Tensionet në seancën plenare, PS kërkon përjashtimin me 60 ditë nga Kuvendi të 6 deputetëve të PD-së
Grupi parlamentar i Partisë Socialiste i është drejtuar Sekretariatit për Procedurat, Votimet dhe Etikën në Kuvendin e Shqipërisë për të përjashtuar nga punimet parlamentare të një grupi deputetësh të Partisë Demokratike për shkak të tensioneve dhe përplasjeve që ndodhën në seancën e sotme plenare.
PS kërkon që ndaj gjashtë deputetët e PD-së, Flamur Noka, Belind Këlliçi, Fidel Kreka, Edi Paloka, Besart Xhaferri dhe Luçiano Boçi, të caktohet masa e rëndë disiplinore e përjashtimit me 60 ditë nga pjesëmarrja në komisione parlamentare dhe në seancat plenare.
Ndërkohë, një masë prej 10 ditësh përjashtim kërkohet edhe për një grup prej 14 deputetësh të tjerë të opozitës, ku përfshihen Gjin Gjoni, Bardh Spahia, Albana Vokshi, Elda Hoti, Xhelal Mziu, Gent Strazimiri, Enno Bozdo, Kastriot Piroli, Kliti Hoti, Flamur Hoxha, Arjan Ndoja, Ivi Kaso, Zija Ismaili dhe Blendi Himçi.
Kërkesa e grupit parlamentar të Partisë Socialiste vjen pas incidenteve dhe tensioneve që përfshinë sot seancën plenare të Kuvendit.
Situata u përshkallëzua që në fillim të seancës gjatë leximit të rendit të ditës, kur deputeti Flamur Noka iu drejtua foltores duke e goditur, dëmtuar mikrofonin dhe duke lëshuar fjalë fyese ndaj kryetarit të Kuvendit, veprime të cilat u mbështetën edhe nga deputetë të tjerë të opozitës.
Tensionet vijuan gjatë votimit të kalendarit dhe programit të Kuvendit, ku deputeti Belind Këlliçi shkuli pajisjet e foltores dhe vijoi të godiste me to, ndërkohë që deputeti Flamur Noka sulmoi fizikisht deputetët socialistë në rreshtat e parë, duke u marrë kartat e votimit dhe duke dëmtuar pajisjet elektronike.
Gjatë këtij procesi, deputetët Belind Këlliçi, Besart Xhaferri, Edi Paloka, Fidel Kreka dhe Luçiano Boçi fyen dhe goditën me shishe uji deputetët e Partisë Socialiste, duke sulmuar deputetë si Ervin Hoxha, Arkend Balla, Fadil Nasufi, Agron Malaj dhe Bujar Rexha.
Gjithashtu, deputetët e opozitës morën pjesë në bllokimin e foltores dhe në krijimin e zhurmës e tensioneve të vazhdueshme, duke penguar zhvillimin e rregullt të seancës.
Sipas kërkesës së mazhorancës, e cila u bazua te neni 63 dhe neni 65/1 i Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë, si dhe te neni 6 i Kodit të Sjelljes së Deputetit, këto sjellje përbëjnë shkelje të rënda të normave të etikës dhe disiplinës parlamentare, duke cenuar autoritetin e Kuvendit dhe kushtet për ushtrimin e rregullt të veprimtarisë parlamentare.
Tensionet në seancën plenare, PS kërkon përjashtimin me 60 ditë nga Kuvendi të 6 deputetëve të PD-së
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.