SHENZHEN – Trump fajëson Obamën për afrimin e Rusisë me Kinën: I nxiti drejt njëra-tjetrës
– Presidenti amerikan, Donald Trump fajësoi ish-presidentin e SHBA-së, Barack Obama, për afrimin politik dhe ekonomik mes Rusisë dhe Kinës, duke pretenduar se politikat e administratës së tij i shtynë të dyja vendet të forconin bashkëpunimin.
Në një intervistë për televizionin “Fox News”, Trump u pyet për rëndësinë e takimit të tij me presidentin kinez, Xi Jinping, dhe presidentin rus, Vladimir Putin, në të njëjtën kohë, në Shenzhen të Kinës.
Ai argumentoi se Moska dhe Pekini kanë krijuar një marrëdhënie të ngushtë bashkëpunimi, e cila, sipas tij, nuk duhej të ishte lejuar të zhvillohej në këtë mënyrë.
“Po punojnë së bashku dhe kanë krijuar një marrëdhënie. Një marrëdhënie që nuk duhej të ishte lejuar kurrë”, deklaroi Trump.
Më tej, presidenti amerikan ia atribuoi përgjegjësinë ish-presidentit demokrat Barack Obama, duke përjashtuar nga kjo përgjegjësi edhe ish-presidentin Joe Biden.
“Ata ishin kundërshtarë natyrorë. Ishte Obama, jo Biden, ai që i nxiti drejt njëra-tjetrës”, u shpreh Trump.
Sipas tij, afrimi mes dy vendeve u ndikua veçanërisht nga bashkëpunimi në fushën e energjisë.
Trump argumentoi se Kina ka nevojë për burimet energjetike të Rusisë, ndërsa të dyja vendet kanë interesa të përbashkëta edhe në lidhje me territorin.
“Energjia i afroi, sepse Kina ka nevojë për të. Dhe kanë nevojë edhe për territor”, shtoi ai.
Deklarata e tij erdhi disa orë përpara takimit tripalësh të planifikuar mes Trump, Putin dhe Xi Jinping, në samitin e APEC-ut në Shenzhen.
Rusia është një nga furnizuesit e rëndësishëm të Kinës me naftë dhe gaz natyror. Pas vendosjes së sanksioneve perëndimore ndaj Moskës për shkak të luftës në Ukrainë, bashkëpunimi energjetik mes dy vendeve ka marrë rëndësi edhe më të madhe.
Marrëdhëniet mes Moskës dhe Pekinit kanë rrënjë historike dhe janë ndikuar nga zhvillime të shumta gjeopolitike dhe ekonomike. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.