Gjykata miratoi lirinë për drejtorin e Rokšpedit: Perić jep garanci 1.224.500 euro në pasuri të paluajtshme
Gjykata e Lartë në Podgoricë pranoi propozimin e mbrojtjes që ish-drejtori i kompanisë “Rokšped”, Prokopije Perić, i akuzuar për kontrabandë cigaresh, të mbrohet në liri gjatë procesit gjyqësor, me kushtin e garancisë prej 1.224.500 eurosh të ofruara në pasuri të paluajtshme, siç njofton portali “Dan”.
Vendimin e ka konfirmuar për Portalin ETV Marija Milovanović, këshilltare e pavarur për marrëdhënie me publikun në Gjykatën e Lartë. Sipas saj, aktvendimi nuk ka marrë formë të prerë, sepse Prokuroria Speciale e Shtetit ka paraqitur ankesë kundër tij.
Sipas aktakuzës, Perić akuzohet se ka qenë anëtar i grupit që dyshohet se e krijuan ish-zyrtari i Agjencisë për Siguri Kombëtare, Duško Golubović, dhe pronari i Auto-qendrës “Rokšped”, Sanader Stanaj, i cili ndodhet në arrati.
Golubović dhe Stanaj akuzohen se kanë qenë në krye të grupit që, me kontrabandën e cigareve gjatë viteve 2020 dhe 2021, i kanë shkaktuar shtetit dëm prej të paktën 18.260.352 eurosh.
Përveç Perićit, Golubovićit dhe Stanajt, në aktakuzë përfshihen edhe Andrija Petanović, Mileta Simanić, Dejan Milić, Radoje Dakić, Adnan Suković, Predrag Madžgalj, Ivan Turčinović dhe vëllai i Stanajt, Nuo Stanaj.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.