Vatër e ndezur – vepër e çmuar për Kosovën martire

Shkrimtari Ylli Radovicka nuk arriti t’i gëzohej rënies së diktaturës për të parë të botuar romanin e tij në dorëshkrim: VATËR E NDEZUR, që e kishte përfunduar në vitin 1970. Ndërroi jetë në 1990 në pragun e fitores mbi fantazmën e komunizmit “shpëtimtar”. Vetëm pas tre dekadash që vepra flinte në sirtar, u bë e mundur që ajo të botohej nën kujdesin e të birit, inxhinierit dhe piktorit Ardian Radovicka.
Në këtë roman prej dy vëllimesh autori pasqyron ngjarjet e vitit të fundit të Luftës së Dytë Botërore. Shqipëria u çlirua. Brigadat shqiptare ndoqën hordhitë naziste në Kosovë dhe vazhduan marshimin e tyre fitimtar në trojet e Jugosllavisë bashkë me formacionet luftarake të Jugosllavisë. Se çfarë ndodhi në atë vit aq shpresëdhënës për të gëzuar lirinë e fituar me gjak, shkrimtari, si me daltë skulptori realist, gdhend panoramën e Kosovës martire.
Padrejtësisht Fuqitë e Mëdha, kur Rusia mundi Osmanët në 1978, Kosovën ia dhuruan si trofe lufte Serbisë kur ajo ishte truall i pushtuar nga Perandoria Osmane. Në shekuj të shekujve Kosova ishte tokë shqiptare. Nga pushtuesit barbarë osmanë Kosova ra në duart e klikës mizore serbe, duke përjetuar dënime të rënda, vrasje, tortura dhe dëbime masive vetëm e vetëm sepse më shumë se jetën donin lirinë. Ishin ngjarjet e Luftës së Dytë Botërore një shpresë e ëndërruar që populli i Kosovës e mbështeti me sa mundësi dhe fuqi kishte për t’u bashkuar me Koalicionin Antifashist, duke krijuar jo vetëm brigadat partizane me luftëtarët e saj, por duke rreshtuar djemtë e saj trima edhe në brigadat shqiptare e ato jugosllave. Kjo pjesëmarrje kaq masive e popullit të Kosovës kundër bishës pushtuese naziste natyrshëm rigjallëroi dëshirën dhe ëndrrën e tyre për të jetuar të lirë në trojet e veta. A do të mirëkuptohej dhe mirëpritej kjo ëndërr e bukur e kosovarëve prej Serbisë?! Edhe pse me të madhe komunistët jugosllavë dhe udhëheqësi i tyre Josif Broz Tito kishte shpallur Bratstvo-Jedinstvo (Vëllazëri-Barazi), pra që në Jugosllavi nuk kishte për të vazhduar më persekutimi dhe përbuzja e nacionaliteteve të tjera, kosovarët që kishin provuar në kurrizin e tyre shtypjen dhe persekutimet politike, kishin të drejtë të mos u besonin fjalëve të bukura të politikanëve serbë. Këtë realitet ka ngritur në art shkrimtari Ylli Radovicka. Në qendër të romanit ka vënë familjet e patriotit Adem Shkaba. Me të gjashtë djemtë dhe vajzën e tij ai ishte një nga familjet e shumta të lidhura shpirtërisht dhe fizikisht me luftën për liri. Djali i tij, Azem Shkaba, kishte gradën kapiten në brigadën kosovare. Djali tjetër, Asimi, ishte toger dhe nënkomandant i qytetit në ushtrinë serbe. Tre djem të tjerë po partizanë në Brigadën e Tretë Sulmuese shqiptare. Vetëm më i vogli i djemve, që ishte shëndetlig, ndenji në shtëpi. Edhe pse me këtë kontribut të madh për lirinë e shumëpritur, plaku i heshtur dhe i urtë Adem Shkaba kishte dyshime për Bratstvo-Jedinstvo-n e Titos. Kur Meti, djali i tij partizan, ishte entuziast për sa thuhej për lirinë, Ademi iu gjegj: “E duen kosovarët fort, si nuk e duen me tanë shpirt lirinë e të drejtën, or bir, veç duhet me dijtë edhe shka thojnë e duen me ba edhe shkijet se a e lishojnë ata me vetdashje, qi të bahet në vete fusha e gjanë si deti e Kosovës dhe Pllaja e Rrafshit të Dukagjinit se? Nji ksaj pyetje, vetun nji ksaj a mundesh me i gjegje ti, or Met?” Kësaj pyetje iu përgjigj autori në kapitujt e shumtë të romanit prej dy vëllimesh. Që t’i prisnin hovin kosovarëve të etur për liri, që t’i gjunjëzonin sërish, përmes shërbimit sekret të OZNA-s, që merrte udhëzime nga udhëheqja komuniste e Jugosllavisë, për t’i mbajtur sa më larg nga Kosmeti brigadat e partizanëve të Shqipërisë, ata prunë në Kosovë 3 brigadat serbo-malazeze. Ndërsa armiku nazifashist vazhdonte të ndiqej këmbë këmbës, ushtarët serbo-malazezë, të veshur si çetnikë, bënin raprezalje. Pushkatuan 17 të rinj në Istok. Trupat e tyre i lanë mbi dëborë. Nuk i lejuan familjet t’i tërhiqnin për t’i varrosur. Kërkonin partizanët kosovarë të brigadave shqiptare gjoja për t’i pyetur dhe menjëherë i pushkatonin. I riu Liman R., vetëm pse mbante flamurin shqiptar, e pushkatuan. Ahmet Shkabën, partizan i Brigadës së III Sulmuese, që në ditarin e tij kishte shkruar mbresat nga konferenca historike e Bujanit… “Përfytyroja Kosovën e çliruar krejtësisht, popullin në festë e flamurin e Skënderbeut tek rrihte palët në mes të shesheve të qyteteve tona…” Si shpërblim serbët, kur ishte me leje disa ditë në shtëpi, e arrestuan dhe e pushkatuan pa gjykuar. Në një kapitull tjetër mësojmë se “çetnikët” në një pyll te çdo pemë kishin lidhur këmbë e duar me tela me gjemba gra e fëmijë, po edhe ndonjë plak për të pasur një fund sa më të “lehtë”. Derisa vijmë te kreu kur një oficer serb hyri në një shtëpi. Vrau të dy burrat që gjeti, mbylli në dhomë nusen e bukur, ku ndodhi e papritura. Me pistoletë dhe thikë në dorën tjetër, pa i luajtur qerpiku, ajo u tha armiqve: Merreni komandantin tuaj! Kujtoi se ishin serbë ata që i erdhën në shtëpi, kur kishin qenë partizanë kosovarë. Nga ai çast Nexhmia doli partizane. Po akti më mizor, më tragjik përshkruhet në fund të këtij romani. Është rrëfimi i togerit malazias Jovan Milanoviç, efektiv i OZNA-s, po që e kishin torturuar për vdekje, meqë ishte treguar njerëzor. Në qelinë e errët, në grahmat e fundit të jetës, i tregoi Adem Shkabës se si OZNA kishte marrë 1200 rekrutë kosovarë dhe i nisi në një marshim të gjatë, duke u futur edhe në territorin shqiptar e pastaj shkuan deri afër Tivarit. Të pangrënë, të drobitur e raskapitur i vranë të gjithë. Malaziasi mundi të shpëtonte vetëm 36 rekrutë, që i dorëzoi te forcat malazeze.
Në roman gjejmë një galeri portretesh si pozitivë dhe negativë, të gjithë krejt të ndryshëm nga njëri-tjetri. Jo aq përmes përshkrimit, sa prej dialogëve, Ylli Radovicka skalit secilin prej tyre. Azem Shkaba trim. Batalioni i tij refuzoi të dorëzonte armët pikërisht kur Kosova qe çliruar. Si ai dhe të gjithë të tjerët e dinin se ç’i priste, po nuk u dorëzuan. Ashtu, të rrethuar në Drenicë, vendosën të vdisnin dhe jo të dorëzoheshin. Në ato çaste dramatike dhe tragjike, komandanti i batalionit, Sheqet Pashtriku, i tha Azemit të çante rrethimin. Ai duhet të jetonte. Kosovës do t’i duheshin trimat si ai. Në atë ngujim për lirinë, ra dëshmore edhe partizania trime Nexhmie. Në tërë romanin fund e krye shpaloset figura e Asim Shkabës. I zgjuar, i heshtur, i përmbajtur. Ai edhe pse në strofkullën e armikut, diti të mos binte në kurthet e OZNA-s derisa një ditë e larguan nga ushtria. E ngarkuan të ishte mësues, madje e zgjodhën edhe sekretar partie për arsimin, me shpresën se do të binte në lakun e tyre. Po ai ishte i pathyeshëm. E spikatur është edhe figura e mësuesit Qerim Vllasani. I përmbajtur, i gatshëm për të sakrifikuar për Kosovën. Përfundoi në burg, sepse në bibliotekë i gjetën librat e Naimit dhe Nolit?! Ndërsa Adem Shkabën e prangosën pse mbante si kujtim revolverin e djalit të tij dëshmor, që ia kishin dhuruar partizanët shqiptarë. Kontributi i tij për luftën: 5 partizanë, nga të cilët një dëshmor nga radhët e Brigadës së III Sulmuese dhe tjetri i vrarë nga serbët pse i gëzohej flamurit të Skënderbeut.
Me respekt dhe ndjenjën e masës shkrimtari Ylli Radovicka na ka dhënë portretet e partizanëve shqiptarë, kryesisht të komandantëve të tyre. Kanë ditur të mbajnë ekuilibrin si me popullin e Kosovës, po dhe me jugosllavët. Edhe pse, jo në pak raste, u njoftuan për krimet e serbëve, ata u treguan të matur, sepse partitë komuniste të Shqipërisë dhe të Jugosllavisë kishin marrëdhënie shumë vëllazërore. Madje Miladin Popoviçi dhe Dushan Mugosha kishin ndihmuar shqiptarët për organizimin e partisë së tyre. Figurë e dashur është komandanti Lam Kita. I saktë, i sjellshëm dhe i zgjuar. Po ashtu edhe Ejup Destani si përfaqësues i partisë nga Shqipëria e vjetër, siç thoshin kosovarët. Mbresa të lë edhe maturia dhe zgjuarsia e komisarit të Divizionit Shqiptar. Edhe pse vetëm 20 vjeç, paraqitet tejet i zgjuar, i kursyer dhe i saktë në arsyetimet e tij.
Shkrimtari ka ditur me shumë aftësi që përmes veprimeve të komandantëve të çdo rangu dhe njësie të ushtrisë jugosllave të na bëjë të qartë dhe të na bindë me fakte se si nga një anë ata propagandonin Vëllazërim dhe Bashkim, nga ana tjetër, në mënyrë të heshtur dhe fshehurazi, vazhdonin politikën e vjetër të persekutimeve të shtetasve të tyre vetëm pse ishin shqiptarë (me përbuzje i quanin shiftarë). Na vizatohet portreti i gjeneral Marko Rankoviçit, numri dy i Partisë Komuniste të Jugosllavisë dhe ministër i brendshëm. Në bisedën me Dushan Mugoshën ai tha: “Shkëputja e Kosovës, (megjithëse sa të jemi në krye) këtë s’do ta lejojmë kurrën e kurrës) do ta zvogëlonte shumë Serbinë tonë nënë, Dushane. Nga kjo do të përfitonin vetëm Hratët”. Ushtarakë të tjerë të urryer janë edhe Bllazho Jeremiçi i OZNA-s, Koça Andriçi, komandant i Divizionit të 46 Serbo-Malazez, komisari Dragan Markoviç si dhe major Todori i OZNA-s. Ylli Radovicka, duke i qëndruar besnik të vërtetave historike, ka ditur të sitë mirë personazhet e kampit të ushtrisë jugosllave. Nuk i ka futur të gjithë në një thes. Midis tyre, si internacionalist i ndershëm, si luftëtar që ishte me të vërtetë për Barazi e Vëllazëri, na pikturon Miladin Popoviçin.
Edhe pse sekretar i partisë për atë zonë, ai nuk informohej për veprimet e OZNA-s. Krimet e tyre i motivonin se janë duke arrestuar dhe gjykuar armiqtë që iu kundërvunë luftës çlirimtare, armiqtë që bashkëpunuan me pushtuesit. Ndërkohë, nga të dhënat indirekte, ai u bind se ishte duke vijuar politika e vjetër e vrasjeve dhe poshtërimit të popullsisë shqiptare të Kosmetit. Nuk mund ta pranonte këtë. Mendimin e tij e shfaqi hapur. Po kush pyeste vallë? Edhe për sa kohë kishin për ta duruar atë njeri që i donte kaq shumë shqiptarët, këta armiq të Serbisë? Jeremiçi e hartoi planin. U gjet një shqiptar, që në hyrje të zyrës së sekretarit, u paraqit si mësues filani, pa qenë i tillë. Një mësues që Miladini e njihte. Dhe krisi arma. Internacionalisti u vra. OZNA shpëtoi nga një ferr që i ngatërrohej nëpërkëmbë?! Sa për Dushan Mugoshën, që gjithashtu i donte shqiptarët, nuk mund të thuhen të njëjtat fjalë. Ai u thye. Iu bind urdhrave. Ishte ai që deklaroi (pa u bërë mbledhja) se Këshilli Nacional Çlirimtar i Krahinës së Kosovës kërkoi bashkimin e krahinës me nënën Serbi?!
Lexuesi nuk mund të harrojë qëndrimin stoik të oficerit malazias Ivan Vujoviç. Ai drejtonte grupin e pararojës të rekrutëve kosovarë. Duke i parë të raskapitur e drobitur, të pangrënë dhe të pagjumë, oficeri njerëzor i la ata të pushonin pak te shtëpitë e malësorëve. Për këtë veprim nënkolonel Bllazho Jeremiçi e çarmatosi. Me një “gjyq” ushtarak prej tre vetësh, e dënoi me ekzekutim. Ivanit trim nuk iu tremb syri fare, po i tha eprorit të vet: “Unë s’jam kriminel e as shtazë pylli që të dënoj të pafajshmit e paarmatosur, që i ka lodhur rruga e i ka këputur uria! Mos harro se unë s’jam as gjykatës e as polic, po ushtarak, Jeremiç!” Për të vazhduar më pas dialogun: “Po të ishte koha e pushtetit të vjetër e ne të ishim oficerët e tij gjithçka mund të lejohej e të ndodhte në kurriz të shqiptarëve, po tani, në ditët e para të pasçlirimit, kur udhëhiqemi nga Partia Komuniste e Mareshalli Tito, kur botën e vjetër po e përmbysim që nga themeli, të vazhdosh të përpiqesh prapë për të realizuar qëllimet e vjetra, kjo është krejt e padrejtë pra, është e tmerrshme, thuaj më mirë.”
Vendimi për Kosovën ishte marrë në heshtje. Të vriteshin sa më shumë të rinj shqiptarë. Dhe, dhe, përveç Kosovës, këta oficerë të besuar të Marshallit Tito e shprehnin hapur se së shpejti edhe Shqipëria do të ishte pjesë e Konfederatës së tyre Ballkanike për të vijuar me Bullgarinë e në fund me Greqinë… Do të realizohej ëndrra e Serbisë së Madhe!
Në 526 faqe ky roman me personazhe të pafund, me shumë të papritura dhe ankthe, me shumë vërtetësi historike, ka trajtuar me mjeshtëri një vit të tërë kalendarik ku tërë krahina e Kosmetit nga pushtimi nazist nuk u la të përjetonte për as dhe një çast lirinë aq të dëshiruar. Çizmja e rëndë e pushtetit të ri me mendësi të vjetër e përgjaku, e drobiti, e terrorizoi. Ylli Radovicka ka meritën që atë realitet na e transmeton artistikisht pa rënë në fotografizëm, po duke ruajtur sensin e masës dhe të së vërtetës për ngjarjet dhe personazhet e asaj skene të madhe ku luhej fati i një populli të cilit i ishte mohuar e nëpërkëmbur liria. Romani shquhet për një gjuhë të pastër. Me ndjenjën e masës shkrimtari, sidomos në dialogët e pleqve të urtë e të matur, ka ditur me mjeshtëri të na japë edhe të folurën e trevës së Kosovës. Veprën e tij e ka pasuruar shumë me thëniet e urta, duke i përdorur jo vetëm në të folurën e heronjve, po edhe duke shkruar në fund të çdo kreu një prej tyre. “Ma trim se i drejti nuk ka”, “Nji nieri qi ka frikë dhe kur ka të drejtë, nuk fiton.”, “I ligi të damton tinës e kënaqet ashiqare.”, “S’ta ban armiku, ça të ban miku.”, “Sa asht besa, asht rrnesa!”, “E mira s’ka tavan, e liga s’ka taban”…
Materialin për këtë vepër madhore shkrimtari e ka mbledhur, duke përdorur burimet arkivore dhe shtypin e asaj kohe. Veçanërisht e ka ndihmuar njohja me kosovarët që mundën të kalonin kufirin e Jugosllavisë për të ardhur në Shqipërinë e vjetër. I ka takuar në Durrës dhe Fier e kudo që dikush kishte jetuar në Kosmet në vitin e pragfitores dhe pragripushtimit. Po çfarë nuk ka mundur Ylli Radovicka të përfshinte në veprën e tij dinjitoze? Për t’i dhënë përgjigje kësaj mjafton të themi se ati i tij, Islam Radovicka, u pushkatua nga diktatura komuniste me grupin e deputetëve “tradhtarë”. Familja e tij dhe ai provuan internimin dhe mënjanimin, megjithatë nuk i reshtën përpjekjet për të ecur përpara. Ylli mbaroi Fakultetin për Gjuhë dhe Letërsi Shqipe. Megjithëse njohës i disa gjuhëve të huaja dhe njeri i penës, e emëruan mësues në Shijak. Si shkrimtar ai i mirëdinte rregullat e ngurta të letërsisë së realizmit socialist ku kritika edhe më e pakët për qëndrimet ose mosqëndrimet e gabuara të Partisë Komuniste (PPSH) dhe udhëheqësit të saj, të çonin direkt në burg ose dhe në pushkatim. Prandaj Ylli Radovicka nuk mund të shkruante qoftë dhe një kapitull për heshtjen e Tiranës, lexo të Enver Hoxhës, për vrasjet që ndodhnin në Kosmet për të cilat edhe komisari i Divizionit të Shqipërisë ishte i informuar, madje i kërkoi takim sekretarit të Komitetit të Partisë të Krahinës.
Shkrimtari u nda nga gjiri i familjes në moshën 60-vjeçare. Nuk arriti të shijonte fundin e diktaturës gjakatare komuniste. Edhe pse, për arsye nga më të ndryshmet, dorëshkrimi i mbaruar flinte në sirtar që më 1970, po të jetonte autori, kishte mundësi për ta plotësuar dhe pasuruar, duke vënë në tehun e penës së tij heshtjen ose më saktë tradhtinë e Enver Hoxhës që nuk pipëtiu për ç’po ndodhte në Kosovën martire.
VATËR E NDEZUR e Ylli Radovickës është një vepër e rrallë me shumë vlera për një temë aq madhore që i ka munguar letërsisë sonë.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.