Kandidatët janë gati dhe alternativat duhen
Nga Ylli Manjani
Duket se PS, PD dhe Arlind Qori i kanë pak a shumë gati kandidatët për Bashkinë e Tiranës. Ervin Demo, Ilir Alimehmeti dhe vetë Arlind Qori janë emrat që përfliten. Në sfond endet ende Florian Binaj, si kandidat i mbështetur nga Lapaj.
Ndërkohë, një pjesë e opozitarizmit të rrugës duket më e përqendruar te përplasjet, koshat e djegur dhe semaforët e shkulur sesa te mënyra se si duhet qeverisur qyteti.
Pra, emrat i kemi. Partitë i kemi. Qytetin e kemi. Ajo që ende nuk kemi janë alternativat se çfarë do të bëhet me këtë qytet!
Sepse Tirana nuk është një qytet të cilit i mungojnë paratë. Është një qytet të cilit, pavarësisht parave të shpenzuara, vazhdojnë t’i mungojnë investimet e mëdha infrastrukturore.
Në 11 vitet e fundit, buxheti i Bashkisë së Tiranës ka shpenzuar rreth 2 miliardë euro para buxheti. Por, pas gjithë këtyre parave, Tirana ende nuk e ka zgjidhur problemin elementar të kanalizimit dhe trajtimit të ujërave të ndotura.
Kryeqyteti ynë vazhdon të bashkëjetojë me Lanën, një përrua që përshkon mesin e qytetit dhe që, në segmente të caktuara, mbart ndotje dhe erën e produktit tonë të përbashkët të çdo sabahu.
Me fjalë më pak teknike, ne ende nuk kemi arritur të ndajmë qytetin nga kaka jonë e përbashkët!
Kjo nuk është metaforë politike. Është problem kanalizimesh!
Hej, si thoni sikur të vendosim një stekë fare të thjeshtë për kandidatët e rinj?
Jo kush flet më bukur. Jo kush ka fotografinë më të mirë. As kush premton më shumë lulishte, sheshe, kulla apo qendra të reja urbane.
Por kush na shpjegon si, me sa para dhe brenda sa vitesh do të kanalizohen dhe trajtohen ujërat tona të zeza?!
Për çfarë na duhet bashkia nëse nuk arrin të kryejë atë funksion për të cilin qytetërimet kanë investuar që në lashtësi, largimin e ujërave të ndotura nga vendbanimet e njerëzve?!
Romakët ndërtuan kanalizime dy mijë vjet më parë. Ne, në vitin 2026, vazhdojmë të diskutojmë për projekte zhvillimi urban, ndërsa problemi më elementar i higjienës qytetare mbetet i pazgjidhur.
Nuk më hyjnë më në sy premtimet për projekte madhështore, qendra multifunksionale, rikualifikime urbane apo transformime historike. Këto gjëra i bën paraja dhe biznesi privat tashmë. Të gjitha mund të jenë të dobishme, por asnjëra nuk zëvendëson infrastrukturën bazë, atë për të cilën ekziston komuna/bashkia.
Një qytet nuk bëhet europian nga fasadat, por nga infrastruktura që funksionon edhe aty ku syri nuk e sheh. Dhe pikërisht këtu duhet të fillojë debati për Tiranën.
Sa do të kushtojë zgjidhja përfundimtare e kanalizimeve? Ku do të trajtohen ujërat e ndotura? Cili është projekti? Cili është afati? Sa nga buxheti vjetor do të shkojë për investime që u shërbejnë brezave dhe jo vetëm mandateve të kryetarëve?
Këto janë pyetje për secilin kandidat, pavarësisht partisë që e propozon.
Sepse semaforët e shkulur do të ngulen përsëri. Koshat e djegur do të zëvendësohen. Edhe pllakat e trotuareve do të ndërrohen për të disatën herë. Por nuk e di nëse miliardat e ardhshëm të buxhetit do të shpenzohen përsëri për rrush e kumbulla, apo për investime të mëdha që i mbeten qytetit.
Kandidatët mund të jenë gati. Por qyteti ka nevojë për alternativa, jo thjesht për emra.
Dhe, për fillim, nuk do të ishte keq që secili prej tyre të na tregonte se kur do të vijë dita që Tirana të mos mbajë më erë kakë.
Nuk është ndonjë ambicie e madhe europiane.
Është minimumi i qytetërimit.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.