GJELOSHAJ: MALI I ZI DREJT BE-së, NUK KA ALTERNATIVË
Foto: Kuvendi i Malit të Zi / Skupština Crne Gore
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, njëherësh kreu i Forumit Shqiptar, Nik Gjeloshaj, ka reaguar ndaj glorifikimit të kriminelit të dënuar të luftës, Ratko Mlladiq, duke theksuar se qëndrimet ndaj krimeve të luftës tregojnë vlerat mbi të cilat ndërtohet Mali i Zi.
Gjeloshaj tha se për Forumin Shqiptar nuk ka dilemë për drejtimin që duhet të ndjekë vendi, duke e cilësuar atë si evropian, qytetar dhe euroatlantik.
“Për Forumin Shqiptar dilema nuk ka: drejtimi ynë është një Mal i Zi evropian, qytetar dhe euroatlantik. Pa relativizim të krimeve të luftës dhe pa politika që na kthejnë prapa”, tha Gjeloshaj.
Ai theksoi se, ndërsa disa zgjedhin tema dhe mesazhe që dëmtojnë marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, thellojnë përçarjet dhe synojnë komunitetet pakicë dhe përfaqësuesit e tyre politikë, Forumi Shqiptar zgjedh integrimin evropian dhe rezultatet konkrete.
Gjeloshaj vuri në dukje gjithashtu kontributin e ministrave nga radhët e këtij subjekti në procesin e integrimit evropian, duke deklaruar se ata kanë mbyllur pothuajse gjysmën e kapitujve negociues të përfunduar nga Qeveria e 44-të.
“Bashkimi Evropian nuk ka alternativë. Nuk do të lejojmë që askush ta ndalë apo ta ngadalësojë rrugën evropiane të Malit të Zi”, u shpreh Gjeloshaj.
Sipas tij, Mali i Zi ndodhet përpara një mundësie historike për t’u bërë vendi i ardhshëm anëtar i Bashkimit Evropian.
“Do ta shfrytëzojmë këtë mundësi. Shkojmë drejt BE-së dhe do t’ia dalim”, deklaroi Gjeloshaj.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.