Ndal vandalizmit dhe huliganizmit të demonstratës së dhunshme!
Nga Fatos Çoçoli
A ka nevojë Shqipëria për demonstrata të dhunshme? JO!
13 tetori 2026 shënoi një kthesë të fortë në protestën qytetare në Tiranë, e cila kishte vijuar për 134 ditë në mënyrë paqësore. Xhamat e thyer në Ministrinë e Arsimit, dëmtimi i ambienteve të biznesit dhe djegja e orendive dhe kompjuterave të tij, si dhe hyrja në Bashkinë e Tiranës, ku dhe u ndez zjarr nga dhunuesit e këtij institucioni publik, e zhvendosën debatin publik tek ne nga kërkesat politike të protestës qytetare, në përgjegjësinë individuale të vandalëve dhe huliganëve, si dhe mbrojtjen e pronës publike dhe e private.
Një protestë qytetare që zgjat 134 ditë paqësore nuk është thjesht një grumbullim njerëzish në një shesh. Ajo u shndërrua në një formë të qëndrueshme të shprehjes së pakënaqësisë, të presionit publik dhe të kërkesës për përgjegjësi politike nga një pjesë e qytetarëve. Menduam se vazhdimësia e saj dëshmonte se një pjesë prej nesh dëshironin të mbanin të hapur debatin për çështjet që i shqetësonin.
Për fat të keq, nuk ishte kështu. Organizatorëve politikë të protestës qytetare, dy lëvizje dhe një parti politike e re, iu sos durimi në ditën e 135-të dhe vendosën ta shndërrojnë protestën qytetare paqësore në një demonstratë të dhunshme, të maskuar djallëzisht si një protestë studentore përpara Ministrisë së Arsimit, dje në orën 14.00.
Kishte vërtet disa studentë, të pamaskuar në kapuçë, që protestuan dhe hodhën vezë dhe bojë mbi muret e Ministrisë së Arsimit. Mirëpo menjëherë atyre iu bashkuan huliganë dhe vandalë, të maskuar në kapuçë xhupash për të mos u njohur nga policia, që thyen xhamat e Ministrisë së Arsimit.
Pastaj, të pangopur me kaq pak dhunë, huliganët dhe vandalët i vune zjarrin kazanëve të hedhurinave në disa rrugë qendrore të Tiranës dhe disa stendave prej druri të shitësve ambulantë.
Thyerja e xhamave në Ministrinë e Arsimit, skenat e përsëritura të dhunës përpara saj edhe sot pas orës 14.00, dëmtimi i ambienteve të bizneseve private, djegia e pajisjeve kompjuterike dhe e orendive të tyre, si dhe hyrja në Bashkinë e Tiranës dhe ndezja e zjarrit atje, shënojnë një ndryshim të rëndësishëm në karakterin e protestës paqësore 134-ditore. Ajo tashmë nuk është më protestë, por demonstratë e dhunshme me qëllim destablizilimin e vendit, për të prodhuar nga destabilizimi krizë politike.
Nëse këto veprime dhune konfirmohen nga hetimet dhe provat e shumta të institucioneve ligjzbatuese, sikurse ka shumë mundës që të ndodhë, pse kamerat i dhanë besnikërisht këto ngjarje, atëhere ato nuk mund kurrsesi të trajtohen thjesht si vazhdim i zakonshëm i një proteste paqësore. Aksioni politik tashmë ka marrë trajtën e një demonstrate të dhunshme dhe lyp një vlerësim të veçantë dhe profesional, për përgjegjësinë e personave të përfshirë, dëmin e shkaktuar dhe rrezikun për sigurinë e njerëzve.
E drejta për të protestuar nuk përfshin të drejtën për të shkatërruar. Ky dallim është thelbësor, për të kuptuar drejt ngjarjet e 13 tetorit dhe ato që po vijojnë edhe sot, pas orës 14.00.
A mund të quhet ende protestë qytetare një tubim ku shkatërrohet prona publike dhe private?
Dhuna nuk e bën të pavlefshme çdo kërkesë qytetare. Por as pakënaqësia politike nuk mund të përdoret si justifikim për shkatërrimin e pronës apo rrezikimin e jetës.
Dëmtimi i ambienteve të bizneseve e zgjeron konfliktin përtej marrëdhënies ndërmjet demonstruesve dhe institucioneve shtetërore. Përgjegjësia për këto dëme duhet të përcaktohet në bazë të provave dhe procedurave ligjore.
Hyrja me dhunë në ambientet e Bashkisë së Tiranës dhe ndezja e zjarrit atje janë kalim i vijës së kuqe për demonstruesit. Një institucion publik është pronë e përbashkët e qytetarëve. Dëmtimi i tij nuk prek vetëm administratën, por edhe shërbimet që u ofrohen banorëve. Përgjigjja e institucioneve ligjzbatuese duhet të mbështetet në fakte dhe në hetim të paanshëm. Ndezja e zjarrit në një ambient të mbyllur në bashki, paraqet rrezik serioz për njerëzit.
A e ka dëmtuar dhuna kauzën e protestës qytetare?
Po, e ka dëmtuar ndjeshëm. Një protestë që për 134 ditë synon të mbajë në vëmendje publike një kauzë politike, fiton forcë nga qëndrueshmëria, disiplina dhe besueshmëria e pjesëmarrësve të saj. Kur vëmendja zhvendoset tek xhamat e thyer, pajisjet e djegura dhe dëmtimi i institucioneve, pra tek huliganizimi dhe vandalizmi, debati për kërkesat politike të protestës humbet forcë dhe zëvendësohet nga debati për dhunën e ushtruar.
Kjo sjell tri pasoja politike.
Së pari, dobësimin e mbështetjes qytetare për kauzën e protestës. Qytetarë që mbështesin kërkesat e protestës normalisht që distancohen nga format e dhunshme të demonstratës, ndërsa del lakuriq synimi final i organizatorëve të protestës, pra i dy lëvizjeve dhe një partie të re politike, për ndryshim me të gjitha mjetet, qoftë edhe ato të dhunshme, të sistemit qeverisës tek ne.
Së dyti, sjell humbjen e qartësisë së mesazhit protestues. Në vend që të diskutohen përgjegjësitë institucionale dhe kërkesat e protestuesve, opinioni publik përqendrohet tek dhuna e ushtruar, dëmet dhe përplasjet.
Së treti, sjell shtimin e ndjeshëm të pasigurisë në vend, duke i bërë një dëm kolosal vetm me dhunën e deritanishmë, ekonomisë së vendit dhe turizmi, deri në nivel 250-300 milionë euro.
Protesta duhet të ruante forcën e qytetarit protestues si në 134 ditët e para të saj. Dhe jo të shndërrohej, nga organizatorët e saj, në një demonstratë të dhunshme huliganësh dhe vandalësh, që shkatërrojnë dhe djegin, me qëllim ndryshimin e dhunshëm të qeverisjes.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.