Rama: 20 shkolla në Tiranë pajisen me kamera inteligjente, teknologjia në shërbim të sigurisë së fëmijëve
Kryeministri Edi Rama ka njoftuar se ka nisur zbatimi i projektit për pajisjen e shkollave me kamera inteligjente, me synim rritjen e sigurisë së nxënësve dhe reagimin më të shpejtë ndaj situatave problematike.
Gjatë prezantimit të projektit, Rama tha se në Tiranë janë pajisur tashmë 20 shkolla me sistemin e ri të kamerave, ndërsa theksoi se ky është vetëm fillimi i një procesi që do të shtrihet gradualisht në të gjitha shkollat.
Kryeministri e lidhi këtë nismë me një tragjedi të ndodhur më herët në një shkollë të Tiranës, ku humbi jetën Martin Cani, ku sipas Ramës, sistemet ekzistuese të kamerave nuk kishin mundur të ndihmonin sa duhej në zbardhjen e dinamikës së ngjarjes.
“Kur një tragjedi e tmerrshme në një shkollë të Tiranës mbajti frymën e mbarë Shqipërisë, kamerat nuk na ndihmuan dot mjaftueshëm për të kuptuar dinamikën e asaj ngjarjeje. Atëherë unë bëra një zotim; do të sjellim Shqipërinë në nivelin më të lartë të teknologjisë për të forcuar si asnjëherë më parë sigurinë në shkolla”, tha Rama.
Rama theksoi se kamerat inteligjente ndryshojnë nga sistemet e mëparshme, pasi nuk shërbejnë vetëm për monitorim, por mund të sinjalizojnë në kohë reale drejtuesit e shkollave, punonjësit e sigurisë dhe Policinë e Shtetit.
“Sot, ky zotim ka nisur të bëhet realitet. Kemi në Tiranë 20 shkollat e para të pajisura me kamera inteligjente, të cilat janë një mjet me aftësi të jashtëzakonshme në duart e drejtuesve të shkollave, punonjësve të sigurisë, por natyrisht edhe të vetë prindërve.”
Sipas Ramës, sistemet e reja do të vendosen në të njëjtat hapësira ku kanë qenë kamerat e vjetra, por do të kenë mundësi më të avancuara për identifikimin dhe sinjalizimin e situatave të dyshimta.
“Ato jo vetëm shohin, por edhe sinjalizojnë në kohë reale drejtoria, punonjësit e sigurisë apo vetë Policinë e Shtetit, duke i ndihmuar ata të kapin shpejt sinjalin, të kuptojnë shumë më mirë për çfarë bëhet fjalë dhe të ndërhyjnë pa humbur kohë”, tha Rama
Kryeministri deklaroi se 20 shkollat e pajisura në Tiranë përbëjnë vetëm fazën e parë të projektit.
“Zotimin e bërë pas asaj tragjedie, do ta bëjmë realitet shkollë pas shkolle, me teknologjinë në shërbim të njeriut dhe me sigurinë e fëmijëve mbi gjithçka”, u shpreh Rama.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.