POLONI – Përshkallëzohet kriza institucionale, policia ndërhyn pranë Gjykatës Kushtetuese
– Polonia po përballet me një përshkallëzim të konfliktit politik dhe institucional, pas ndërhyrjes së policisë në ambientet përreth Gjykatës Kushtetuese në Varshavë dhe pezullimit të drejtuesve të saj, sipas AP.
Tensionet u rritën sot, pas pezullimit të kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Bogdan Swieczkowski, dhe zëvendëskryetarit Bartlomiej Sochanski.
Vendimi u mor nga gjyqtarë të zgjedhur nga shumica aktuale parlamentare, në kuadër të përplasjes për përbërjen dhe funksionimin e gjykatës.
Policia u vendos në ambientet e jashtme të institucionit, pas kërkesave për të garantuar sigurinë e gjyqtarëve dhe punonjësve, si dhe për të parandaluar përshkallëzimin e protestave.
Sipas policisë polake, efektivët nuk hynë në ndërtesën e Gjykatës Kushtetuese, por vepruan vetëm në territorin e jashtëm.
Gjatë përplasjeve me protestuesit, disa prej të cilëve hodhën sende të rrezikshme në drejtim të policisë dhe kaluan rrethimin e institucionit, u arrestuan tre persona.
Ngjarjet detyruan presidentin polak, Karol Nawrocki, të ndërpresë vizitën zyrtare në Senegal dhe të kthehej në Varshavë.
Përplasja lidhet me konfliktin e gjatë mes qeverisë së kryeministrit Donald Tusk dhe partisë opozitare “Ligj dhe Drejtësi” (PiS), e cila drejtoi vendin nga viti 2015 deri në vitin 2023.
Qeveria e Tusk synon të ndryshojë sistemin e drejtësisë dhe të rikthejë pavarësinë e institucioneve gjyqësore, duke argumentuar se reformat e ndërmarra nga qeveria e mëparshme kishin cenuar pavarësinë e tyre.
Nga ana tjetër, opozita dhe presidenti Nawrocki kundërshtojnë mënyrën se si qeveria po ndërhyn në funksionimin e Gjykatës Kushtetuese.
Kreu i pezulluar i gjykatës, Swirczkowski, e cilësoi vendimin si një “grusht shteti”, ndërsa drejtuesit e opozitës e kanë dënuar atë, duke e konsideruar një sulm ndaj rendit kushtetues.
Kryeministri Tusk mbrojti veprimet e qeverisë, duke deklaruar se rikthimi i shtetit të së drejtës, është një detyrim dhe se procesi kërkon masa vendimtare.
Përplasja e fundit është pjesë e një krize më të gjerë mbi emërimet e gjyqtarëve dhe autoritetin e Gjykatës Kushtetuese, e cila prej vitesh është në qendër të konfliktit mes forcave politike në Poloni. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.