Rama: Askush s’më akuzon dot se kam vepruar kundër Shqipërisë, jam për të bërë histori, jo pasuri
Kryeministri Edi Rama deklaroi se gjatë viteve të tij në politikë mund të ketë bërë gabime, por sipas tij, askush nuk mund ta akuzojë se ka vepruar kundër interesit të Shqipërisë.
Përmes një videomesazhi nga aeroporti i ‘Nënë Tereza’, Rama tha se mund të jenë bërë akuza të ndryshme ndaj tij, por, sipas tij, nuk ekziston asnjë provë që lidhet me një firmë të tij, qoftë gjatë kohës kur ka qenë kryebashkiak i Tiranës apo kryeministër.
“Kur një zyrtar i ka hapur vetes një llogari me drejtësinë, është një çështje individuale mes saj dhe organeve të drejtësisë”, u shpreh Rama.
Kryeministri tha se fakti që drejtësia po heton persona me pushtet nuk dëshmon, sipas tij, se korrupsioni po shtohet, por se po goditet.
“Këto episode provojnë krejt të kundërtën, ato provojnë se korrupsioni po goditet”, deklaroi ai.
Rama tha se një nga zotimet e tij politike ka qenë lufta kundër pandëshkueshmërisë, pavarësisht pushtetit të personave që përballen me drejtësinë.
“Unë premtova rilindjen e një Shqipërie të rrënuar, u zotova për fundin e pandëshkueshmërisë pavarësisht pushtetit dhe ky është ndryshimi historik që po ndodh. Jam për të bërë histori, jo për të bërë pasuri”, përfundoi Rama.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.