Mediet e huaja për dorëheqjen e Vuçiçit: “Manovër e planifikuar me kujdes” për të zgjatur ndikimin duke ndryshuar postet
Dorëheqja e Aleksandër Vuçiçit nga posti i presidentit të Serbisë ka jehuar fuqishëm në mediet e huaja — por, siç njofton Nova.rs, pothuajse asnjëra prej tyre nuk e paraqiti këtë hap si fund të karrierës së tij politike. Përkundrazi, mediet ndërkombëtare e panë lajmin kryesisht përmes prizmit të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 25 tetorit dhe synimit të Vuçiçit për t’u rikthyer në postin e kryeministrit.
Agjencia Associated Press e paraqiti dorëheqjen si hapin me të cilin Vuçiç i hap rrugën vetes kandidaturës për kryeministër, duke e cilësuar vendimin e tij si “manovër të planifikuar me kujdes” për të mbajtur një nga funksionet më të rëndësishme në shtet dhe njëkohësisht për të forcuar shanset e partisë së tij në zgjedhje. AP-ja vë theksin te fakti se funksioni i kryeministrit në Serbi është formalisht më i fuqishëm se ai presidencial — edhe pse Vuçiç mbeti figura dominuese politike edhe gjatë dy mandateve presidenciale.
Këndvështrim shumë të ngjashëm ka edhe britanikja The Guardian, e cila shkruan se dorëheqja vjen në një moment tensionesh të larta politike dhe se Vuçiç po përpiqet të ruajë pozicionin udhëheqës politik përmes rikthimit në postin e kryeministrit. Përfundimi i gazetës nuk është se Vuçiç po largohet nga skena politike, por se po përpiqet ta ruajë vendin qendror në sistemin e pushtetit duke ndryshuar funksionin. Al Jazeera, nga ana tjetër, e sheh vendimin në një kuadër më të gjerë dhe thekson se Vuçiç ndodhet para sfidës politike më serioze në më shumë se një dekadë, pasi që nga viti 2014 ka dominuar politikën serbe si president apo kryeministër.
Edhe The New York Times shkoi ndoshta më larg në interpretimin e drejtpërdrejtë: që në titull gazeta shkruan se lideri shumëvjeçar i Serbisë po përpiqet “ta zgjasë ndikimin e tij duke ndryshuar funksionet”. Gazeta amerikane i kushton vëmendje të madhe jetëgjatësisë së pushtetit të tij dhe përpjekjes së lëvizjes studentore — e lindur pas tragjedisë së strehës së stacionit hekurudhor në Novi Sad — për ta shndërruar energjinë e protestave në forcë elektorale, pa harruar as dobësitë dhe përçarjet brenda opozitës apo kritikat shumëvjeçare për kushte të pabarabarta zgjedhore.
Dorëheqja e Vuçiçit ishte ndër lajmet kryesore politike edhe në vendet e rajonit, shkruan Nova.rs. Mediet kroate përcollën jo vetëm informacionin për dorëheqjen, por edhe detajet e fjalimit të tij të fundit si president — përfshirë njoftimin se para largimit nga funksioni kishte vendosur për abolicionin dhe faljen e 49 personave, 23 prej të cilëve të lidhur me ngjarjet gjatë protestave të një viti e gjysmë të fundit. Ndërkohë televizioni publik malazez RTCG veçoi fjalët e Vuçiçit për veten se funksionin e kishte ushtruar “me besnikëri, me nder dhe me drejtësi”.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.