Ghalibaf sfidon pretendimin e SHBA-së për Hormuzin: “Nafta është 35 dollarë më lart se para luftës”
Kryetari i parlamentit iranian dhe një nga negociatorët kryesorë të Teheranit, Mohammad Bagher Ghalibaf, e ka hedhur poshtë narrativën amerikane se Shtetet e Bashkuara ia kanë marrë Iranit kontrollin e Ngushticës së Hormuzit, duke e cituar çmimin e naftës si “provë” se tregjet nuk e besojnë versionin e Uashingtonit, siç njofton Al Jazeera në transmetimin e saj live për luftën e Iranit.
Në një postim në X, shkruar në anglisht, Ghalibaf shkroi: “Byroja e mashtrimit të SHBA-së thotë se Irani nuk e kontrollon Ngushticën e Hormuzit, por nafta qëndron shumë mbi çmimin e para-luftës, duke u tregtuar 35 dollarë për fuçi më shtrenjtë se para luftës SHBA–Izrael kundër Iranit.” Më tej ai shtoi: “Ose tregu është budalla, ose makina e dezinformimit të SHBA-së po sajon.”
Ghalibaf bëri shaka duke shkruar se në Hormuz ekzistonte një “bankomat me dollarë falas për besimtarët” e versionit amerikan, duke i sfiduar të shkojnë e t’i marrin. Deklarata e tij vjen në përgjigje të pretendimeve të vazhdueshme të Presidentit Donald Trump dhe administratës së tij se SHBA-ja ka “kontroll të plotë” të ngushticës dhe se po kalojnë sasi rekord nafte përmes saj.

Ditën e sotme, sekretari amerikan i Thesarit Scott Bessent deklaroi se përmes ngushticës kalojnë mesatarisht 15 deri në 22 milionë fuçi naftë në ditë, afër nivelit prej rreth 20 milionë fuçish të para luftës, ndërsa Trump pohoi se mbrëmë u transportua “sasi rekord” nafte. Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi ka deklaruar se Teherani po pret përgjigjen “përcaktuese” të SHBA-së përmes ndërmjetësve dhe se vetëm një zgjidhje e negociuar mund ta nxjerrë konfliktin nga ngërçi.
Ngushtica e Hormuzit, përmes së cilës kalonte rreth një e pesta e furnizimeve botërore me naftë para luftës, ka mbetur arma kryesore negociuese e Teheranit, ndërsa SHBA-ja ka vendosur një bllokadë ekonomike të porteve iraniane për t’i bërë presion Iranit që t’i ndalë sulmet ndaj anijeve.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.