OKB miratoi rezolutën kundër embargos ndaj Kubës, Mali i Zi abstoi
Asambleja e Përgjithshme e miratoi rezolutën për të 34-in vit radhazi me 130 vota pro, 17 kundër dhe 25 abstenime — mbështetja më e dobët që nga viti 1992, pas fushatës së Uashingtonit për të ndikuar në votim.
Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi të mërkurën rezolutën që kërkon heqjen e embargos ekonomike, tregtare dhe financiare të SHBA-ve ndaj Kubës, për të 34-in vit radhazi, siç njofton Dan. Rezoluta u miratua me 130 vota pro, 17 kundër dhe 25 abstenime, ndërsa ndër vendet që abstenuan ishte edhe Mali i Zi.
Kundër rezolutës votuan, mes tjerash, Bosnja e Hercegovina, Kolombia, Kosta Rika, Ekuadori, Lituania, Maroku, Maqedonia e Veriut, Paraguai dhe Sllovenia, shumica e tyre për herë të parë, si dhe, si vitet e kaluara, SHBA-të dhe Izraeli. Për herë të parë në 34 vjet abstenuan edhe disa vende perëndimore, mes tyre Gjermania, Italia dhe Letonia.
Mbështetja këtë herë ishte dukshëm më e dobët se në tetor 2025, kur rezoluta ishte miratuar me 165 vota pro, 7 kundër dhe 12 abstenime, ndërsa rënia e mbështetjes është rezultat i fushatës së Uashingtonit për të ndikuar në rezultat. Ky është rezultati më i dobët që nga viti 1992, kur Kuba filloi ta paraqesë rezolutën, ndërsa mbështetja më e madhe ishte në vitin 2016, me 191 vota pro dhe asnjë kundër.
Para votimit, ministri i Jashtëm kuban Bruno Rodríguez tha se një fuqi e madhe po e sulmon me luftë ekonomike një anëtare të OKB-së: “Kuba nuk është kërcënim. Bllokada është kërcënim.” Rezolutat e Asamblesë së Përgjithshme nuk janë juridikisht të detyrueshme, por pasqyrojnë qëndrimin e bashkësisë ndërkombëtare, ndërsa embargon mund ta heqë vetëm Kongresi i SHBA-ve.
Kuba është nën presion të madh që kur presidenti amerikan Donald Trump njoftoi në fund të janarit tarifa për çdo vend që i shet ose i dërgon naftë ishullit, gjë që praktikisht e ndërpreu furnizimin me karburant dhe shkaktoi ndërprerje të shpeshta të energjisë elektrike. Pasojat janë ndier edhe në furnizimin me ujë, përgatitjen e ushqimit dhe shërbimet telefonike e të internetit.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.