Rama flet në OKB: Shqipëria, vendi i parë që futi “Diellën” në qeveri
Kryeministri Edi Rama deklaroi në Asamblenë e Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara se Shqipëria është vendi i parë në botë që ka integruar një instrument të inteligjencës artificiale në arkitekturën e qeverisë, përmes “Diellës”, ministrës së inteligjencës artificiale.
Në fjalimin e tij, Rama theksoi se ky hap nuk është bërë për të transferuar sovranitetin nga njerëzit te makinat.
“E bëmë për t’i bërë shërbimet publike më të aksesueshme, procedurat më transparente dhe shtetin më llogaridhënës,” tha kryeministri.
Ai nënvizoi se asnjë makinë nuk mbart legjitimitet demokratik dhe asnjë algoritëm nuk trashëgon përgjegjësi kushtetuese.
“Pas çdo vendimi me ndikim publik duhet të mbetet një mandat ligjor, një institucion njerëzor e një emër që mund të thirret për t’u përgjigjur,” theksoi Rama.
Sipas tij, inteligjenca artificiale brenda një shteti llogaridhënës mund të reduktojë distancën midis qytetarëve dhe shërbimeve publike, ndërsa ajo jashtë llogaridhënies mund të eliminojë distancën midis gënjeshtrës dhe mendjes njerëzore.
Rama u referua përvojës shqiptare me atë që ai e quajti “revolucioni i flamingove”, një narrativë sipas tij, e trilluar për një “pushtim izraelit” të bregdetit shqiptar që kurrë nuk ndodhi.
Sipas tij, kjo narrativë u fabrikua, u personalizua dhe u përcoll përmes zërave, faqeve dhe kanaleve që qytetarët i besonin tashmë. Pasojat ishin reale: protesta kundër një “armiku fantazmë” dhe hyrja e shprehjeve antisemite në ligjërimin publik, ndërkohë që Shqipëria është i vetmi vend në Europë që e mbylli Luftën e Dytë Botërore me më shumë hebrenj se sa në fillim.
Ai paralajmëroi se ndërhyrjet në zgjedhje nuk kërkojnë më thjesht propaganda masive, por mund të veprojnë me precizion individual.
Rama foli edhe për kërcënimin e ri ndaj lirisë së fjalës: përdorimi si armë i lirisë së shpërndarjes.
“Fjala është e drejta për të shprehur një ide. Shpërndarja është fuqia për ta vënë këtë ide përpara miliona njerëzve. Fjala i përket qenies njerëzore.
Shpërndarja mund të blihet, të automatizohet, të manipulohet dhe të caktohet fshehtësisht nga platformat, korporatat, rrjetet kriminale dhe shtetet e huaja. Kur një gënjeshtër shumëfishohet miliarda herë, e vërteta varroset. Qytetari mbetet formalisht i lirë të flasë, por flet në një stuhi që asnjë zë njerëzor nuk mund ta përballojë”, u shpreh kryeministri.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.