☁️
Tiranë 18°C · Vranët 15 Tetor 2026
S&P 500 7,726 ▲0.09%
DOW 52,079 ▲0.89%
NASDAQ 26,577 ▼0.43%
NAFTA 96.68 ▲2.96%
ARI 4,169 ▲1.48%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1180 EUR/GBP 0.8455 EUR/CHF 0.9320 EUR/ALL 91.4200 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.4364 EUR/TRY 55.3118 EUR/JPY 176.89 EUR/CAD 1.5899 EUR/USD 1.1180 EUR/GBP 0.8455 EUR/CHF 0.9320 EUR/ALL 91.4200 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.4364 EUR/TRY 55.3118 EUR/JPY 176.89 EUR/CAD 1.5899
₿ CRYPTO
BTC $82,046 ▲ +0.19% ETH $2,428 ▼ -0.54% XRP $1.3334 ▼ -0.06% SOL $105.4100 ▲ +0.84%
S&P 500 7,726 ▲0.09 % DOW 52,079 ▲0.89 % NASDAQ 26,577 ▼0.43 % NAFTA 96.68 ▲2.96 % ARI 4,169 ▲1.48 % S&P 500 7,726 ▲0.09 % DOW 52,079 ▲0.89 % NASDAQ 26,577 ▼0.43 % NAFTA 96.68 ▲2.96 % ARI 4,169 ▲1.48 %
EUR/USD 1.1180 EUR/GBP 0.8455 EUR/CHF 0.9320 EUR/ALL 91.4200 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.4364 EUR/TRY 55.3118 EUR/JPY 176.89 EUR/CAD 1.5899 EUR/USD 1.1180 EUR/GBP 0.8455 EUR/CHF 0.9320 EUR/ALL 91.4200 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.4364 EUR/TRY 55.3118 EUR/JPY 176.89 EUR/CAD 1.5899
15 Tet 2026
Breaking
Opinion

Mungesa e reflektimit nga Rama rrezikon thellimin e krizës politike

Kryeministri Edi Rama gjatë konferencës për shtyp të mbajtur më 13 mars 2026. Foto: Nensi Bogdani/ BIRN.

Nga: Blerina Gjoka

Në orët e para të mëngjesit të së enjtes të gjitha rrugët e Tiranës u pushtuan nga të rinj studentë dhe nxënës të gjimnazeve që bojkotuan mësimin për të dalë në protesta kundër qeverisë. Atyre iu bashkuan dhe nxënës të shkollave të mesme nga qyteti i Kamzës, ndërsa revolta u shpërnda në shumë qytete të tjera të vendit.

Demonstruesit u përplasën me forcat policore që u përpoqën të shpërndanin turmën me gaz lotsjellës dhe shkopinj gome.

Në disa sheshe të Tiranës dhe nga qytete si Shkodra, Durrësi e Korça u përhapën në media dhe rrjetet sociale pamjet e konfrontimeve mes të rinjve dhe policisë dhe aktet e dhunës ndaj objekteve publike dhe bizneseve.

Kërkesa kryesore e protestave është dorëheqja e Edi Ramës, ndërsa të rinjtë pjesëmarrës artikulojnë kërkesat e tyre për një arsim më cilësor, kushte më të mira jetese dhe mundësi punësimi.

Por, kryeministri Edi Rama dhe qeveria e tij nuk ka ofruar asnjë zgjidhje dhe asnjë masë për daljen nga kriza që ka përfshirë vendin pas përshkallëzimit të protestave paqësore që vijonin prej 4 muajsh në një revoltë të dhunshme në tre ditët e fundit.

Kryeministria nuk i dha përgjigje BIRN-it nëse kryeministri ka konsideruar të japë dorëheqjen si akt për zgjidhjen e krizës, por në një deklaratë për agjencinë e lajmeve Reuters ai tha se nuk e konsideronte dorëheqjen si opsion.

“Përgjegjësia ime është të dëgjoj, të trajtoj shqetësimet e arsyeshme dhe ta mbaj Shqipërinë në rrugën përpara. Çdo alternativë tjetër do të ishte një tradhti ndaj shqiptarëve, të cilët më dhanë një mandat të fortë për të përmbyllur negociatat për anëtarësimin në Bashkimin Evropian,” tha Rama për Reuters.

Më herët në një video të regjistruar në një ambient të djegur pranë kryeministrisë gjatë të mërkurës Rama fajësoi opozitën për aktet e dhunës dhe paralajmëroi se personat përgjegjës për sulmet ndaj institucioneve do të përballen me ligjin.

Për analistë të politikës përshkallëzimi i protestave ka prodhuar një krizë që kërkon një zgjidhje politike, ndërsa mungesa e një reflektimi nga ana e kryeministrit sipas tyre do të çojë në thellimin e kësaj krize deri në një përplasje civile.

Në një deklaratë publike “Forumi i Dialogut Politik”, një nismë e krijuar nga një grup intelektualësh, ekspertësh dhe figurash publike, bëri thirrje për gjetjen e një zgjidhje politike.

“Qeveria vijon të reagojë ndaj krizës përmes injorimit të arsyeve të krizës dhe prodhimin e propagandës që nuk e beson më askush. Kjo propagandë po drejton vëmendjen te pasojat anësore të revoltës dhe jo te arsyet rrënjësore të saj”- thuhet në deklaratën e këtij forumi.

Duke shprehur solidaritet me kërkesat e studentëve dhe qytetarëve ky forum propozon krimin e një qeverie kujdestare me mandat të kufizuar për përgatitjen e zgjedhjeve të lira e të ndershme dhe vijimin e procesit të integrimit, ndryshimin e kodit zgjedhor dhe miratimin e një kodi të ri që pasqyron nevojat përfaqësuese të shqiptareve dhe zgjedhje të parakohshme brenda vitit.

“Një sistem i ri duhet të çlirojë shtetin nga partia dhe të çlirojë ekonominë nga politika”- përfundon deklarata.

Një prej themeluesve të këtij forumi, pedagogu i Shkencave Politike, Ermal Hasimja, i tha BIRN-it se kriza që po përjeton vetëm “ka vetëm zgjidhje politike” duke nënkuptuar dorëheqjen e kryeministrit.

“Nuk zgjidhet me policë dhe as me marifete PR-i siç tenton gjithmonë t’i shmangë krizat Rama”, tha ai, duke shtuar se “natyrisht Rama nuk do të pranojë të japë dorëheqjen dhe rrjedhimisht kriza do të thellohet”.

Sipas tij, edhe nëse Rama ia del ta ftohë këtë protestë, jo shumë më vonë do të ndizet ndonjë tjetër, sepse arsyet thelbësore mbeten të pazgjidhura.

Të njëjtin qëndrim ndanë dhe analisti Andri Nurellari që argumenton se trajtimi i protestës vetëm si problem i rendit publik dhe përdorimi i tepruar i forcës policore mund të thellojnë tensionet, të radikalizojnë të rinjtë dhe ta zgjerojnë pakënaqësinë në shoqëri.

“Mund ta shpërndash një protestë me gaz lotsjellës, por nuk mund ta zhdukësh me gaz problemin që e ka shkaktuar”, tha ai për BIRN, duke shtuar se situata është në thelb “një krizë politike, besimi dhe përfaqësimi” dhe si e tillë kërkon “zgjidhje politike dhe marrje përgjegjësie nga qeveria”.

Nurellari sugjeron marrjen e tre hapave konkretë nga qeveria; “shtensionim dhe vetëpërmbajtje nga të gjitha palët, shmangie e dhunës, respektim i pronës private, proporcionalitet në ndërhyrjet policore dhe përgjegjësi individuale për incidentet, pa ndëshkim kolektiv; marrje e përgjegjësisë politike nga qeveria, përmes hetimit të abuzimeve, dëgjimit të kërkesave dhe përgjigjeve konkrete ndaj pakënaqësive dhe së treti, hapjen e rrugës për një zgjidhje politike dhe institucionale, përmes dialogut, llogaridhënies dhe mekanizmave demokratikë që rikthejnë besimin dhe legjitimitetin”.

“Sa më gjatë të vonojë përgjigjja politike, aq më shumë rrezikon të thellohet kriza, të radikalizohet rinia dhe të zgjerohet revolta”, parashikon ai.

Edhe për gazetarin Armand Shkullaku ka vetëm një zgjidhje dhe kjo është dorëheqja e kryeministrit dhe nëse kjo nuk ndodh, sipas tij “vendi do të përballet me pasoja dhe më të rënda”.

“Nëse sot dorëheqja e Ramës do ta mbyllte historinë me disa godina të djegura e me disa civilë të plagosur, mbajta e pushtetit me çdo çmim mund ta çojë vendin në një konflikt social”, tha ai për BIRN.

Në lidhje me aktorë të tjerë që mund të ndikojnë tek zgjidhja e krizës, Shkullaku apelon që çdo qëndrim nga mediat, bizneset, shoqëria civile dhe faktorët ndërkombëtarë nuk duhet të fokusohet vetëm tek dënimi i dhunës, por tek shkaqet që e kanë prodhuar krizën.

“Pengmarrja e vendit”

Që nga ardhja në pushtet në vitin 2013 Edi Rama ka krijuar ‘kultin e individit’ në Partinë Socialiste dhe përqendrimin e pushteteve në një dorë si kryeministër, ndërsa institucionet e tjera demokratike kanë ardhur duke u dobësuar gjatë qeverisjes së tij.

Edhe zemërimi popullor i protestave është drejtuar drejt emrit të tij.

Prej muajsh Rama ka zgjedhur t’i injorojë kërkesat e protestuesve, duke e trajtuar krizën si një krizë komunikimi dhe duke u mbështetur tek propaganda me platforma të reja komunikimi, si ajo e ‘pranisë besnike’ apo “pasqyrAlbania”.

Edhe kur këto protesta u kthyen në përplasje të dhunshme, në vend të një reflektimi politik, ai ka vijuar të fajësojë kundërshtarët politikë dhe të paralajmërojë ndëshkime për personat përgjegjës për aktet e dhunës.

Shkullaku është pesimist për një zgjidhje politike që do të vinte nga Kryeministri.

“Sigurisht që Rama mund ta ketë menduar dorëheqjen, qoftë tani apo më parë kur ironizonte protestat paqësore, por për të është vonë, dhe ai këtë gjë e di”, argumenton ai duke shtuar se kjo vonesë lidhet me “ngritjen e pushtetit të tij mbi abuzimin dhe krimin”.

“Duke e ditur që fundi është ose burgu, ose largimi nga Shqipëria, ai do të qëndrojë deri në fund, duke i shkaktuar katastrofën tjetër vendit, përplasjen civile”, parashikon Shkullaku, duke e konsideruar sjelljen e Ramës si një ‘pengmarrje të vendit’.

Po ashtu, sipas tij, kryeministri nuk do të japë dorëheqjen pasi si një akt demokratik nuk i përshtatet sjelljes së tij politike.

“Një njeri që s’ka njohur asnjë rregull demokratik në jetën e vet nuk mund të bëhet i tillë në fund”- përfundon Shkullaku.

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.