale – shpjegon Liguori – kur temperatura e dhomës nuk i kalon 26°C, gjumi ndjek një cikël normal.
Ai përbëhet nga faza Non-REM, e ndarë në tre stade (N1, N2 dhe N3), që çojnë nga gjumi i lehtë në gjumin e thellë, dhe nga faza REM (Rapid Eye Movement), e karakterizuar nga lëvizje të shpejta të syve dhe ëndrrat më intensive.
Ky cikël rregullohet pjesërisht nga melatonina, hormoni që prodhohet nga gjëndra pineale dhe që kontrollon ritmin gjumë-zgjim.
Melatonina ndihmon trupin të bjerë në gjumë duke nxitur zgjerimin e enëve të gjakut, gjë që ul temperaturën e trupit me rreth 1°C dhe e përgatit organizmin për pushim.
Gjithçka lidhet me melatoninën
Kur temperatura bëhet shumë e lartë, prodhimi i melatoninës çrregullohet.
Për të fjetur mirë, temperatura e trupit duhet të ulet. Nëse kjo nuk ndodh, krijohet një lloj “qarku i shkurtër” mes mekanizmave të zgjimit dhe atyre të gjumit.
Me fjalë të tjera, truri merr sinjalin se “nuk është ende koha për të fjetur”, sepse temperatura e trupit nuk ka rënë në nivelin e nevojshëm.
Përveç kësaj, vapa e madhe shkakton edhe stres biologjik, ndaj të cilit organizmi përgjigjet me rritjen e aktivitetit të sistemit nervor autonom, duke penguar relaksimin e domosdoshëm për një gjumë cilësor.
Një rreth vicioz
Pasojat janë të dukshme: zgjohesh më i lodhur, shpesh me dhimbje koke, ke më pak përqendrim dhe kthjelltësi gjatë ditës, ndihesh i përgjumur dhe më nervoz.
Këto gjendje ndikojnë negativisht edhe në gjumin e natës pasuese, duke krijuar një rreth vicioz.
Ka edhe një aspekt tjetër: temperaturat e larta gjatë ditës bëjnë që shumë njerëz të hanë shumë pak në drekë.
Si pasojë, në mbrëmje ndiejnë më shumë uri dhe konsumojnë një darkë më të rëndë, e cila ngadalëson tretjen dhe e bën gjumin edhe më të vështirë.
Jo dush i ftohtë para gjumit
Edhe pse shumë mendojnë se një dush i ftohtë është zgjidhja ideale, ekspertët thonë se ai shkakton vetëm një shok termik të panevojshëm.
Sipas Liguorit, është më mirë ta ndihmojmë organizmin të arrijë gradualisht temperaturën e duhur për të prodhuar melatoninën.
Zgjidhja më e mirë është një banjë ose dush me ujë të vakët, i cili rrit temperaturën qendrore të trupit dhe nxit djersitjen, duke aktivizuar mekanizmat natyrorë të termorregullimit.
Nëse kjo praktikë përsëritet për disa ditë radhazi, organizmi “stërvitet” për t’u përshtatur më mirë me vapën dhe këto përshtatje mund të zgjasin të paktën dy javë.
Temperatura ideale e ujit është rreth 40°C, ndërsa koha e rekomanduar është 30 deri në 60 minuta, me seanca të përsëritura për disa ditë rresht.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.