Integrim i pjesshëm në BE para anëtarësimit të plotë! Marta Kos vlerëson ecurinë e Shqipërisë: Jam optimiste, do jetë
Komisionerja europiane për Zgjerimin, Marta Kos, pohon se vendet kandidate që përmbushin kriteret në fusha të caktuara mund të përfitojnë nga një integrim i pjesshëm në Bashkimin Europian edhe përpara anëtarësimit të plotë.
Në një intervistë për Deutsche Welle, Kos tha se ideja e integrimit gradual po merr gjithnjë e më shumë rëndësi, në një kohë kur situata gjeopolitike kërkon përshpejtimin e afrimit të vendeve kandidate me BE-në. Sipas saj, procesi i anëtarësimit i bazuar në meritë kërkon kohë, por kjo nuk do të thotë se vendet kandidate duhet të presin deri në anëtarësimin e plotë për të përfituar nga mundësi të caktuara që ofron Bashkimi Europian.
‘Nëse duam të arrijmë qëllimin tonë, dhe qëllimi ynë është një Europë e sigurtë dhe e qëndrueshme, e bazuar në vlerat evropiane, atëherë do të përpiqemi që përmes të ashtuquajturit rishikim para-anëtarësimi, rezultatet e të cilit do të publikohen më 6 tetor dhe do të diskutohen pjesërisht në këtë samit, të identifikojmë së bashku me shtetet anëtare fushat në të cilat, vendeve kandidate që kanë nevojë për më shumë kohë, të mund t’u ofrojmë më shumë Europë edhe para anëtarësimit të plotë. Ky nuk është zëvendësim për anëtarësimin. Është thjesht një mënyrë që, për shkak se procesi i bazuar në meritë kërkon kohë, një vend kandidat që plotëson kriteret për integrim në fusha të caktuara të mund të përfitojë nga një integrim i pjesshëm edhe para se të bëhet anëtar i plotë’, tha komisionerja Kos.
Pohimin e ilustroi me shembllin e CEPA-s, tashmë ekzistuese, ku përfshihen edhe vendet e Ballkanit Perëndimor, Moldavia dhe Ukraina. ‘Së shpejti do t’u ofrojmë vendeve të Ballkanit Perëndimor edhe përfitimet e roaming-ut.
Këto janë fusha që normalisht janë të në dispozicion vetëm për shtetet anëtare, por tregojnë se çfarë mund të bëjmë. Dhe ka shumë mundësi të tjera të ngjashme’, tha Kos. Komisionerja theksoi se mbetet optimiste për perspektivën e shtrirjes së Bashkimit Europian.
‘Po, jam optimiste për zgjerimin. Ky vit është vërtet viti i zgjerimit dhe veçanërisht kjo vjeshtë, që sapo ka nisur, do të jetë vjeshta e zgjerimit. Pse? Sepse gjatë nëntë muajve të parë të këtij viti kemi hapur ose mbyllur më shumë kapituj negociues se në çdo vit tjetër të 25 viteve të fundit. Për herë të parë që nga anëtarësimi i Kroacisë në vitin 2013, kemi Malin e Zi me një perspektivë reale për t’u bërë anëtar i BE-së. Po ashtu Shqipëria po përparon shumë mirë, ndërsa për Moldavinë dhe Ukrainën shpresojmë të hapim të gjitha grupkapitujt brenda këtij viti. Këto janë vendet që po udhëheqin procesin dhe mendoj se nuk kemi parë një dinamikë të tillë që nga koha kur Kroacia iu bashkua bllokut europian’, tha Kos.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.