Partia Socialiste feston 35-vjetorin, Manastirliu: Socialistët udhëheqin projektin europian të Shqipërisë
Drejtuesja politike e qarkut të Tiranës, Ogerta Manastirliu, në fjalën e saj përshëndetëse në kuadër të 35-vjetorit të themelimit të Partisë Socialiste, theksoi rëndësinë e këtij përvjetori si një histori politike, por mbi të gjitha si një histori njerëzore.
“Jemi këtu për të kujtuar dhe festuar përvjetorin e PS. Një histori politike, por një histori njerëzore. Janë 35 vite që kemi kaluar ngjarje, të mira, sfida dhe vështirësi. Por socialistët, kryesisht themeluesit e saj, ditën që nga dita e themelimit të saj të pozicionoheshin nga ana e duhur e historisë. Ishte pikërisht transformimi i saj që i dha drejtimin e duhur PS si partia më e madhe progresiste në vend,” u shpreh Manastirliu.
Ajo kujtoi me mirënjohje figurat e shquara që kanë lënë gjurmë në historinë e Partisë Socialiste:
“Dua të kujtoj dhe mirënjohje të thellë, të paharrueshmit që sot nuk janë mes nesh, por do të mbeten në memorien dhe historinë e PS. Kryetarin e saj të parë Fatos Nano, patriarkun e PS-së Dritëro Agolli, Prof. Servet Pëllumbi, ish-kryeministrin Bashkim Fino, e shumë e shumë të tjerë themelues. Ndaj shpreh mirënjohjen së bashku me të gjithë ata themelues të PS që i mbajtën bashkuara vlerat më të larta europiane për 35 vite.”
Manastirliu theksoi se Partia Socialiste ka ditur të udhëheqë me dinjitet edhe në periudhat më të vështira, duke marrë përgjegjësinë për rimëkëmbjen e vendit në vitin 1997 dhe duke fituar katër mandate radhazi nga qytetarët shqiptarë.
“PS ka parë gjithmonë nga e ardhmja, dhe në fakt edhe në vitet më të trazuara ka ditur të udhëheqë me dinjitet. Njerëzit i besojnë PS për të vijuar projektin politik për Shqipërinë europiane. Kujtojmë vitin ’97 kur PS mori përgjegjësinë për të rimëkëmbur vendin. Katër mandate radhazi iu besua nga qytetarët shqiptarë, projekti politik por mbi të gjitha aspirata e ngahershme e gjithë shqiptarëve për ta çuar Shqipërinë në BE. Historia e PS është shkruar nga mijëra gra dhe burra, që kanë punuar për të mbajtur të bashkuara këto vlera europiane,” përfundoi Manastirliu.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.