Gjyqtari federal: Ndalimi i Trump për CNN, MS NOW dhe Politico ka gjasa shkel Amendamentin e Parë
Një gjyqtar federal vendosi të martën, më 13 tetor, se administrata e presidentit Donald Trump duhet t’u lejojë CNN, MS NOW dhe Politico të hyjnë sërish në Shtëpinë e Bardhë, për aq kohë sa padia e tyre kundër ndalimit të shtypit mbetet në gjykim.
Vendimi u dha nga gjyqtari i distriktit Tim Kelly, i cili, siç njofton CNN, arriti në përfundimin se ndalimi ka gjasa të shkelë Amendamentin e Parë të Kushtetutës amerikane. Sipas tij, masa përbën diskriminim të bazuar në pikëpamje, një arsyetim që shkon më tej se ai i mëparshmi, i cili ishte mbështetur kryesisht te e drejta për proces të rregullt ligjor.
Kelly, i emëruar në detyrë nga vetë Trump gjatë mandatit të tij të parë, vuri në dukje se deklaratat e vetë presidentit për ndalimin tregojnë një lidhje të drejtpërdrejtë mes mënyrës së raportimit të këtyre mediave dhe heqjes së kredencialeve të tyre të përhershme të aksesit, të njohura si hard passes.
Gjyqtari hodhi poshtë edhe argumentin e Departamentit të Drejtësisë, sipas të cilit masa lidhej me sigurinë kombëtare, duke theksuar se nuk kishte prova që siguria të kishte qenë motivi i vërtetë. Trump e shpalli ndalimin më 18 shtator dhe e ka mbrojtur publikisht, duke e përshkruar raportimin e mediave të prekura si negativ ose të njëanshëm.
Urdhri i mëparshëm i Kelly-t skadonte pikërisht të martën, ndaj vendimi i ri mban në fuqi aksesin e gazetarëve dhe njëkohësisht i hap rrugën administratës për ta apeluar çështjen në një gjykatë më të lartë. Gjatë seancës së të enjtes së kaluar, gjyqtari ishte shfaqur skeptik ndaj shpjegimeve të ndryshme që kishin dhënë Trump dhe avokatët e qeverisë për arsyet e ndalimit.
Nga ana e tyre, organizatat mediatike argumentojnë se përjashtimi nga Shtëpia e Bardhë u ka dëmtuar mbulimin e përditshëm të zhvillimeve dhe ka krijuar efekt frikësues edhe te media të tjera, të cilat mund të hezitojnë të raportojnë në mënyrë kritike nga frika e një mase të ngjashme.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.