“Frymëmarrja nuk është luks”, Vuqiterna kërkon nga Vitia terapinë për pacientët me fibrozë cistike
Vlora N. Vuqiterna, ish-kandidate e Lëvizjes Vetëvendosje për deputete, i ka bërë thirrje ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, që të ndërmarrë hapa për sigurimin e terapisë Trikafta (Kaftrio) për pacientët me fibrozë cistike në Kosovë.
Përmes një reagimi në Facebook, Vuqiterna, e cila është edhe nënë e një vajze që jeton me këtë sëmundje, ka kërkuar që kërkesa e Shoqatës së Fibrozës Cistike të trajtohet me urgjencë.
Ajo ka theksuar se mungesa e kësaj terapie po i detyron disa familje të mendojnë për largimin nga Kosova, në kërkim të mundësive për trajtim.
“Frymëmarrja nuk është luks. Është e drejtë e çdo fëmije! Fëmijët tanë kanë nevojë të marrin frymë!”, ka shkruar ajo.
Vuqiterna ka bërë të ditur se, sipas të dhënave që ka paraqitur në reagimin e saj, mbi 170 pacientë kanë qenë të regjistruar me fibrozë cistike, ndërsa aktualisht janë rreth 60 pacientë.
Ajo ka vlerësuar se, pavarësisht kostos së lartë të terapisë dhe sfidave buxhetore, sigurimi i saj duhet të jetë ndër prioritetet e institucioneve shëndetësore.
“Barnat dhe trajtimet që tashmë janë të qasshme në shtetet e rajonit duhet të bëhen të qasshme edhe për fëmijët tanë. Ata nuk meritojnë të kenë më pak mundësi për të jetuar vetëm pse kanë lindur në Kosovë”, ka deklaruar Vuqiterna.
Ajo ka theksuar se kërkesat për sigurimin e kësaj terapie janë bërë tash e disa vite, duke pyetur se edhe sa duhet të presin familjet për një zgjidhje.
“Ne nuk po kërkojmë privilegj. Po kërkojmë të drejtën për jetë, frymëmarrje dhe trajtim dinjitoz për fëmijët tanë”, ka shkruar ajo, duke i bërë thirrje ministrit Vitia që ta dëgjojë kërkesën e familjeve të prekura nga kjo sëmundje./Telegrafi/



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.