Ekonomia

Projektligji i Falimentit, ja çfarë përmban drafti që ka shkuar në qeveri

Projektligji i Falimentit tashmë gjendet në tryezën e qeverisë dhe ende nuk dihet se kur mund të kalojë për diskutim në Kuvend. Në lidhje me këtë draft ekspertët japin komente të ndryshme mbi efektet që do të ketë në zbatimin e tij, ku një pjesë nuk bien dakord me përmbajtjen e tij. Sipas tyre Falimenti duhet të trajtohet me një Kod dhe jo me një ligj. Ai është hartuar nën asistencën e IFC-së.

Sipas draftit të Ministrisë së Drejtësisë projektligji “Për Falimentimin” synon të caktojë rregulla të detyrueshme, të njëjta dhe tëbarabarta, si dhe të lehtësojë zgjidhjen dhe shlyerjen e detyrimeve të debitorit brenda dhe/ose jashtë procedurës së falimentimit. Ai përmban 210 nene dhe përbëhet nga 11 pjesë.

Ja cilat janë risitë kryesore:

Subjektet që i nënshtrohen falimetimit

• Projektligji parashikon zgjerimin e diametrit të rrethit të subjekteve, tek të cilët shtrin efektet e veta falimentimi ku përfshihen: personat fizikë (të tillë si individë, konsumatorë apo tregtarë); personat juridikë (të tillë si, personat juridik privatë dhe publikë, fitimprurës dhe jofitimprurës); si dhe njësitë administrative vendore.
• Lidhur me rrethin e veprimtarive me interes të publikut, projektligji ka parashikuar që këto subjekte do t’i nënshtrohen rregullave të përgjithshme të falimentimit, kur falimentimi rregullohet nga ligjet e posaçme, duke mbetur në këtë pikë në parashikimiet që ka edhe ligji ekzistues. Ndërkohë projektligji ka parashikuar që ky rregullim të ndikojë mbi subjektet që ushtrojnë veprimtari në interes publik vetëm për sa kohë ato janë të liçensuar për kryerjen e
këtyre veprimtarive.
• Po ashtu, është vendosur si një risi nga Projektligji, se në rast se ligjet e posaçme që rregullojnë sektorët publik apo strategjik, nuk parashikojnë rregullat e falimentimit, atëherë çdo subjekt, sipas paragrafit të parë të këtij neni, ka të drejtë të kërkojë hapjen e procedurës së falimentimit, vetëm pasi të marrë lejen paraprake nga autoriteti rregullator përkatës.

Gjykata

• Lidhur me kompetencat e gjykatës, janë qartësuar kompetencat dhe procedurat e vendimmarrjes së gjykatës, duke e bërë më fleksibël dhe të shpejtë ndërhyrjen e gjykatës nëpërmjet vendimeve apo urdhërave që jepen vetëm me bazë konsultimi mbi aktet, pa nevojën e një seancë dëgjimore të detyrueshme.

Subjektet monitoruese

Në projektligj sugjerohet që rrethi i subjekteve monitoruese apo që kanë të drejtën që të jenë të mirë-informuara lidhur me procedurat e falimentimit të mbetet jo vetëm në kuadrin e AMF-së, të gjykatës së falimentimit, të mbikqyrësit, apo të kujdestarit, (sic është në ligjin ekzistues), por të shtohet edhe roli i Prokurorisë, i Kontrollit të Lartë të Shtetit apo i Autoriteteve Mbikqyrëse të sektorëve të ndryshëm me interes publik. Roli i këtyre subjekteve lidhet me marrjen dijeni apo verifikimin e dokumentave, vendimeve gjyqësore, të planit të riorganizimit, ristrukturimit të borxheve apo të transfertave të tre viteve të fundit të subjektit para falimentimit. Kjo me qëllim shmangien e abuzimit apo mashtrimit me procedurat e falimentimit.

Kostot dhe shpenzimet e falimentimit

• Ligji aktual, parashikon mbylljen ose mos-fillimin e procedurës së falimentimit dhe çregjistrimin nga regjistri kombëtar të debitorit, i cili nuk ka mjetet e mjaftueshme për të mbuluar kostot e procedurës së falimentimit. Ky rregullim krijon mundësi të mëdha për skema mashtrimi nëpërmjet falimentimit. Grupi i punës ka kërkuar të gjejë zgjidhje që të shmangi
dështimin e procedurës së falimentimit, për shkakt të mungesës së mjeteve të debitorit.
• Lidhur me çështjet e kostove apo të shpenzimeve të falimentimit të cilat figurojnë si një nga pengesat që bllokojnë procedurën kur subjekti ka paaftësi paguese, projektligji parashikon krijimin një depozite garancie për të mbuluar këto shpenzime. Kjo depozitë parashikohet të krijohet si një fond i posaçëm nga subjektet tregtare apo sipërmarrësit pas vitit të
tretë të veprimtarisë së tyre dhe depozitohet në bankë në emër të tyre, me kusht që depozituesi rifiton të drejtën e përdorimit të saj në rastin kur e mbyll veprimtarinë e vet me anë të likuidimit.
• Veç kësaj, projektligji parashikon një mundësi që të parashikohet një fond publik që do të menaxhohet nga AMF-ja dhe që synon të shmangë bllokimin e procedurave për shkak të dorëheqjes së administratorit apo të refuzimit të detyrës prej tij. Parashikimi i riskut tëfalimentimit që në zanafillën e një aktiviteti tregtar nuk e step atë, por e bën më realist.
Meqënëse, nga pikëpamja ekonomike, një biznesi i duhet të paktën tre vjet të kutpojë nëse po operon me sukses apo jo, projektligji i jep mundësi subjekteve tregtare që të shohin se nëse kurba e fitimit të tyre vjen drejt shifrave pozitive pas tre vitesh, ata në këtë moment të krijojnë depozitën e sipërpërmendur. Në të kundërt, ata mund të kalojnë në likujdim kur konstatojnë se nuk janë ë sukseshëm, pa e çuar gjendjen e tyre financiare drejt falimentimit.

Roli dhe statusi i administratorit
• Lidhur me administratorin, projektligji ka parashikuar si risi qartësimin e personave që marrin role mbikqyrëse gjatë procedurës së falimentimit. Në projektligj parashikohen tre lloj administatorësh: administratori i falimentit, administratori i përkohshëm i falimentimit dhe administratori mbikqyrës, të cilët kanë të njëjtin status dhe të njëjtat kritere përzgjedhëse, por që marrin rolet sipas momentit kohor kur veprojnë apo specifikave të rolit që përmbushin.
• Lidhur me trajtimin e administratorit, draftigji ka parashikuar si risi ndarjen e shpërblimit të adminsitratorit në dy pjesë: administratori i falimentimit ka të drejtën e pagës mujore, si dhe të drejtën e shpërblimit si përqindje mbi sasinë e detyrimeve të shlyera nga masa e falimentimit dhe të rimbursimit për shpenzimet e bëra gjatë përmbushjes së detyrës.

Risitë lidhur me bashkërendimi e ligjit për procedurat e falimentimit me ligjin për procedurat tatimore.
• Projektligji parashikon se nga pikëpamja procedurale ligji i falimentimit do të preferohet si i vetmi ligj që rregullon këtë procedurë në raport me ligjin mbi tatimet dhe taksat.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button