FRANCË – Barrot: Evropa siguron dy të tretat e informacioneve të inteligjencës për Ukrainën
PARIS, 15 tetor /ATSH-AFP/- Vendet evropiane sigurojnë dy të tretat e informacioneve të inteligjencës që i jepen Ukrainës, me Francën ndër kontribuesit kryesorë, deklaroi sot ministri i Jashtëm francez, Jean-Noël Barrot.
Në një intervistë për radion franceze “France Inter”, Barrot theksoi se Evropa prej kohësh, siguron pjesën më të madhe të mbështetjes për Kievin dhe ushtron presion ndaj Rusisë.
“Dy të tretat e informacioneve të inteligjencës që i jepen sot Ukrainës vijnë nga vendet evropiane, veçanërisht nga Franca”, deklaroi ai.
Ministri francez u bëri thirrje evropianëve të mos ndikohen nga propaganda ruse, duke kujtuar se që nga fillimi i luftës, janë përsëritur shumë herë parashikimet se Ukraina do të mposhtej dhe se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do ta braktisnin atë.
“Le të mos lejojmë që propaganda e Vladimir Putinit të na ndikojë”, u shpreh Barrot, duke akuzuar Kremlinin dhe llogaritë e tij mbështetëse në rrjetet sociale, se po përpiqen të dobësojnë mbështetjen evropiane për Ukrainën.
Sipas tij, lufta nuk zhvillohet vetëm në fushën e betejës, por edhe në opinionin publik, ku Rusia synon të ndikojë që evropianët të heqin dorë nga mbështetja për Kievin.
Deklarata e ministrit francez vjen në një kohë kur janë ngritur shqetësime për vazhdimësinë e mbështetjes amerikane për Ukrainën, veçanërisht për shkëmbimin e informacioneve të inteligjencës.
Megjithatë, presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se shkëmbimi i këtyre informacioneve me Ukrainën vazhdon, ndërsa Komisioni Evropian tha se nuk ka shenja se ky bashkëpunim mes Uashingtonit dhe Kievit është ndërprerë. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.