Nga moda te humanizmi: Heidi Klum merr detyrë të re në UNICEF
Supermodelja Heidi Klum është emëruar ambasadorja më e re e UNICEF USA, duke shënuar një etapë të re në angazhimin e saj shumëvjeçar për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve në mbarë botën, bën të ditur revista “People”.
Klum bashkëpunon me UNICEF-in që prej vitit 2011 dhe gjatë viteve është bërë një nga mbështetëset më të njohura të organizatës. Ajo ka udhëhequr fushatën e famshme “Trick-or-Treat for UNICEF” dhe ka vizituar vende si Haiti dhe India për të parë nga afër punën humanitare të organizatës.
Në një intervistë ekskluzive, Klum u shpreh se emërimi si ambasadore ka një rëndësi të veçantë për të.
“Jam jashtëzakonisht e nderuar nga ky vlerësim. Pas viteve të bashkëpunimit me UNICEF-in, ky rol e forcon edhe më shumë angazhimin tim për të ndihmuar fëmijët në mbarë botën. Është privilegj të përdor zërin tim për të mbështetur misionin e UNICEF-it dhe të drejtën e çdo fëmije për një të ardhme të shëndetshme, të sigurt dhe plot shpresë.”
Modelja kujtoi momentet që e kanë prekur më shumë gjatë udhëtimeve në Haiti dhe Indi. Sipas saj, pamja e foshnjave të lindura para kohe në Haiti, të mbështjella me qese plastike për shkak të mungesës së pajisjeve mjekësore, ishte një përvojë që nuk do ta harrojë kurrë.

“Si nënë, kuptova se pavarësisht se nga vijmë, çdo prind dëshiron të njëjtën gjë, që fëmijët e tij të ndihen të sigurt, të dashur dhe të mbrojtur. Kur një fëmijë kupton se edhe disa monedha të mbledhura mund të sigurojnë ujë të pastër, ilaçe ose ushqim për një fëmijë tjetër në anën tjetër të botës, ai mëson empatinë dhe kupton se nuk është kurrë shumë i vogël për të bërë ndryshim”
Emërimi i Klum vjen pak ditë përpara shënimit të International Day of Play më 11 qershor. Ajo theksoi se loja nuk është luks, por një e drejtë themelore e çdo fëmije si dhe u shpreh optimiste falë brezit të ri.
“Edhe në kohët më të vështira, fëmijët meritojnë të qeshin, të imagjinojnë dhe thjesht të jenë fëmijë. Loja mund të sjellë shpresë dhe shërim për fëmijët që jetojnë në konflikte dhe kriza. Fëmijët dhe të rinjtë e sotëm janë të vetëdijshëm, të apasionuar dhe nuk kanë frikë të shprehin mendimin e tyre. Kur shoh energjinë e tyre dhe punën që UNICEF bën çdo ditë për një botë më të drejtë, kam shumë shpresë për të ardhmen.”
Heidi Klum është modele, prezantuese televizive dhe sipërmarrëse gjermano-amerikane, e cila u bë e njohur ndërkombëtarisht në vitet ’90 si një nga figurat kryesore të industrisë së modës dhe pjesë e Victoria’s Secret.
Gjatë karrierës së saj ajo ka punuar edhe në televizion si prezantuese dhe producente, përfshirë spektaklet e njohura Project Runway dhe America’s Got Talent. Përveç suksesit në showbiz, Klum është aktive edhe në filantropi. Klum është nënë e katër fëmijëve.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.