Hoti: Inspektorati i Minierave është përgjegjës për aksidentet në sektorin minerar
Ministri në detyrë për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, ka reaguar pas deklaratave politike lidhur me aksidentet tragjike në KEK, duke kërkuar që përgjegjësia të përcaktohet mbi bazën e fakteve dhe ligjit, e jo përmes deklaratave. politike.
Hoti, përmes një postimi në Facebook, ka shprehur ngushëllime për familjen e punëtorit që humbi jetën, si dhe për familjet e punëtorëve të tjerë që kanë humbur jetën në vendin e punës.
Ai ka kritikuar përdorimin e rasteve tragjike për përplasje politike, duke thënë se akuzat ndaj institucioneve duhet të bëhen vetëm pasi të verifikohen faktet, shkaqet e aksidentit dhe kompetencat ligjore.
“Në asnjë rrethanë, tragjedi të tilla nuk duhet të keqpërdoren nga eksponentë politikë si mjet sulmi ndaj njëri-tjetrit”, ka shkruar Hoti.
Sipas tij, është veçanërisht shqetësuese kur akuza të tilla vijnë nga deputetë të Kuvendit, të cilët, si ligjvënës, duhet të kenë njohuri mbi legjislacionin dhe kompetencat e institucioneve.
Hoti ka sqaruar se aksidentet fatale të datave 8 korrik, 16 gusht dhe 20 gusht 2026 kanë ndodhur në Divizionin e Prodhimit të Qymyrit, në kuadër të veprimtarisë minerare.
Sipas tij, mbikëqyrja e sigurisë në punë dhe hetimi i aksidenteve në veprimtarinë minerare janë kompetencë e Inspektoratit të Minierave, në kuadër të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM), dhe jo e Inspektoratit Qendror të Punës.
“Këtë nuk po e them për ta zhvendosur përgjegjësinë nga një institucion te tjetri dhe as për t’i ikur përgjegjësisë. Ne nuk i ikim asnjë përgjegjësie që na takon me ligj”, ka deklaruar ai.
Hoti ka bërë të ditur se edhe në rastin e fundit, Inspektorati Qendror i Punës ka reaguar menjëherë pas pranimit të informatës, duke angazhuar inspektorët dhe duke dalë në vendin e ngjarjes.
Pas inspektimit, sipas tij, është konstatuar se aksidenti kishte ndodhur në territorin e një miniere të licencuar nga KPMM dhe se trajtimi i rastit i takon Inspektoratit të Minierave.
Hoti ka theksuar se Inspektorati Qendror i Punës po ndërmerr masa për forcimin e kontrollit në vendet e punës.
Ai ka thënë se gjatë katër muajve të fundit janë intensifikuar inspektimet, me fokus të veçantë në sektorët me rrezik të lartë, ndërsa është avancuar edhe digjitalizimi i procesit të inspektimit.
“Vetëm në katër muaj, kemi ndaluar punimet në mbi 180 vendpunishte”, ka bërë të ditur Hoti.
Në fund, ministri në detyrë ka kërkuar që institucionet përgjegjëse t’i zhvillojnë hetimet deri në fund dhe që çdo rast i neglizhencës, shkeljes së rregullave të sigurisë apo përgjegjësisë institucionale dhe individuale të trajtohet sipas ligjit.
“Në një ditë kur një familje ka humbur njeriun e saj, minimumi që mund të kërkohet nga secili prej nesh është përgjegjësi edhe në fjalën publike. Tragjeditë kërkojnë përgjegjësi, jo përfitim politik”, ka përfunduar Hoti.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.