Një vdekje, një biçikletë e zhdukur dhe katër vjet pa përgjigje – avokatja kërkon zbardhjen e rastit të shqiptaro-amerikanit
Avokatja Fehmije Bytyqi, e autorizuar nga familja Dervishi për përfaqësimin e saj në rastin e vdekjes së një shtetasi amerikan në Gjakovë, ka ngritur një sërë shqetësimesh lidhur me mënyrën se si është trajtuar ky rast nga organet e drejtësisë në Kosovë.
Në një konferencë për media, Bytyqi deklaroi se që nga marrja e autorizimit nga familja ka ndërmarrë veprime ligjore për të siguruar qasje në shkresat e lëndës, por pretendoi se prokuroria nuk ia ka mundësuar qasjen e plotë në dokumentacion.
Ajo tha se i është drejtuar vazhdimisht prokurores që e ka trashëguar rastin, si dhe kryeprokurorit të Prokurorisë në Gjakovë, duke kërkuar informacione dhe dokumentacion lidhur me hetimet për vdekjen e ndodhur në vitin 2022.
Sipas avokates, një pjesë e materialit të rastit ndodhet në Zvicër dhe, siç është njoftuar nga prokuroria, autoritetet zvicerane kanë bërë të ditur se përgjigjja e tyre pritet brenda një viti, ndërsa hetimi është pezulluar.
Bytyqi tha se dyshimet e familjes për rrethanat e vdekjes janë ngritur që nga momenti kur vëllai i viktimës, Haki Dervishi, kishte shkuar në Kosovë pas lajmit për vdekjen e tij.
Ajo theksoi se një nga elementet që ka shtuar dyshimet është gjendja e biçikletës, me të cilën viktima dyshohej se kishte qenë në momentin e ngjarjes.
“Çka është tejet shqetësuese, biçikleta në mënyrë absolute nuk është e dëmtuar, nuk është e prekur”, deklaroi Bytyqi, duke iu referuar dokumenteve dhe fotografive që, sipas saj, ka shqyrtuar gjatë përfaqësimit të familjes.
Avokatja tha se familja ka vënë në pikëpyetje se si mund të ketë ndodhur një aksident trafiku me pasoja fatale, kur biçikleta e viktimës nuk kishte shenja dëmtimi.
Ajo ngriti edhe një tjetër çështje që e cilësoi veçanërisht shqetësuese: zhdukjen e mëvonshme të biçikletës.
Sipas saj, ndonëse biçikleta ishte gjetur në vendin e ngjarjes, ajo nuk ishte sekuestruar nga policia, me arsyetimin se nuk kishte qenë e dëmtuar dhe se sekuestrimi nuk ishte i nevojshëm.
“Është tejet mister, ajo biçikletë me të cilën Haki Dervishi e ka ngritur shqetësimin për vdekjen e vëllait, pas një kohe është vjedhur, domethënë është eliminuar, është asgjësuar, nëse mund të thuhet”, u shpreh avokatja.
Bytyqi shtoi se gjatë hetimeve, çështja e biçikletës nuk ishte trajtuar në mënyrë të duhur, pavarësisht rëndësisë që familja i kishte kushtuar këtij elementi.
Ajo tha se edhe pas angazhimit të saj dhe kërkesave zyrtare drejtuar institucioneve, prokurorisë i ishin dashur gati tre vjet për të kërkuar sqarime nga Policia e Kosovës lidhur me fatin e biçikletës.
“Unë kam insistuar dhe e kam ngritur zyrtarisht çështjen e biçikletës dhe imagjinoni, afër tre vjet i ka rënë prokurorisë për të kërkuar sqarime nga Policia e Kosovës lidhur me atë biçikletë”, deklaroi Bytyqi.
Familja Dervishi vazhdon të kërkojë zbardhjen e plotë të rrethanave të vdekjes, ndërsa pretendimet e avokates për trajtimin e provave dhe veprimet e institucioneve kërkojnë sqarim nga Prokuroria dhe Policia e Kosovës./Telegrafi.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.