Mokra N’Fest 7, mijëra vizitorë festuan traditat, kulturën dhe historinë
Mokra mirëpriti edicionin e shtatë të festivalit “Mokra n’Fest”, duke ofruar një ftesë të hapur për të përjetuar nga afër një traditë të ruajtur me krenari dhe të transmetuar brez pas brezi.
Ky aktivitet, i cili për vite me radhë ka bashkuar njerëz nga Mokra dhe e gjithë Shqipëria, e ka transformuar rajonin e bukur malor në një qendër tradite, kulture dhe mikpritjeje.
Ministri i Kulturës, Turizmit dhe Sportit, Blendi Gonxhja tha se “Mokra N’Fest 7 mblodhi mijëra vizitorë për të festuar traditat, kulturën, mikpritjen, historinë dhe identitetin unik të Mokrës, duke e kthyer këtë ngjarje në një simbol të bashkimit, rikthimit në vendlindje dhe promovimit të një prej zonave më autentike të Shqipërisë”.
Ky festival është një udhëtim në zemër të trashëgimisë kulturore të Shqipërisë, ku mikpritja tradicionale shfaqet në formën e saj më të mirë, peizazhet ndërthuren me historinë dhe vallëzimi bëhet një gjuhë e përbashkët gëzimi.
Gjatë festivalit, vizitorët patën mundësinë të shijojnë gatimet tradicionale të zonës, të përgatitura nga duart e grave të Mokrës.
Aktivitetet, si pjesë e festivalit përfshinë kanotazh në lumin Shkumbin, kamping në natyrë, punëtori artistësh, një ekspozitë fotografike dhe argëtim për fëmijë dhe të rinj.
Ky festival folklorik përfaqëson rikthim te rrënjët, një festë të vlerave dhe identitetit kulturor, si dhe një ftesë për të përjetuar shpirtin e Mokrës nga afër.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.