Pastruan para përmes blerjes së tokave në Dhërmi, SPAK çon për gjykim 4 persona. Skema, përmes 3 kompanive fasadë
SPAK ka dërguar për gjykim katër persona të akuzuar për pastrim parash dhe pjesëmarrje në një skemë të dyshuar kriminale, e cila sipas hetimeve funksiononte përmes tre shoqërive tregtare të krijuara në Shqipëri. Sipas Prokurorisë së Posaçme, të pandehurit përdorën kompanitë “Wingwort” sh.p.k., “Wortnova” sh.p.k. dhe “Wortend” sh.p.k. për të futur në ekonominë formale fonde me origjinë të dyshuar kriminale.
Në kërkesën e depozituar pranë Gjykatës së Posaçme, SPAK ka marrë të pandehur Domingo Romillo Iriarte, Mihaela Munteanu Manole dhe Alvaro Romillo Castillo për veprën penale të pastrimit të produkteve të veprës penale, të kryer në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal, ndërsa Doris Pere akuzohet për pastrim parash në bashkëpunim.
Sipas dosjes hetimore, tre shoqëritë u regjistruan në Shqipëri në qershor të vitit 2024 me kapital minimal, në të njëjtën adresë dhe pa zhvilluar aktivitet real ekonomik. Hetimet kanë evidentuar se ato janë përdorur për të kanalizuar fonde të dyshuara kriminale përmes transaksioneve bankare dhe tatimore me vlera të konsiderueshme, faturave të dyshuara si fiktive, pagesave pa dokumentacion justifikues dhe transfertave ndërkombëtare me subjekte të huaja.
SPAK thekson se shoqëria “Wortend” sh.p.k. ka realizuar qarkullime financiare që nuk përputheshin me aktivitetin e deklaruar apo kapacitetet reale ekonomike. Gjithashtu janë konstatuar kreditime bankare që tejkalonin vlerën e faturave të lëshuara, pagesa ndaj kompanive të huaja pa dokumentacion mbështetës, si dhe investime në pasuri të paluajtshme dhe automjete me vlerë të lartë.
Një pjesë e fondeve, sipas hetimeve, është përdorur për blerjen e dy pronave në zonën e Dhërmiut, me sipërfaqe totale prej 23.16 hektarësh, kundrejt një vlere të deklaruar prej 1,621,200 euro. Akti i ekspertimit ka nxjerrë në pah se vlera reale e tregut e këtyre pronave në momentin e shitblerjes ishte më e lartë se ajo e deklaruar në kontrata.
Hetimet janë mbështetur edhe nga bashkëpunimi ndërkombëtar me autoritetet gjyqësore të Mbretërisë së Spanjës, të cilat kanë informuar se disa prej të pandehurve janë subjekt hetimi edhe për vepra penale të mashtrimit.
Sipas SPAK, Domingo Romillo Iriarte kishte rolin drejtues dhe organizues të skemës, duke administruar shoqëritë tregtare, orientuar qarkullimin e fondeve dhe vendosur për investimet në pasuri të paluajtshme dhe asete të tjera. Mihaela Munteanu Manole dhe Alvaro Romillo Castillo dyshohet se kontribuuan në funksionimin e skemës përmes roleve të tyre formale në shoqëritë “Wortnova” dhe “Wortend”, ndërsa Doris Pere dyshohet se ka kryer veprime administrative, bankare dhe organizative në Shqipëri për të lehtësuar funksionimin e saj.
Mbi pasuritë në pronësi të Domingo Romillo Iriarte, Alvaro Romillo Castillo dhe Mihaela Munteanu Manole është vendosur masa e sigurimit pasuror “sekuestro preventive”.
Në përfundim të hetimeve, Prokuroria e Posaçme vlerëson se provat e administruara janë të mjaftueshme për dërgimin e çështjes në gjyq ndaj katër të pandehurve.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.