Ndryshime në buxhetin 2026/ Nga nesër nis indeksimi i pensioneve, dyfishohet pagesa për fëmijët me aftësi të kufizuar. 15 mln euro për barnat e Onkologjikut
Qeveria ka miratuar ndryshimet në buxhetin e shtetit për vitin 2026, të cilat, sipas ministrit të Financave, Petrit Malaj, janë bërë të mundura falë ecurisë pozitive të ekonomisë gjatë pesë muajve të parë të këtij viti. Ndryshimet synojnë forcimin e mbështetjes sociale, rritjen e investimeve në shëndetësi, përmbushjen e angazhimeve ndaj NATO-s dhe zgjerimin e mbështetjes financiare për bizneset.
Ministri Malaj bëri të ditur se një nga masat kryesore është indeksimi i pensioneve, i cili do të nisë nga 1 korriku, me një fond shtesë prej 872 milionë lekësh.
“Kemi indeksuar pensionet që do të nisë nga 1 korriku me një fond shtesë prej 872 milionë lekësh. Plani ynë është që nga viti i ardhshëm indeksimi të realizohet në muajin prill’, tha ai.
Një tjetër vendim i rëndësishëm është dyfishimi i pagesës për fëmijët me aftësi të kufizuar. Për këtë masë është parashikuar një financim shtesë prej 750 milionë lekësh, nga i cili do të përfitojnë 10.720 fëmijë. Vendimi hyn në fuqi më 1 korrik 2026.
Po ashtu, qeveria do të mbulojë edhe pagesën e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për kujdestarët e personave me aftësi të kufizuara, me një efekt financiar prej rreth 2 miliardë lekësh.
“Dyfishojmë pagesën për fëmijët me aftësi të kufizuar me një financim shtesë prej 750 milionë lekësh, ku përfitojnë 10.720 fëmijë. Kemi menduar edhe për kujdestarët e personave me aftësi të kufizuara, ku shteti do të mbulojë pagesën e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore”, tha Malaj.
Në sektorin e shëndetësisë do të alokohen 1.5 miliardë lekë shtesë për blerjen e barnave onkologjike dhe për përmirësimin e shërbimeve spitalore.
Sa i përket mbrojtjes, ministri Malaj theksoi se Shqipëria do të përmbushë angazhimet e saj ndaj NATO-s, duke shtuar 10.3 miliardë lekë në buxhetin e mbrojtjes. Me këtë financim, shpenzimet për mbrojtjen do të arrijnë në 2.6% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, duke mbështetur modernizimin e Forcave të Armatosura dhe rritjen e kapaciteteve të tyre.
“Do të përmbushim të gjitha angazhimet tona në raport me NATO-n. Për sektorin e mbrojtjes do të alokohen 10.3 miliardë lekë shtesë, duke e çuar financimin në 2.6% të PBB-së dhe duke mbështetur modernizimin e ushtrisë”, tha minsitri.
Një tjetër ndryshim i rëndësishëm lidhet me garancinë sovrane. Nëse më parë garancia ishte e dedikuar kryesisht për fermerët, tashmë ajo do të jetë e aksesueshme edhe për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.
“Rrisim shumën e garancisë sovrane nga 3 miliardë në 5 miliardë lekë dhe zgjerojmë fushën e përfituesve. Ajo nuk do të jetë vetëm për fermerët, por edhe për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme”, tha Malaj.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.