KDI: Reforma në Drejtësi ka avancuar në procedura, por rezultatet mbeten në pritje
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka publikuar sot raportin “Reforma në Drejtësi: Ligje në Proces, Rezultate në Pritje”, i cili analizon zhvillimet institucionale të lidhura me jetësimin e Reformës në Drejtësi gjatë periudhës janar–qershor 2026.
Sipas një njoftimi për media thuhet se raporti analizon në veçanti procesin e jetësimit të pakos së pesë projektligjeve që burojnë nga Deklarata e Përbashkët e Zotimeve e vitit 2023, e nënshkruar ndërmjet Ministrisë së Drejtësisë dhe institucioneve kryesore të sistemit të drejtësisë.
“Për më tepër, janë analizuar edhe zhvillimet lidhur me Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, procesin e Vettingut për krerët e institucioneve të drejtësisë dhe zbatimi i Ligjit të amendamentuar për Këshillin Prokurorial të Kosovës, i cili hyri në fuqi së fundi. Vullnet Bugaqku nga KDI tha se një nga gjetjet kryesore të raportit është se Reforma në Drejtësi gjatë gjysmës së parë të vitit 2026 ka shënuar progres kryesisht në aspektin procedural”, thuhet në njoftim.
Po ashtu siç bëhet e ditur në njoftim: “Pakoja e pesë projektligjeve ka kaluar nëpër faza të harmonizimit, punës ndërinstitucionale dhe konsultimit publik, por ky progres nuk është përkthyer ende në miratim dhe zbatim të legjislacionit. Deri më 30 qershor 2026, asnjëri prej pesë projektligjeve nuk ishte miratuar. Sa i përket pakos së pesë projektligjeve, KDI vlerëson pozitivisht përfshirjen e institucioneve të drejtësisë, shoqërisë civile dhe partnerëve ndërkombëtarë në fazën e hartimit të udhëhequr nga Ministria e Drejtësisë”.
Gjatë marsit 2026 siç u tha në njoftim u zhvillua një punëtori ndërinstitucionale, dhe projektligjet u nxorën në konsultim publik. Megjithatë, raporti gjen se për publikun nuk ka qenë gjithmonë e mundur të kuptohet se cilat komente janë pranuar, cilat janë refuzuar dhe si janë reflektuar në versionet pasuese të projektligjeve.
“Bugaqku po ashtu shtoj se te Projektligji për Byronë, KDI ka evidentuar mangësi në procesin parlamentar, përfshirë tentativën për organizimin e një dëgjimi publik me më pak se 24 orë njoftim. Raporti thekson po ashtu se projektligjet kryesore të reformës kishin kaluar më herët nëpër vlerësimin e Komisionit të Venecias, i cili kishte identifikuar një sërë çështjesh që kërkonin përmirësim, përfshirë kontrollin e integritetit, vlerësimin e performancës, përzgjedhjen e anëtarëve të KGJK-së dhe KPK-së, pavarësinë institucionale dhe garancitë procedurale”.
Gjatë periudhës së monitorimit, KDI ka vlerësuar se problemi nuk qëndron në mungesën e standardeve apo rekomandimeve, por në pamundësinë për të verifikuar në mënyrë të plotë se në çfarë mase ato janë reflektuar në versionet pasuese të projektligjeve.
Florent Spahija nga KDI tha se përvoja e KPK-së tregon sfidat që mund të paraqiten gjatë zbatimit të ndryshimeve të mëdha institucionale.
Zbatimi i Ligjit, i cili ndryshoi përbërjen dhe organizimin e KPK-së, u shoqërua gjatë tranzicionit me përbërje të paplotë, mungesë kuorumi në disa raste dhe konteste lidhur me proceset zgjedhore. Ndërkohë, edhe funksionimi i KGJK-së gjatë periudhës raportuese evidentoi probleme me kuorumin dhe proceset e përzgjedhjes, të cilat duhet të merren parasysh gjatë reformimit të ardhshëm të Këshillit.
KDI ka evidentuar gjithashtu se zbatimi i reformës nuk është përcjellë me një planifikim serioz financiar dhe institucional. Vetëm funksionimi i plotë i Byrosë, sipas vlerësimit të KDI-së, do të kërkonte rreth 1.2 milion euro në vit për shpenzime për funksionalizimin e Byrosë.
KDI vlerëson se në fazën e ardhshme, miratimi i ligjeve duhet të jetë vetëm hapi i parë. Suksesi i Reformës në Drejtësi do të matet me mënyrën se si këto ligje do të zbatohen dhe me rezultatet që do të prodhojnë në praktikë: forcimin e pavarësisë, integritetit, llogaridhënies dhe efikasitetit të sistemit, si dhe rritjen e besimit të qytetarëve në drejtësi.
Ky është raporti i parë në serinë e raporteve periodike që do të publikohen në vazhdimësi dhe ka për qëllim që të përcjell progresin e zbatimit të Reformës në Drejtësi nga institucionet përgjegjëse, identifikimin e sfidave dhe adresimin e tyre. Gjetjet synojnë të promovojnë transparencë dhe llogaridhënie të institucioneve dhe bartësve të tyre.
Raporti është realizuar në kuadër të projektit “Formësimi i reformave në drejtësi dhe kundër korrupsionit përmes dialogut kuptimplotë”, me mbështetjen e Ambasadës së Mbretërisë së Holandës në Kosovë. Përmbajtja e raportit është përgjegjësi vetëm e KDI-së dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e donatorit. /Telegrafi/



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.