Hijet e një uniforme policore
Të mitur që pretendojnë se janë dhunuar nga policia, qytetarë që denoncojnë shoqërime arbitrare nga efektivë pa numra identifikimi dhe persona të mbajtur në ambiente ku detyroheshin të flinin në dysheme. Këto nuk janë vetëm dëshmi dhe pamje të transmetuara gjatë protestave të tetorit, por edhe gjetje të dokumentuara nga Avokati i Popullit.
Në vetëm 72 orë monitorim, institucioni evidentoi 214 persona të privuar nga liria, ndërsa për 26 prej tyre pasqyroi në procesverbale pretendime për dhunë dhe shenja fizike të konstatuara. Në monitorimet e mëvonshme, pesë nga tetë të miturit e mbajtur në Komisariatin nr. 1 në Tiranë pretenduan se ishin dhunuar fizikisht dhe verbalisht, ndërsa dy prej tyre kishin shenja dëmtimesh.
Të mitur të marrë në pyetje pa prindin apo psikologun, efektivë pa numra identifikimi, pretendime për kontrolle të telefonave celularë dhe ambiente ku numri i të shoqëruarve tejkalonte ndjeshëm kapacitetin. Këto janë disa nga gjetjet që hedhin dritë mbi mënyrën se si policia veproi gjatë protestave.
Ndërkohë, dhjetëra kallëzime penale janë depozituar në Prokurorinë e Tiranës nga protestues të dëmtuar dhe familjarët e tyre. Mbi 180 episode të dyshuara të shkeljeve policore janë përfshirë gjithashtu në një kallëzim të depozituar në Prokurorinë e Posaçme.
Denoncimet e përsëritura, ankesat e depozituara në strukturat e mbikëqyrjes policore dhe kritikat e Komisionit Evropian dëshmojnë se rastet e dhunës dhe tejkalimit të kompetencave nuk janë episode të izoluara. Ato evidentojnë mangësi në trajnimin e efektivëve, por edhe në mekanizmat e kontrollit, llogaridhënies dhe ndëshkimit të shkeljeve, duke krijuar një klimë ku abuzimi me autoritetin policor përsëritet pa pasoja të dukshme për përgjegjësit.
Kur dhuna vesh uniformën e Policisë së Shtetit

Në ditën e katërt të protestave, përballë Ministrisë së Arsimit, Muhamet Skana, vetëm 21 vjeç, qëndronte përballë kordonit policor. I veshur me pantallona sportive gri dhe një bluzë të errët me kapuç, me duart të lëshuara anash trupit, i riu nuk dukej se përbënte ndonjë kërcënim për efektivët që qëndronin përballë protestuesve.
Pamjet filmike, që brenda pak minutash u shpërndanë në rrjetet sociale, tregojnë se një efektiv shkëputet nga kordoni policor, vrapon drejt 21-vjeçarit dhe e godet me mburojë. Goditja e përplas të riun me kokë në asfalt.
Sipas kallëzimit të depozituar në prokurori, familjarët dëshmojnë se, pasi e rrëzuan në tokë, efektivët e goditën edhe me shkopinj gome. Ata pretendojnë se goditjet i shkaktuan dëmtime në kafkë dhe krisje në shtyllën kurrizore, por se, pavarësisht gjendjes së tij, i riu nuk u dërgua menjëherë në Spitalin e Traumës.
Për rreth tri orë, Ardi qëndroi në ambientet e policisë dhe, sipas familjarëve, ndihma mjekësore u kërkua vetëm pas ndërhyrjes së tyre.
Dokumentet mjekësore tregojnë se i riu kishte pësuar frakturë në kafkë dhe në vertebrën e tretë, dëmtime muskulore dhe hematoma në trup dhe se Ardi nuk kujtonte se çfarë kishte ndodhur gjatë përplasjes me efektivin, si pasojë e humbjes së përkohshme të kujtesës. Edhe pasi gjendja e tij u stabilizua dhe mjekët vlerësuan se rreziku për jetën kishte kaluar, ai nuk mund të ecte normalisht për shkak të dëmtimeve të pësuara.
Pamjet e goditjes u kthyen në një nga episodet më të komentuara të protestave të tetorit. Prokuroria dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore nisën hetimet. Ministri Ervin Demo njoftoi pezullimin nga detyra të efektivit që kishte goditur të riun.
Ky nuk është i vetmi denoncim i paraqitur pas protestave. Dhjetëra kallëzime penale individuale janë depozituar në Prokurorinë e Tiranës nga protestues të dëmtuar ose familjarët e tyre. Ndërkohë, në kallëzimet e depozituara në Prokurorinë e Posaçme janë përfshirë mbi 180 episode të dyshuara të dhunës dhe shkeljeve policore.
Kallëzimet kërkojnë hetimin e efektivëve të dyshuar, por edhe të zinxhirit komandues, për të përcaktuar nëse përgjegjësia kufizohet te personat që shfaqen në pamje apo shtrihet edhe te urdhrat dhe mënyra e organizimit të ndërhyrjeve.
Për avokaten Irena Dule, çështja nuk përfundon te goditja në rrugë. Ajo thekson se policia ka detyrimin ligjor të garantojë shëndetin dhe integritetin fizik të çdo personi që mban nën kontrollin e saj, mosrespektimi i të cilit mund të sjellë përgjegjësi penale.
“Policia ka detyrimin të garantojë shëndetin dhe integritetin fizik të çdo personi që mban nën kontrollin e saj. Kur personi është i dëmtuar, duhet t’i sigurohet menjëherë ndihma mjekësore. Mosrespektimi i këtij detyrimi mund të sjellë përgjegjësi disiplinore dhe penale, në varësi të rrethanave dhe pasojave”, thotë Dule.
Pamja e 21-vjeçarit të shtrirë në asfalt, gazi lotsjellës, shkopinjtë e gomës dhe pamjet e policëve që ndiqnin qytetarët në rrugë rikthyen në vëmendje skenat e përplasjes së dhjetorit 2020.
Atëherë, një 25-vjeçar u vra nga arma e shërbimit të një efektivi policie, ndërsa vdekja e tij nxori mijëra njerëz në rrugë. Dokumentet e dy ngjarjeve ngrenë gjithashtu pikëpyetje mbi përgjegjësinë e efektivëve dhe zbatimin e ligjit për tubimet, veçanërisht në rastet e shkeljeve nga ana e policisë.
“Shqiponjat” dalin jashtë misionit

Në orët e para të 8 dhjetorit 2020, ndërsa Tirana ishte nën kufizimet e lëvizjes për shkak të pandemisë COVID-19, Klodian Rasha u pikas nga dy efektivë policie gjatë patrullimit në rrugën “Dritan Hoxha”.
Mosbindja ndaj urdhrit për të ndaluar u pasua nga një ndjekje në rrugicat e kryeqytetit. Në ndjekje, Rasha u qëllua dy herë me armë zjarri. Predha e parë goditi qepenin e një dyqani; e dyta përshkoi shpinën e tij dhe i dëmtoi zemrën. Rasha mbeti i vrarë pak metra larg banesës.
Për vrasjen u shpall fajtor efektivi Nevaldo Hajdaraj, i dënuar fillimisht me 12 vjet burgim, por vdekja e tij u pasua me një valë protestash në mbarë vendin. Protestuesit kërkuan drejtësi për Rashën, por edhe përgjegjësi politike e institucionale për mënyrën se si funksiononte policia. Ministri i atëhershëm i Brendshëm, Sandër Lleshaj, dha dorëheqjen.
Në ditët që pasuan, përplasjet mes protestuesve dhe policisë u shoqëruan me përdorim të gazit lotsjellës, ujit me presion dhe shoqërime masive. Sipas të dhënave zyrtare, nga 10 deri më 14 dhjetor 2020 u arrestuan 100 persona, 387 u proceduan penalisht në gjendje të lirë dhe 10 të tjerë u shpallën në kërkim. Avokati i Popullit raportoi se deri më 13 dhjetor në komisariatet e Tiranës ishin shoqëruar 102 të mitur.
Shqetësimet nuk lidheshin vetëm me numrin e personave të shoqëruar. Qytetarë dhe përfaqësues ligjorë ngritën pretendime për shoqërime të personave që nuk kishin marrë pjesë në protesta, përdorim të dhunës gjatë shoqërimit dhe në ambientet policore, si dhe shkelje të garancive procedurale për të miturit.
Avokatja Irena Dule, e cila përfaqësoi një prej protestuesve të proceduar penalisht dhe ndoqi edhe raste të tjera të asaj periudhe, kujton se problematikat nisnin në rrugë, por nuk përfundonin me mbërritjen e qytetarëve në komisariat.
“Gjatë protestave të dhjetorit 2020, problematikat kryesore ishin shoqërimet masive, shpesh pa individualizuar veprimet e protestuesve, pretendimet për dhunë fizike gjatë shoqërimit dhe në ambientet policore, si dhe shkelja e garancive procedurale, veçanërisht për të miturit”, thotë ajo.
Edhe Avokati i Popullit dokumentoi problematika në menaxhimin e protestave të dhjetorit. Në raportin e tij vjetor për vitin 2021, institucioni evidentoi raste të përdorimit të gazit lotsjellës pa paralajmërim dhe të ujit me presion në mënyrë joproporcionale, përfshirë ndaj kalimtarëve. Ai rekomandoi identifikimin e efektivëve përgjegjës, nisjen e procedimeve disiplinore dhe trajnimin e vazhdueshëm të policisë për menaxhimin e tubimeve.
Rekomandimet e 6 viteve të shkuara identifikonin pikërisht të njëjtat problematika të raportuara gjatë protestave të tetorit 2026: përdorimi i forcës, identifikimi i efektivëve, trajnimi për menaxhimin e turmave dhe përgjegjësia për shkeljet.
“Numri i rasteve të dokumentuara, ngjashmëria e mënyrës së ushtrimit të dhunës dhe përsëritja e këtyre praktikave tregojnë se nuk mund të flasim thjesht për episode të izoluara. Kemi tregues të një problemi më të thellë, që lidhet edhe me mënyrën e drejtimit, kontrollit dhe llogaridhënies brenda strukturave policore. Mbi të gjitha kemi problem me pamundësimin e identifikimit të punonjësve të policisë, i cili duket të jetë i urdhëruar pikërisht për t’i bërë ata të pandëshkueshëm”, thotë Dule.
Një sistem që ende nuk jep llogari

Raportet vjetore të Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, SHÇBA, dhe më pas të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, AMP, paraqesin një numër të konsiderueshëm ankesash ndër vite.
Në vitin 2020, kur u vra Klodian Rasha, SHÇBA regjistroi 1 403 ankesa. Prej tyre, 155 lidheshin me veprime arbitrare dhe 56 me shoqërime të padrejta. Në vitin 2021, ankesat për punonjësit e policisë arritën në 1 694. Një vit më vonë, në 2022, u regjistruan 1 970 ankesa, prej të cilave 307 për veprime arbitrare. Në këtë kategori përfshiheshin pretendime për dhunë fizike ose psikologjike, shoqërime të padrejta dhe shkelje të normave të etikës.
Edhe referimet penale të institucionit mbikëqyrës u rritën: nga 214 në vitin 2020, në 245 në vitin 2022, 307 në vitin 2024 dhe 336 në vitin 2025. Referimet nuk evidentonin vetëm raste të dhunës policore, por edhe dyshimet për shpërdorim detyre, korrupsion dhe vepra të tjera penale të kryera nga armata policore.
Mbetet e paqartë nëse pretendimet për dhunë policore gjatë protestave të vitit 2020 u hetuan dhe nëse pati masa ndëshkuese ndaj efektivëve të përfshirë. Nuk është e qartë se sa nga denoncimet për veprime arbitrare kanë sjellë pasoja konkrete për efektivët e përfshirë.
Deri në publikimin e këtij shkrimi, AMP dhe Policia e Shtetit nuk kishin vënë në dispozicion informacionin e kërkuar mbi masat konkrete të marra, trajnimet e efektivëve dhe rezultatet e procedimeve.
Për avokaten Dule, mungesa e transparencës mbi hetimin dhe ndëshkimin e rasteve të dhunës policore është një nga problemet kryesore të Policisë së Shtetit. Ajo vëren se ngjashmëria mes rasteve të denoncuara dhe vështirësia për të identifikuar punonjësit e policisë mund të tregojnë një problem që shkon përtej sjelljes së individëve.
“Mungesa e transparencës mbi hetimin dhe ndëshkimin e dhunës policore është një nga problemet që vazhdon të na shqetësojë”, thotë Dule.
Ajo ngre gjithashtu shqetësimin për pamundësinë e identifikimit të efektivëve në disa prej pamjeve dhe rasteve të denoncuara, duke theksuar se kjo e vështirëson përcaktimin e përgjegjësisë individuale.
“Kemi tregues të një problemi më të thellë, që lidhet edhe me mënyrën e drejtimit, kontrollit dhe llogaridhënies brenda strukturave policore”, thotë Dule.
Trajnimi, zinxhiri komandues dhe përgjegjësia

Pesë vjet pas protestave të dhjetorit 2020, mënyra e ndërhyrjes së policisë në tubimet e tetorit riktheu pikëpyetjet mbi përgatitjen e forcave të rendit dhe respektimin e standardeve gjatë menaxhimit të protestave. Sipas ekspertit të kriminalistikës Arben Hajdarmataj, policia nuk ishte e përgatitur për përballimin e protestave të fundit. Sipas tij, mungesa e trajnimit dhe përfshirja e strukturave që nuk janë të specializuara për këtë funksion ndikuan në mënyrën si u zhvilluan ndërhyrjet.
“Nuk mendoj që Policia e Shtetit ka qenë e trajnuar për protestën e fundit. Në mungesë të kësaj përgatitjeje, mendoj se, për të mbuluar këtë deficit, në një moment të caktuar forcat e policisë kaluan në anarki dhe përdorën forcën në mënyrë joproporcionale”, thotë ai.
Hajdarmataj kundërshton edhe përfshirjen në menaxhimin e protestave të strukturave policore që, sipas tij, kanë funksione të tjera dhe nuk janë trajnuar posaçërisht për ndërhyrjet gjatë tubimeve.
“Për menaxhimin e protestave janë përdorur edhe forca të tjera që nuk e kanë këtë detyrë. U përfshi edhe forca e reagimit të shpejtë, që njihet si ‘Shqiponja’, e cila nuk është për menaxhimin e protestave dhe nuk është e trajnuar specifikisht për këtë”, thotë ai.
Hajdarmataj e lidh këtë problem edhe me mënyrën e rekrutimit dhe promovimit brenda policisë. Sipas tij, kur karriera nuk mbështetet te merita dhe përgatitja profesionale, krijohet rreziku që punonjësit të ndihen të paprekshëm dhe të vendosin bindjen ndaj urdhrit mbi respektimin e ligjit.
“Kjo i bën ata punonjës policie të krijojnë një koncept sikur janë të paprekshëm, sikur janë mbi ligjin dhe nuk kanë frikë prej tij. Sepse një njeri që ecën në karrierë me meritën e tij, që i kalon të gjitha shkallët e karrierës, e respekton ligjin. Ai nuk e shkel atë për çfarëdo lloj urdhri”, thotë ai.
Eksperti shpreh gjithashtu skepticizëm mbi pavarësinë e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, duke vënë në diskutim mënyrën e emërimit të drejtuesve dhe ndikimin e politikës në funksionimin e saj.
“Jam shumë skeptik për funksionimin e AMP-së, sepse AMP-ja është krijuar si strukturë politike. Drejtori i AMP-së zgjidhet nga ministri, ministri nga kryeministri e kështu me radhë. Vetëm në rastet kur bëhet publike, kur ka bujë, atëherë mund të merret dhe të bëjë ndonjë referim në prokurori”, thotë Hajdarmataj.
Një nga premtimet që shoqëroi diskutimin për modernizimin e policisë pas viteve 2010 ishte pajisja e efektivëve me kamera trupi. Rreth një dekadë më parë, ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri deklaronte se në Tiranë çdo punonjës policie do të pajisej me kamera, me synimin për të rritur besimin e publikut dhe për t’i dhënë fund praktikave abuzive.
Por në vitin 2020, kur Klodian Rasha u qëllua për vdekje, dy efektivët që e ndoqën nuk ishin të pajisur me kamera trupi.
Gjashtë vjet më vonë, kamerat rikthehen sërish në diskutimin për modernizimin e Policisë së Shtetit. Ato paraqiten si instrument për dokumentimin e ndërhyrjeve, rritjen e transparencës dhe parandalimin e abuzimeve. Por teknologjia, e vetme, nuk garanton që një shkelje të identifikohet apo që përgjegjësi të mbajë përgjegjësi.
“Çdo lloj gjëje që do t’i shërbente transparencës është e mirë në parim, por kamerat elektronike mbeten të manipulueshme si çdo gjë tjetër. Prandaj, zgjidhja kërkon vullnet për dekriminalizim, ndërsa kamerat përdoren si mjet në parim i mirë, por në këtë rast propagandistik”, thotë Hajdarmataj.
Shqetësimet për funksionimin e policisë nuk janë ngritur vetëm nga avokatët dhe ekspertët. Në progresraportin për Shqipërinë të vitit 2026, Komisioni Evropian evidenton se Policia e Shtetit mbetet e cenueshme ndaj korrupsionit dhe se proceset e verifikimit të integritetit të punonjësve kanë pasur ndikim të kufizuar.
Raporti përmend edhe protestat studentore të tetorit 2026, gjatë të cilave pati incidente të dhunshme mes protestuesve dhe policisë, dëmtime të pronës publike e private nga protestuesit dhe pretendime për përdorim të tepruar të forcës nga autoritetet ndaj protestuesve dhe gazetarëve. Komisioni u bëri thirrje palëve të angazhohen në dialog.
Edhe organizata të shoqërisë civile dhe të të drejtave të njeriut kërkuan hetime të pavarura pas protestave. Në një deklaratë të përbashkët të publikuar më 23 tetor 2026, 45 organizata ngritën shqetësime për raportimet mbi përdorimin e tepruar të forcës, keqtrajtimin, ndalimet arbitrare dhe shkeljen e të drejtave të fëmijëve e gazetarëve.
Në Shqipëri, megjithatë, reagimi institucional ndaj protestave të tetorit u përqendrua kryesisht te dhuna ndaj efektivëve dhe dëmtimi i institucioneve. Në një seancë dëgjimore, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, paraqiti fotografi të punonjësve të plagosur dhe foli për sulmet ndaj tyre. Në atë paraqitje, sipas materialit të shqyrtuar nga redaksia, nuk pati një trajtim të krahasueshëm të pretendimeve për dhunë ndaj protestuesve.
Kryeministri Edi Rama dënoi në daljet publike dhunën ndaj institucioneve dhe efektivëve. Pretendimet për përdorim të tepruar të forcës nga policia u përmendën prej tij pas publikimit të raportit të Komisionit Evropian, kur deklaroi se ato duhej të shqyrtoheshin seriozisht.
Uniforma pa emër, dhuna pa autor

Në protestat e tetorit, shqetësimet për veprimet e policisë nuk u kufizuan te përdorimi i forcës fizike. Nga 319 personat e arrestuar gjatë periudhës 13–31 tetor, 62 arrestime janë vlerësuar të paligjshme nga gjykata.
Një hetim i “Shteg.org” mbi sulmin ndaj Komisariatit nr. 2 ngriti pikëpyetje mbi provat ndaj 29 personave të arrestuar. Për një pjesë të tyre mungonin prova materiale që t’i lidhnin drejtpërdrejt me aktet e dhunës, ndërsa dyshimet mbështeteshin kryesisht në raportet e shërbimit dhe praninë pranë vendit të ngjarjes. Gjykata i vlerësoi të ligjshme këto 29 arrestime, por theksoi rëndësinë e individualizimit të përgjegjësisë dhe proporcionalitetit të masave të sigurisë.
Të njëjtat problematika gjykata evidentoi edhe në protestat e dhjetorit 2020, kur u raportuan shoqërime masive dhe probleme me trajtimin e të miturve. Gjashtë vjet më pas, çështja e kufijve të ndërhyrjes policore dhe e garancive procedurale mbetet sërish pjesë e debatit.
Pas vrasjes së Klodian Rashës, efektivi që qëlloi u dënua penalisht, ndërsa ministri i Brendshëm dha dorëheqjen. Por përgjegjësia penale për të shtënat nuk iu shtri një zinxhiri më të gjerë efektivësh.
Dokumentet zyrtare tregojnë se polici tjetër që ndoqi Rashën u rikthye në detyrë dy javë pas ngjarjes.
Për Hajdarmatajn, mënyra si reagojnë drejtuesit politikë dhe institucionalë ndaj pretendimeve për shkelje mund të ndikojë në kulturën e llogaridhënies brenda policisë.
“Jo vetëm mungesa e masave ndëshkuese, që patjetër ndikon, por vetë qeverisja, duke filluar nga qeverisja qendrore, është ajo që i ka dhënë krahë policisë për të bërë ato sjellje. Arroganca e policisë përpara qytetarëve ka ardhur si pasojë e një fryme qeveritare, që është përcjellë te Ministria e Brendshme dhe deri te punonjësit e policisë”, thotë ai.
Në dhjetor 2020, një 25-vjeçar humbi jetën nga arma e shërbimit të policisë. Në tetor 2026, një 21-vjeçar u pa në pamje duke u goditur me mburojë dhe familjarët e tij denoncuan dëmtime të rënda. Në të dyja rastet, përplasjet u shoqëruan me përdorim force, arrestime të kontestuara dhe raportime për dhunë ndaj qytetarëve.
Mes dy periudhave qëndrojnë reforma, ndryshime institucionale, premtime për kamera trupi, trajnime dhe mekanizma mbikëqyrjeje. Por shifrat e ankesave nuk tregojnë se sa raste u ndëshkuan, institucionet nuk kanë vënë në dispozicion të gjithë informacionin e kërkuar dhe ekspertët ngrenë pikëpyetje mbi pavarësinë e kontrollit policor.
Shënim: Ky shkrim u publikua për Tirana Times



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.