Gazetari: Kontrolle në banesën e Rony Yeffet dhe zyrat e KAYO. Ardi Veliut nuk i është sekuestruar celulari
Gazetari Eni Ferhati në emisionin “Review”, ka dhënë detaje për hetimin e nisur nga SPAK lidhur me sektorin e industrisë së mbrojtjes dhe pretendimet e ngritura më herët nga ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj.
Ai tha se gjatë ditës së premte janë ushtruar kontrolle në disa ambiente në Tiranë, përfshirë banesën e biznesmenit Rony Yeffet dhe ambientet e kompanisë shtetërore KAYO, ndërsa janë sekuestruar dokumente që lidhen me procedurat e tenderimit. SPAK nuk ka dhënë ende një qëndrim zyrtar për hetimin.
“Agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit, të mbështetur edhe nga forcat e policisë, në zbatim të një vendimi të Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, kanë zbatuar një seri vendimesh kontrolli që janë ushtruar kryesisht në kryeqytet. Mund t’ju konfirmoj deri në këto momente që është ushtruar kontroll pikërisht në banesën e biznesmenit Rony Yeffet, në fshatin Pëllumbas, në periferi të Tiranës, në një banesë që ai e shfrytëzonte, ku janë kryer kontrolle. Ka pasur, krahas kontrollit të banesës, edhe vendim për kontrollin personal të biznesmenit, ku janë sekuestruar dokumente. Është parë e nevojshme të thirret edhe një përkthyes gjatë veprimit procedural dhe hetimor për gjetjen e provës”, tha Ferhati
Ai shtoi se gjatë kontrollit është gjetur edhe një armë zjarri, e cila rezultonte me leje. “Po ashtu është sekuestruar edhe një armë zjarri, por me leje, sipas informacioneve, e biznesmenit Rony Yeffet, i cili me sa duket është ndër personat për të cilët SPAK ka krijuar dyshime të arsyeshme. Kontrolle janë ushtruar, edhe tek kompania KAYO, kryesisht për sekuestrim dokumentacioni lidhur me procedurat që janë ndjekur, kryesisht sa i takon tenderave dhe kompanive që ndërlidhen me KAYO në çështjet e biznesit të kësaj industrie të mbrojtjes, siç janë TIMAK, TIMAK Defense e të tjera”, tha ai.
Gazetari sqaroi gjithashtu se, sipas verifikimeve të tij, drejtorit të KAYO-s, Ardi Veliu, nuk i është sekuestruar telefoni celular.
“Nuk i është sekuestruar aparati celular drejtorit të ndërmarrjes apo kompanisë shtetërore KAYO, zotit Ardi Veliu. Unë kam komunikuar para pak minutash me zotin Veliu. Pikërisht kam kërkuar të marr edhe versionin e tij lidhur me lajmet që kam parë, sepse SPAK ka qenë hermetik dhe zyrtarisht sot nuk kemi marrë asnjë përgjigje lidhur me këtë operacion apo hetim nga Prokuroria e Posaçme.
Nuk i ishte sekuestruar aparati celular, jo vetëm për faktin që unë komunikova në telefon me numrin që ai disponon prej vitesh, që në kohën kur ka qenë drejtues i Policisë së Shtetit, por nga ana tjetër zoti Veliu, në një lloj mënyre, e përjashtoi edhe veten e tij nga gjithë kjo histori”, tha Ferhati.
Gazetari Eni Ferhati tha se hetimi dyshohet se ka nisur mbi bazën e materialeve dhe pretendimeve të bëra publike nga ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj. “Prokuroria e Posaçme ka nisur hetimet kryesisht mbi bazën e një kallëzimi nga rrethi i Arben Ahmetajt. Por mbetet për t’u parë se si do të jenë zhvillimet në vijim. Me shumë gjasa do të kemi persona të cilët do të thirren dhe do të pyeten në Prokurorinë e Posaçme, qoftë si persona në dijeni, apo ndoshta ndaj tyre mund të ndryshojë edhe pozita procedurale, mund të jenë persona në hetim“, tha gazetari Ferhati.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.