Mesazhi i zëvendëskryeministres Koçiu për administratën: Puna e tyre nuk bëhet gjithmonë lajm, por pa ta shteti nuk funksionon
Nëpërmjet një video-mesazhi të publikuar në rrjetet sociale, Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu i është drejtuar opinionit publik me një apel falënderimi dhe ndërgjegjësimi për punonjësit e administratës publike dhe shërbimeve bazë në vend, duke vënë theksin te përkushtimi i tyre përballë situatave të tensionuara politike apo sociale.
Përmes një fjalimi të fokusuar te kontributi i përditshëm i nëpunësve civilë, mjekëve, mësuesve dhe forcave të rendit, Koçiu nënvizoi se pas rrëmujës së ngjarjeve politike qëndron puna e heshtur e mijëra qytetarëve.
“Mes zhurmës së këtyre ditëve, sot dua të flas për njerëzit që nuk bëjnë zhurmë. Për ata që çdo mëngjes shkojnë në punë dhe vazhdojnë t’u shërbejnë qytetarëve”, deklaroi zv.kryeministrja, duke veçuar mjekët, infermierët, mësuesit, punonjësit socialë, policinë, zjarrfikësit dhe ekipet e urgjencës.
Ajo ndaloi gjithashtu te punonjësit e terrenit dhe pastrimit, duke u shprehur falënderuese “për punonjësit që pastrojnë rrugët herët në mëngjes, për ata që riparojnë çdo dëm nga kaosi i një dite më parë dhe ata që kujdesen që Tirana të zgjohet më e pastër, më e rregullt”.
Zëvendëskryeministrja veçoi gjithashtu rolin e veçantë të gjeneratës së re në administratë dhe atë të grupeve negociuese me me Bashkimin Evropian, të cilët punojnë për ecurinë e reformave strategjike të vendit.
Pasi theksoi se “këta janë njerëzit e administratës publike që vazhdojnë punën dhe kur rreth tyre ka tension”, Koçiu vuri në dukje kontributin e atyre që punojnë larg vëmendjes mediatike “për shumë të rinj në administratën tonë që punojnë larg vëmendjes deri vonë mbi reforma dhe projekte, të cilat janë duke e ndryshuar vendin”, si dhe për “ekipin që negocion çdo ditë me Bashkimin Evropian për të ardhmen evropiane të Shqipërisë”.
Duke komentuar të drejtën e tubimit dhe reagimit qytetar, Koçiu bëri një diferencim të qartë mes protestës ligjore dhe sulmeve ndaj profesionistëve të shërbimit publik. Ajo u shpreh se “puna e tyre nuk bëhet gjithmonë lajm, por pa punën e tyre, shteti nuk funksionon”, duke shtuar se “të protestosh është e drejtë, të kritikosh është e drejtë, të mendosh ndryshe është e drejtë, por askush nuk duhet të ndihet i kërcënuar apo i fyer sepse bën me ndershmëri punën e vet dhe është krenar për të”.
Në përmbyllje të mesazhit të saj, zv.kryeministrja bëri thirrje për më shumë mirënjohje ndaj kontributit institucional, duke vlerësuar qëndrueshmërinë e nëpunësve përballë kritikave agresive. Koçiu nënvizoi se “Shqipëria nuk është vetëm zemërimi që shohim në ekran. Shqipëria është dhe puna që nuk e shohim. Është përgjegjësia, është përkushtimi, është shërbimi”, ndërsa shprehu falënderimet e saj “për të gjithë ata që vijojnë punën çdo ditë, pavarësisht sulmeve, linçimeve dhe ofendimeve”, duke përfunduar se “puna dhe kontributi juaj kanë vlerë dhe këtë duhet ta themi më shpesh”.
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.