Policia sekuestron armë zjarri dhe municion në Zubin Potok
Policia e Kosovës ka sekuestruar pesë armë zjarri dhe municion gjatë një operacioni të realizuar të shtunën në fshatin Kleçkë të komunës së Zubin Potokut.
Sipas njoftimit të Policisë, operacioni është zhvilluar pas informacioneve të pranuara nga qytetarët, të cilat ngritën dyshime për praninë e armëve dhe mjeteve të tjera ilegale në një lokacion në këtë komunë.
Pas pranimit të informacioneve, zyrtarët policorë nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Mitrovicë të Veriut kanë kryer kontroll në një hambar në fshatin Kleçkë.
Gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar një pushkë gjuetie, një pushkë gjuetie gjysmëautomatike, një armë automatike, një pushkë gjuetie dytytëshe dhe një revole e tipit TT me një karikator të zbrazët.
Po ashtu, janë sekuestruar 33 fishekë për armë të gjata, një këllëf me optikë për armë të gjatë dhe dy karikatorë të zbrazët për armë të gjata.
Policia ka bërë të ditur se deri në këtë fazë nuk ka persona të arrestuar lidhur me rastin.
Për rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka udhëzuar inicimin e rastit për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Policia e Kosovës ka falënderuar qytetarët për bashkëpunimin dhe i ka inkurajuar që rastet e dyshimta t’i raportojnë në numrin emergjent 192.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.