Gjon Mili Jazz&Blues Festival në edicionin e pestë tek Amfiteatri i Liqenit Artificial
Me hyrje të lirë, festivali solli në një mbrëmje të vetme tre projekte artistike ndërkombëtare që bashkojnë muzikantë nga Italia, Austria, Gjermania, Greqia, Polonia dhe Bosnja e Hercegovina, së bashku me disa prej emrave më të njohur të skenës shqiptare të Jazz-it.
Me hapjen e programit, publiku pati mundësinë të dëgjojë për herë të parë në Shqipëri saksofonisten dhe kompozitoren austriake Yvonne Moriel, fituese e Austrian Jazz Award 2024 në kategorinë Best Newcomer.
Një nga emrat më premtues të skenës së re evropiane të xhazit, Moriel sjell një muzikë që ndërthur xhazin bashkëkohor, improvizimin dhe elemente elektronike.
Në këtë koncert ajo u shoqërua në piano dhe tastierë nga Gent Rushi, pianist xhaz, kompozitor, aranzhues dhe një nga figurat më të rëndësishme të zhvillimit të xhazit shqiptar, ndërsa në bateri, Besjan Herri, një nga instrumentistët më aktivë të brezit të ri shqiptar.
Së bashku ata prezantuan një repertor me kompozime origjinale nga Moriel dhe Rushi që krijojnë një dialog artistik mes skenës austriake dhe asaj shqiptare të Jazz-it.
Më pas u ngjit në skenë Gert Kapo Quartet, projekti i pianistit dhe kompozitorit shqiptaro-gjerman Gert Kapo, i cili prej vitesh ndërton një gjuhë muzikore ku traditat ballkanike, ritmet orientale dhe xhazi bashkëkohor bashkohen në një tingull origjinal. Muzika e tij ndërthur motive tradicionale, improvizimin modern, ndikime nga World Music, funk, latin dhe ritmet mesdhetare, duke krijuar një univers tingullor plot ngjyra dhe identitet. Ai shoqërohet nga: Epaminondas Ladas (Greqi) në kitarë dhe oud me një tingull të rafinuar dhe thellësisht mesdhetar; Armin Alic (Gjermani/Bosnjë dhe Hercegovinë) basist me përvojë të gjatë në World Music, Blues dhe Jazz; Mirek Pyschny (Poloni) në bateri, i cili lëviz me natyrshmëri mes Jazz-it, World Music, Hip-Hop. Koncerti premton një udhëtim muzikor ku Ballkani, Mesdheu dhe Evropa bashkëkohore dialogojnë natyrshëm përmes improvizimit dhe krijimtarisë.
Mbrëmja vijoi me Pierpaolo Petta & Andi Kongo Trio (Itali–Shqipëri). Fizarmonicisti dhe kompozitori arbëresh Pierpaolo Petta ka performuar në skena prestigjioze në Itali dhe jashtë saj, ndërsa krijimtaria e tij përfshin albume, kolona zanore dhe botime kushtuar muzikës arbëreshe. Petta u shoqërua nga: Andi Kongo, pianist xhaz, kompozitor dhe aranzhues që ndërthur xhazin bashkëkohor me traditën muzikore shqiptare; Arbin Alimeri, një nga basistët me aktivitet prej më shumë se tre dekadash në skenën e Jazz-it, World Music dhe muzikës tradicionale shqiptare; si dhe Emiljan Dhimo, një nga bateristët më aktivë të Jazz-it bashkëkohor shqiptar, i njohur për ndërthurjen e estetikës së xhazit evropian me ritmet dhe ngjyrimet muzikore ballkanike. Së bashku ata do të interpretojnë një repertor me këngë popullore shqiptare dhe arbëreshe, të ripërpunuara në stilin xhaz, duke krijuar një dialog mes trashëgimisë kulturore të dy brigjeve të Mesdheut dhe improvizimit bashkëkohor.
Edicioni i pestë i Gjon Mili Jazz & Blues Festival u moderua nga artisti Stenaldo Mëhilli.
Zhvillimi i këtij festivali konfirmoi edhe një herë misionin e tij për të sjellë në Tiranë artistë të nivelit ndërkombëtar, për të promovuar bashkëpunimet mes muzikantëve shqiptarë dhe atyre evropianë, si dhe për të krijuar ura të reja dialogu përmes gjuhës universale të xhazit.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.