Iljazaj për protestën e studentëve: Jo polici por zgjidhje politike
Pedagogu dhe analisti Elvis Iljazaj ka komentuar përshkallëzimin e protestave në Shqipëri, duke argumentuar se pakënaqësia e të rinjve nuk mund të shpjegohet vetëm me faktorë të jashtëm, por lidhet ngushtë me problematikat ekonomike dhe politike në vend.
Sipas tij, vështirësitë për të përballuar jetesën, çmimet e larta, pamundësia për të blerë një banesë dhe pasiguria për punësimin kanë krijuar një gjendje pasigurie te brezat e rinj.
Ai ka dënuar edhe dëmtimin e bizneseve private gjatë protestave, duke argumentuar se akte të tilla mund të përdoren për të nxitur narrativën e destabilizimit të vendit.
“Jo polici, por zgjidhje politike”, thotë Iljazaj, i cili thekson se situata kërkon një analizë më të thellë lidhur me ate që nga se janë nxitur pakënaqësinë shoqërore.
“Unë mendoj që ne kemi arritur deri këtu për dy faktorë kryesorë: ekonomikë dhe politikë. A e kanë sot të rinjtë të vështirë të përballojnë jetesën me çmimet që janë? Po, e kanë. A e kanë të vështirë të blejnë një shtëpi? Po, e kanë. A kanë pasiguri për punësimin, për të ardhmen? Po, e kanë.
Problemi i dytë është politik. Është një pushtet i stërgjatur, i stërpërqendruar në një person, i cili nuk dëgjon më. Ky pushtet kaq i përqendruar, kaq i stërgjatur, provokon shoqërinë shqiptare.
Ky është një brez që nuk pranon më të përjashtohet nga vendimmarrja. Kaq e thjeshtë është historia.
Unë jam kundër dëmtimit të bizneseve private. Mua më dhimbsen shumë ato biznese që u thyen atje. Jam totalisht kundër njerëzve që kanë investuar mundin dhe djersën në një dyqan. Thyerja e bizneseve private, për mua, i intereson më shumë qeverisë sesa protestuesve, sepse krijon tezën e destabilizimit.
Modestisht, u bëj thirrje të mos bien pre, sepse kjo shkon në favor të tezës së qeverisë. Problemi është më i gjerë se kaq.”



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.