Protesta pa ide është dhunë kundër vetes
Nga Ilir Yzeiri
Protestat e fundit që kanë nxjerrë në pah disa kapuçonë të zinj që sulmojnë e djegin ndonjë cep ministrie, që përleshen pa asnjë motiv e pa asnjë ide me policët e pafajshëm përpara godinës së Ministrisë së Arsimit, apo që sulmojnë ndonjë bankë e shqyejnë ndonjë bankomat, janë karikatura e manifestimeve të mëdha popullore që lindin nga poshtë dhe që përgatiten si pasojë e një zemërimi të madh popullor për shkaqe ekonomike, politike apo sociale dhe nuk janë protesta e studentëve.
Këto nuk kanë të bëjnë me protestën madhështore të studentëve vite më parë që e tronditën qeverinë socialiste të asaj kohe. Sipas paradigmës së njohur deri tani, lëvizje të tilla të fuqishme, që ndonjëherë kthehen në dhunë të thellë, nxiten e drejtohen kryesisht nga parti të majta, sepse ato e mbajnë veten si zëdhënëse të shtresave të margjinalizuara. Kohët e fundit, pikërisht këto forca të majta, edhe nën flamunrin e « Pro Pal », kanë mbushur sheshet e kryeqyteteve të Europës.
Edhe në Shqipëri, pas rënies së diktaturës, protestat më të mëdha janë ato të vitit 1997 dhe 21 janari 2011, të dyja të organizuara nga të majtët shqiptarë. Por edhe nëse shtyhemi më tej, edhe Revolucioni i Qershorit i vitit 1924 kishte frymëzim popullor. E djathta, në përgjithësi, sipas klisheve dhe paradigmave të njohura, është ajo që identifikohet më shumë me perandoritë dhe me kolonializmin, është ajo që identifikohet me atdheun e familjen. Të majtët kanë atdhe gjithë globin dhe botën pa kufij. Ndaj revolucioni shoqëror dhe protestat janë, më së shumti, sport i tyre.
Mirëpo, në Shqipëri, ashtu siç ndodh përherë, ku gjithçka është paradoks, një komunist konservator si Sali Berisha ka marrë pronësinë e së djathtës dhe, për t’u bërë faktor, ka zgjedhur taktikat e luftës guerile dhe të vandalizmave që janë tipike për formacionet neokomuniste. Të gjithë pyesin se përse kjo dhunë tani dhe përse ndaj godinës së Ministrisë së Arsimit ? Sot, arsimi shqiptar, ashtu si edhe shkenca kanë probleme thelbësore të performancës, por infrastruktura, godinat, kushtet e studentëve nuk janë motiv për protesta kundër ndërtesës së Ministrisë së Arsimit, sepse ne po jetojmë në një kohë kur universitetet po boshatisen.
Universitetet e rretheve po mbyllin programe dhe degë të caktuara. Pra, e drejta për studim, jo vetëm që është e garantuar, por sot, bashkë me universitetet private, bëhet një garë gjatë gjithë vitit se cili do të thithë më shumë studentë dhe se si privati synon t’i marrë publikut sa më shumë kontigjente. Popullsia shqiptare po pakësohet dhe po plaket. Studentët, natyrisht, që janë pjesa më e kultivuar e shoqërisë, por, në krahasim me shumë vite më parë, ata kanë mundësi të zgjedhin më mirë se ku duan të studiojnë dhe të mos harrojmë se demokracia ka sjellë edhe suksese ekonomik për shumicën e familjeve shqiptare.
Nëse do të flasim për kushtet e jetesës së studentëve, ato këto vitet e fundit nuk kanë qenë problem dhe ne nuk kemi parë të raportohet ndonjë lajm për këtë anë te jetës së tyre. Pastaj, cilësia e mësimdhënies dhe perfomanca e universiteteve është tjetër gjë dhe këtu duhet ta pohojmë me plot gojën se univeristetet shqiptare nuk po arrijnë të dalin në dritë e të futen të paktën në listën e rankimeve që bëhen çdo vit në nivel europian apo ndërkombëtar.
Në muajin maj Shqipëria dhe diaspora shqiptare bashkë me përfaqësuesit më në zë të saj e çuditën botë anembanë me manifestimet madhështore të flamingove. Sot, kudo të shkosh në Perëndim, të gjithë të thonë se ju, shqiptarët, na dhatë një mësim të madh edhe neve, europianëve me vendosmërinë për të mbrojtur natyrën dhe na kujtuat edhe neve se si edhe një vend i vogël mund të bëhet një shembull i madh. Është gjëja më e dhimbshme që ai manifestim i madh nuk prodhoi një lëvizje politike me përfaqësues të elitave tona, sidomos ata profesorë e intelektualë të tjerë që jetojnë jashtë, por edhe brenda.
Shumë shpejt ai manifestim i madh që zgjoi zilinë e opozitës pa ide dhe të vjetëruar, jo vetëm që u shua, por në vend të parfumit që shpërndante Bulevardi i Madh, disa kohë më vonë, dhe tani, konkretisht, shtëllungat e tymit të molotovit na kthyen në pikën e nisjes. Spektakli i padenjë që po shohim tani, nuk është ndonjë gjë e re për shqiptarët. Personalisht mendoj se ardhja e ambasadorit të ri amerikan e nxiti Berishën që të tregojë forcën e vandalizmave në mënyrë që ta tundojë ambasadorin amerikan që ai ta llogarisë edhe atë si faktor në këtë vend.
Nuk besoj se kjo do të ndodhë. Megjithëse tani kundër qeverisë nuk janë vetëm molotovët, janë edhe gjyqtarët që kërkojnë rroga, janë edhe prokurorët e SPAK-ut si Altin Dumani që bëjnë thirrje të bëhen gjyqet pa avokatë, është edhe Erion Bani që ka hartuar një rregullore prej së cilës është bllokuar jeta dhe aktiviteti gjyqësor në Shqipëri. Edi Rama ka bërë të pakënaqur edhe një shumicë socialistësh me reformën territoriale, që jo vetëm nuk i duhej këtij vendi në këtë kohë, por që as nuk u kuptua se përse nisi.
Të gjitha këto i frymëzojnë guerrilasit e Berishës. Ambasadori amerikan nuk e përfilli Berishën në dy raste. Është i kuptueshëm reagimi i njeriut të shpallur non grata nga SHBA dhe Britania e Madhe. Mirëpo, siç dihet, protestat pa ide, nga nervozizmi, të çojnë në dhunë dhe violenca dëmton ata që e nisin atë dhunë dhe jo ata që e pësojnë.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.