Konferenca rajonale mbi klimën në Tiranë, Koçiu: Bashkëpunimi, çelësi për një të ardhme më të sigurt të përbashkët
Në Tirana u zhvillua konferenca rajonale mbi klimën me temën “Të bashkuar për klimën”, një aktivitet i rëndësishëm që vendosi në qendër të vëmendjes bashkëpunimin rajonal, inovacionin dhe politikat e gjelbra si elementë thelbësorë për mbrojtjen e mjedisit dhe të ardhmen e brezave që vijnë.
Gjatë fjalës së saj, zv. Kryeministrja Albana Koçiu theksoi se sfidat klimatike nuk njohin kufij dhe kërkojnë përgjigje të përbashkëta. Ajo solli në vëmendje përmbytjet, zjarret dhe periudhat e thatësirës, duke nënvizuar se këto fenomene nuk ndalen në kufij shtetërorë dhe nuk mund të adresohen në mënyrë të izoluar.
“Duhet të jemi të bashkuar, se klima nuk na lë asnjë alternativë tjetër. Përmbytjet e dimrit të kaluar nuk ndaluan në kufi për të kërkuar pasaportë; zjarret që përfshinë pyjet tona nuk pyetën nëse pyjet ishin shqiptare apo malazeze apo më gjerë në rajon; thatësira nuk konsultohet me zyrat doganore. Pyetja është: a jemi mjaftueshëm të bashkuar dhe a jemi në kohë?”, tha Koçiu.
Koçiu vuri në dukje se Bashkimi Evropian përfaqëson më shumë sesa një projekt ekonomik apo institucional, duke e cilësuar atë si një model bashkëpunimi dhe një mënyrë të përbashkët të qasjes ndaj problemeve. Sipas saj, ndarja e burimeve, të dhënave dhe përgjegjësive është thelbësore për të përballuar sfidat klimatike.
Duke u ndalur te situata në Ballkanin Perëndimor, ajo theksoi se rajoni ka qenë i suksesshëm në hartimin e strategjive, por sfida qëndron te zbatimi konkret. Sipas Zv. Kryeministres, tre shtyllat kryesore për përballimin e krizës klimatike janë financimi, të dhënat dhe bashkëpunimi ndërkufitar. Ajo nënvizoi se investimet në këtë fushë nuk janë çështje bamirësie, por investim në sigurinë e përbashkët
“BE nuk është vetëm një projekt ekonomik, nuk është një projekt institucional, por një mënyrë e të menduarit dhe mënyrë se si qasemi problemeve, në mënyrë që asnjë vend të mos jetë vetëm dhe të mos i zgjidhë ato i vetëm. Duhet të bëjmë atë që BE bën më mirë: të ndajmë burime, të dhëna dhe përgjegjësi, si dhe vendimmarrje.
Ne në Ballkanin Perëndimor jemi shumë të zotë në hartimin e strategjive dhe agjendave, por nëse klima do të ftohej nga këto dokumente, ne do të ishim rajoni më i ftohtë në botë. Klima menaxhohet nga investime reale, nga tubacione dhe diga që i qëndrojnë kohës, nga sisteme parandalimi dhe nga institucione që reagojnë në kohë. Kjo është përshtatje, jo një dokument, por një sistem që funksionon si i tërë.
E para është financimi, pasi kjo nuk është bamirësi, por financim në sigurinë e përbashkët. E dyta janë të dhënat, pasi nuk menaxhon dot atë që nuk ke të dhëna. Dhe e treta është bashkëpunimi real përtej kufijve”, tha Koçiu.
Në përmbyllje, Koçiu u shpreh se Shqipëria synon të mësojë dhe të shkëmbejë eksperienca me vendet e rajonit dhe më gjerë, duke investuar në sisteme paralajmërimi për mbrojtjen civile, teknologji dhe inovacion.
“Shqipëria nuk është këtu për të dhënë mësime; jemi këtu për të mësuar dhe për të shkëmbyer eksperienca. Por aspirata jonë sot nga kjo konferencë dyditore është edhe të mësojmë nga praktikat më të mira. Po investojmë në sisteme paralajmërimi në mbrojtje civile, teknologji dhe inovacion”, tha ajo.
“Asnjë vend nuk mund të përballet i vetëm me ndryshimet klimatike. Bashkëpunimi rajonal mbetet rruga e vetme për të garantuar një të ardhme të qëndrueshme, pasi klima nuk jep një mundësi të dytë”, ishte mesazhi përmbyllës i zv.kryeministres Koçiu.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.