Ekonomia

Investimet e huaja direkte/ Zvicra me stokun më të madh, Italia numrin më të lartë të kompanive

Fluksi i investimeve të huaja direkte (IHD) është rritur ndjeshëm në dhjetë vitet e fundit, i nxitur, ndër të tjera, nga reformat e klimës së investimeve.

Në vitin 2019, fluksi i IHD-ve arriti në më shumë se 1 miliardë euro, duke u rritur me 14.6% nga viti 2016 dhe duke zënë 7.6% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, një nga vlerat më të larta në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Por si pasojë e pandemisë COVID-19, fluksi i investimeve të huaja direkte në vitin 2020 u ul në 933 milionë euro.

Gjatë periudhës 2016-2020, sipas të dhënave nga Agjencia e Zhvillimit të Investimeve janë miratuar 19 investime strategjike, me një investim total prej 1.2 miliardë euro. Projektet fokusohen kryesisht në turizëm, bujqësi, industri dhe energji.

Vetëm në fund të vitit 2020, u zhvilluan tetë projekte me interes në fushën e investimeve në Shqipëri, kryesisht nga Gjermania dhe Italia si dhe nga Holanda, Kina dhe Japonia. Vlera totale e këtyre projekteve të investimeve arrin në rreth 94 milionë euro dhe parashikohet të hapin 4,090 vende të reja pune.

Shtetet si Franca, Gjermania, apo SHBA shihen si vendet të cilat  mund të sjellin jo vetëm investimet e tyre të fuqishme, por dhe ekspertizën dhe standardet e tyre. Investimet nga këto vende do të sillnin jo vetëm zhvillim më të qëndrueshëm, ulje të papunësisë, por do të ndihmonin në zhvillim të burimeve njerëzore dhe një tjetër kulturë pune.

Përveç regjimit të liberalizuar të investimeve, avantazhet e Shqipërisë përfshijnë pasurinë në vlera dhe burime natyrore për zhvillimin e mëtejshëm të agrobiznesit, turizmit dhe prodhimit të energjisë së rinovueshme, vendndodhjen e afërt me tregjet e mëdha dhe kostot operacionale konkurruese.

Në vitet e fundit Qeveria ka kthye vëmendjen te turizmi, një sektor, zhvillimi i të cilit do të sillte jo pak të ardhura. Marina dhe portet turistike e bëjnë Shqipërinë një vend interesant për të investuar.

Shqipëria është e pozicionuar mirë për të përfituar nga transformimi i zinxhirit të vlerave ndërkombëtare dhe për të tërhequr grupe të reja investitorësh, pasi kompanitë në BE po riformësojnë zinxhirët e tyre të vlerave dhe po kërkojnë alternativa në vendet fqinje.

Energjia dhe miniera përbënin 40% të stokut total të IHD-ve, të ndjekura nga sektori i informacionit dhe komunikimit (16%) dhe shërbimet financiare (14%). Më pak se 10% e të gjitha IHD-ve në vend janë të fushën e manifakturës.

Vendet e BE-ja mbeten burimi kryesor i investimeve të huaja direkte në Shqipëri dhe në fund të vitit 2020 zënë 54.2% të stokut total të IHD-ve. Vendet kryesore të burimit të investimeve të huaja direkte përfshijnë Zvicrën (18.9% të stokut), Holanda (16.2%), Kanadaja (12.8 %), Italia (9.6 %) dhe Turqia (7.2 %).

Sipas të dhënave të Qendrës Kombëtare të Biznesit, 12,944 kompani të huaja janë aktive në territorin e Shqipërisë. Rreth 80% e tyre janë 100% me kapital të huaj (10,231) ndërsa pjesa tjetër janë ndërmarrje të përbashkëta (2,713).

Pjesa më e madhe e këtyre kompanive (69%) operojnë në qarkun e Tiranës. Pjesa më e madhe e kompanive të huaja në Shqipëri janë me origjinë Italiane (40%), të ndjekura nga ato me origjinë Kosovare (8.8%), Greke (6.4%) dhe Turke (5.5%). Kompanitë e huaja apo ndërmarrjet e përbashkëta operojnë në fusha të ndryshme të aktivitetit ekonomik.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button