LETONI – Zgjedhje parlamentare mes shqetësimeve për sigurinë kombëtare
RIGA, 3 tetor /ATSH-DPA/ – Rreth 1,5 milionë votues me të drejtë vote në Letoni ju drejtohen sot kutive të votimit për të zgjedhur parlamentin e ri, i përbërë nga 100 deputetë, në një kohë kur shqetësimet për sigurinë kombëtare dhe rritja e kostos së jetesës mbizotërojnë në debatin publik.
Qendrat e votimit u hapën në orën 08:00 (05:00 GMT).
Sipas sondazheve, rreth gjysma e 14 partive dhe koalicioneve zgjedhore që garojnë pritet të kalojnë pragun për të hyrë në parlament.
Asnjë prej tyre nuk parashikohet të sigurojë shumicën absolute.
Aleanca zgjedhore e qendrës së djathtë “Lista e Bashkuar”, e drejtuar nga kryeministri Andris Kulbergs, kryeson sondazhet.
Aktualisht, Kulbergs drejton një koalicion qeverisës të përbërë nga katër parti konservatore dhe të qendrës.
Megjithatë, mbetet e hapur nëse kjo aleancë do të vazhdojë të qeverisë pas zgjedhjeve të 11-ta parlamentare që nga rikthimi i pavarësisë së Letonisë nga Bashkimi Sovjetik në vitin 1991.
Procesi i ndërlikuar i formimit të një koalicioni të ri qeverisës kishte nisur tashmë përpara votimit në këtë shtet baltik, i cili kufizohet me Rusinë dhe Bjellorusinë.
Kulbergs mori detyrën në maj, pasi qeveria e mëparshme u rrëzua për shkak të një mosmarrëveshjeje lidhur me incidentet me dronë.
Më herët, dy dronë ukrainas që kishin devijuar nga trajektorja u rrëzuan pranë kufirit me Rusinë, duke shkaktuar tensione me Moskën.
Në Letoni, lufta e Rusisë kundër Ukrainës konsiderohet një kërcënim i drejtpërdrejtë për sigurinë kombëtare. Incidentet me dronët rihapën gjithashtu çështje të ndjeshme, përfshirë përdorimin e gjuhës ruse në vend.
Të shqetësuara për kërcënimet ajrore, autoritetet letoneze u kërkuan aleatëve të NATO-s mbështetje për të garantuar zhvillimin e sigurt të zgjedhjeve.
Pak para ditës së votimit, Gjermania dislokoi katër avionë luftarakë “Eurofighter” në Letoni për të mbrojtur hapësirën e saj ajrore.
Letonia është një nga partneret dhe mbështetëset më të afërta të Ukrainës.
Ky qëndrim pritet të mbetet i pandryshuar edhe pas zgjedhjeve, ashtu si edhe orientimi i qartë i politikës së jashtme të vendit drejt Bashkimit Evropian dhe NATO-s. /Ad.Ab./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.