FRANCË – Mijëra qytetarë në protestën e pestë, sindikatat paralajmërojnë edhe grevë
Mijëra protestues dolën sot në rrugët e qyteteve të ndryshme të Francës duke shënuar të shtunën e pestë radhazi të protestave në shkallë kombëtare.
Lëvizja e njohur si e “Jelekëve të Verdhë”, studentët dhe sindikatat e arsimit protestuan për një sërë çështjesh, duke nisur nga rritja e kostos së jetesës dhe kërkesat për më shumë financime për arsimin, deri te mbrojtja më e fortë e fëmijëve dhe adoleshentëve dhe një projektligj i ri për policinë, raporton euronews.com.
Në Paris, të shumtë ishin protestuesit që u mblodhën në Sheshin e Republikës (Place de la République), i cili është kthyer në një pikë simbolike grumbullimi për protestat mbarëkombëtare.
“Ne kërkojmë që të kemi mësues kur shkojmë në klasë. Kërkojmë që të mos na shemben tavanet ndërsa hamë në mensë. Kërkojmë që, pasi të përfundojmë maturën, pavarësisht kushteve që përkeqësohen çdo vit, të kemi mundësi të vazhdojmë studimet në universitet”, deklaroi Marius Mesnil, bashkësekretar i përgjithshëm i Sindikatës së Nxënësve të Shkollave të Mesme.
Franca është përfshirë prej më shumë se një muaji nga bllokimet e shkollave të mesme dhe protestat.
Sipas të dhënave nga Ministria e Brendshme, rreth 106 000 persona morën pjesë të shtunën në protestat në të gjithë vendin, përfshirë 24 000 në Paris. Organizatorët dhanë një shifër më të lartë, prej 200 000 pjesëmarrësish në rang kombëtar, nga të cilët 100 000 në kryeqytet.
Pjesëmarrja në protestën e së shtunës ishte më e ulët se zakonisht. Protesta më e madhe e javëve të fundit u zhvillua të enjten, gjatë grevës së organizuar nga sindikatat, ku më shumë se gjysmë milioni persona dolën në rrugët e vendit.
Sindikatat kanë thirrur të martën e ardhshme një tjetër ditë greve pasi kundërshtojnë premtimin e qeverisë për rritjen e pagës minimale me 0,6%, duke e konsideruar si të pamjaftueshme.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.