Politika

Rama: Kjo është fitorja më e madhe dhe më të bukur e Partisë Socialiste të Shqipërisë

Zgjedhjet e 25 prillit i dhanë Partisë Socialiste mandatin e tretë për të qeverisur vendin 4-vjeçarin e ardhshëm. Në festën e fitores nga Sheshi “Skënderbej”, në Tiranë, Kryeministri Edi Rama e konsideroi këtë “fitoren më të vështirë, më të madhe dhe më të bukur të Partisë Socialiste të Shqipërisë”.  Rama tha se në zgjedhjet e 25 prillit Shqipëria fitoi, ndërsa shtoi se “kjo është një fitore e madhe dhe e bukur, që duhet ta meritojmë duke e bërë natën ditë, me punë të palodhur për Shqipërinë dhe me përkushtim të paepur për shqiptarët kudo që janë”. Sipas rezultateve paraprake të zgjedhjeve të 25 prillit, Partia Socialiste në rang vendi ka marrë 48.68 % të votave.

Kryeministri Edi Rama deklaroi gjatë fjalës së tij mbajtur para simpatiantave te shumtë   në   sheshin “Skënderbej”, se PS-në me PD-në e ndajnë natyrshëm shumë gjëra, po jo qëllimet madhore për Shqipërinë. “Pushteti për mua nuk është qëllim, por vetëm mjet për të arritur qëllimet për Shqipërinë dhe me PD ne na ndajnë natyrshëm shumë gjëra, po jo qëllimet madhore për Shqipërinë. Socialistët me demokratët shqiptarë duan ta bëjnë Shqipërinë anëtare të BE, por duke e bërë integrimin europian hendek balte mes njëri-tjetrit dhe armë për të qëlluar, mundësisht asgjësuar njëri-tjetrin, ky qëllim kaq i madh, kaq i përbashkët i njerëzve të zakonshëm nuk shpejtohet, po vetëm vonohet”, u shpreh Rama.

“Socialistët dhe demokratët shqiptarë në çdo qytet, në çdo fshat, nga jugu në veri, duan nga të dyja palët që ta rrisin ekonominë dhe mirëqenien, por duke e nxirë çdo ditë të shqiptarëve me ziftin e rrugëve të komunikimit mes palëve, rritja e ekonomisë dhe mirëqenies nuk shpejtohet, por vetëm pengohet. Socialistët dhe demokratët shqiptarë duan që vajzat dhe djemtë e tyre të mos ikin nga Shqipëria prej hallit, po vetëm kur dëshirojnë ta provojnë veten jashtë kufijve të saj. Por në një shtëpi ku të mëdhenjtë bëjnë vetëm sherr dhe nuk merren vesh për asgjë, fëmijët e vet i mban brenda vetëm prej zorit dhe hiç prej qejfit të të qenit bashkë në një çati”, theksoi Rama.

E pra, tha Rama, “nuk mjafton ta themi përditë si në një garë frenetike, se sa shumë e duam Shqipërinë, se sa të përvëluar jemi për flamurin e Europës, se sa të përkushtuar jemi për qytetarët e këtij vendi, se sa të prekur jemi nga varfëria e një pjese prej tyre, apo sa të inatosur jemi me ata që u bien në qafë të tjerëve lart e poshtë në këtë vend”.

“Jo, nuk mjafton të jemi të zotë veç me fjalë, po duhet ta tregojmë me sjellje dhe me vepra se ne vetë, përfaqësuesit e zgjedhur të këtij populli jemi më të mirë se kaq sa dukemi, kur i hidhemi në fyt njëri-tjetrit, kur e godasim njëri-tjetrin me fjalën e fundit, apo deri me bojë dhe me çizme. Kur bëhemi gazi i botës me lojërat tona macja me miun, dhe kur i bëjmë Shqipërisë, në sytë e komunitetit ndërkombëtar atë që as armiqtë nuk ia bëjnë dot imazhit të këtij vendi. Ky është vendi ynë dhe këtë vend s’mund ta duam me pjesë dhe as mund ta ndajmë me pjesë”, theksoi Rama. “E kam shumë të qartë që ta thuash këtë që po them, sado me sinqeritet dhe sado me zë të lartë është shumë e lehtë, shumë më e lehtë sesa ta bësh. Por unë jam më i gatshëm sesa asnjëherë tjetër që të përpiqem me të gjitha forcat e mia që edhe ta bëj”, tha Rama. “E di mirë po ashtu, se nuk mjafton vullneti ynë, as i imi, as i të gjithëve ne fituesve, sepse duhet dhe vullneti i PD dhe i kujtdo që do ta drejtojë në 4 vitet e këtij kapitulli të ri të jetës sonë demokratike”, tha Rama.

Kryeministri Edi Rama nuk ka kursyer falënderimet për nënën e tij të ndjerë, Anetën, gruan e tij Linda Ramën dhe për fëmijët e tyre. Rama nuk ka kursyer batutë për të birin Zaho duke thënë se nuk është i pranishëm në shesh për shkak se nuk i mori dot të gjitha votat.

Edi Rama: Fitoi durimi ynë, i kalitur në vështirësi të mëdha dhe gatishmëria jonë për të derdhur djersë më shumë se gjithë të tjerët bashkë. Fitoi PS. Gëzuar fitoren sepse është e gjitha e juaja. Por mos e harroni kurrë, asnjëherë më tutje se kjo fitore duhet merituar në çdo ditë të 4 viteve që kemi përpara, është një fitore e madhe dhe e bukur që duhet ta meritojmë duke e bërë natën ditë me punë të palodhur për shqiptarët, me përulësi dhe respekt ndaj kujtdo pavarësisht se për kë ka votuar. Kjo është fitorja ime e parë në mungesën e dikujt që më ka ndejtur pranë, më ka ndjekur si hije me dashurinë pa kushte dhe me përkujdesjen e paepur, dikush që më mungon tmerrësisht shumë sot mes jush dhe shpresoj që më sheh sot nga lart, nëna ime Aneta.

Uroj që të jetë krenar për mua dhe mirënjohëse për ju të gjithë që për kaq shumë vite më besuat pa u lëkundur, më mbështetet pa pushuar dhe sot së bashku me shumicën dërrmuese më dhatë privilegjin që t’ju udhëheq edhe për 4 vite të tjera drejt majës. Faleminderit me mirënjohje juve që jeni këtu me mua sot, juve që na ndiqni nga ekranet dhe të gjithë të tjerëve, shqiptar dhe shqiptare që të dielën ishit para kutisë së votimit për fitoren tonë të përbashkët.

Një falënderim të veçantë për gjysmën time më të mirë dhe të vetmen opozitë që nuk e mund dot por kënaqem kur kap barazimin, Linda Ramën, mamanë e palodhur të Zahos, nënën krenare të Reas dhe shoqen besnike të Gregut. Linda është guri që na mbledh, burimi që na ushqen dhe drita që na energjizon ne të katërve, grua shumë faleminderit. Falemiderit dhe Reas e Gregut që nuk na shkaktoni asnjë dhimbje koke. Zaho nuk erdhi se është i mërzitur, nuk pajtohet dot me faktin që unë i mora të gjitha votat, ndërsa ai asnjë votë megjithëse bëri fushatë në Vlorë.

 

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button