Pensionet e ulëta lënë vlonjatët pa pushime
Një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve vlonjatë dhe veçanërisht pensionistët janë të privuar nga e drejta për të bërë pushime. Kjo jo nga mungesa e mundësive, vendeve apo plazheve se ku mund të pushojnë, por nga ekonomia e dobët, që nuk i lejon, siç tregojnë edhe ata vetë, të pushojnë siç dëshirojnë.
Pensionet dhe pagat janë tepër të ulëta, duke bërë që pushimet për ta të kthehen në një luks. Tarifat e vendosura për çadrat dhe shezlongët, prej 700 lekësh, thonë se nuk i përballojnë dot, duke u detyruar të pushojnë në hapësirat publike, aty ku marrin çadrat me vete dhe ulen në bregdet. Pushuesit tregojnë se duhet të kenë më tepër mundësi se ku të pushojnë, më tepër hapësira publike falas për ta, pasi shumica janë zaptuar nga privati. Gjithashtu, sipas tyre, shteti duhet të ndërhyjë edhe në përmirësimin e gjendjes ekonomike, duke nisur nga rritja e pagave dhe pensioneve.
“Me këtë plazh, me 7 mijë lekë çadra, nuk ia dalim dot, ndaj vijmë këtu në rërë. Zgjidhje tjetër s’kemi, s’ia dalim dot ne. S’ikim dot deri te uji, i ftohtë qoftë ai që është pa lekë atje. Zgjidhja është atë plazh ta bëjnë me 2 a 3 mijë lekë për ne, një tarifë më të ulët. Të gjithë duhet të kenë mirëqenie. Shpresa vdes e fundit”, tha një qytetare.
Një tjetër zonjë shprehet: “Mirë po kalojmë, deti shumë i mirë, po keq janë shezlonët që i kanë sjellë deri tutje. Mundësi ekonomike kam deri këtu te shkallët, atje s’vete dot se pensioniste jam. Gjallë në botë si i përballoj dot? Asnjëherë. Kush është ai që s’do më shumë? S’do qorri sy. Nuk përballohet me këto pensione.”
“Ne pensionistat na ka hequr nga lista fare. I kanë degdisur atje poshtë për t’i hequr qafe. Kanë ngelur tani me pensionet tona, janë të papërballueshme. Ku paguhet çadra 7 mijë lekë? Me shpenzime ditore s’del për 5 ditë, jo një muaj. Duhet të rriten pensionet”, tha një zotëri.
Besnikët e bregdetit në çdo stinë mbeten qytetarët vlonjatë dhe veçanërisht ata në moshë pensioni. Pavarësisht mundësive të pakta ekonomike, ata i gjejnë mënyrat për të pushuar, dikush i ulur në gurë apo shkëmbinj, të tjerë në shkallë dhe shumë në plazhet publike, duke vendosur çadra personale.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.