MV – Epidemi nga uji i pijshëm për shkak të një ndotje të rëndë bakteriale
GOSTIVAR, 21 korrik /ATSH-AFP/- Një ndotje e rëndë bakteriale është identifikuar si shkaku i një epidemie të lidhur me ujin e pijshëm në qytetin e Gostivarit.
Deri tani, mbi 3 100 persona kanë marrë trajtim mjekësor për helmim, ndërsa katër pacientë vazhdojnë të jenë të shtruar në spital.
Autoritetet ndaluan të premten përdorimin e ujit të rubinetit për rreth 32 000 banorë të Gostivarit, rreth 50 kilometra në jugperëndim të Shkupit, pasi u shfaqën rastet e para të helmimit.
Sipas Prokurorisë, shkaku ishte vendimi i kompanisë publike të ujësjellësit për të devijuar ujë nga një kanal komunal, ku derdheshin ujëra të ndotura, drejt rrjetit të ujit të pijshëm. Masa ishte marrë për të rritur presionin e ujit gjatë periudhës së konsumit të lartë dhe temperaturave të larta.
Tre persona, drejtoresha e kompanisë dhe dy punonjës, janë arrestuar dhe hetohen për ndotje të rëndë të ujit të pijshëm dhe dëmtim të mjedisit.
Sipas hetimeve, më 25 qershor ata urdhëruan instalimin e tre pompave në një kanal me ujëra sipërfaqësore të ndotura, duke pompuar ujë në rrjetin e furnizimit për rreth 20 ditë.
Analizat treguan një nivel prej 39 njësi formuese kolonish (CFU) bakteresh koliforme për 100 mililitra ujë, ndërkohë që në një sistem të mbyllur të ujit të pijshëm nuk lejohet asnjë prani e këtyre baktereve, të cilat janë tregues të ndotjes me origjinë fekale.
Derisa situata të normalizohet, autoritetet po shpërndajnë çdo ditë rreth 50 000 litra ujë të ambalazhuar për banorët, në një periudhë kur temperaturat kalojnë 35°C./ /Ad.Ab./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.